10 orë diskutime/ Zbardhen debatet e plota në Kushtetuese, pse u shty vendimi për zgjedhjet e 30 qershorit






argDISKUTIMET NË SEANCË

Përfaqësuesi i Presidentit, Bledar Dervishaj: Presidenti  e mbështet kërkesën e Shoqatës së Bashkive dhe kërkon pranimin e saj. Objekti i shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese  nuk është dekreti i Presidentit, por antikushtetueshmëria e  procesit në 30 qershor dhe antikushtetueshmëria e organeve të zgjedhura në 30 qershor. Përmes mjeteve dhe instrumenteve politikë, këto palë të koordinuara pa mbështetje  kushtetuese, realizuan një proces votimesh në 30 qershor, e  cila nuk ekzistonte dhe u zhvillua një proces pa garë.

Kushtetuta ka vendosur që Presidenti të jetë ai që cakton datën e  zgjedhjeve. Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave,

Elira Kokona: Ky proces ka të bëjë me votuesit, për aq kohë sa kërkuesi nuk është as votues e as subjekt politik, jemi ne devijim total të aspekteve procedurale të një shqyrtimi kushtetues. Mund të ketë subjekte që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por duhet t’i drejtohen jo me një rol parësor, por pasi i kanë shteruar nivelet e tjera të gjykimit. Jemi në kushtet e një shoqate, e cila  nuk ka në parashikimet e akteve të veta themelore aktet politike dhe as një aktivitet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Për këtë arsye, qëllimi i vetekzistencës së shoqatës nëpërmjet kryetarëve nuk mundet sipas vullnetit që të kryesohet apo përfaqësohet nga ish-kryetarë. Prezent në proces kemi  një ish-kryetar dhe një profesionist i autorizuar nga një ishkryetare. Të gjitha rastet kur një kryetar pret që në detyrë të  vijë një kryetar tjetër, nuk mund të shfrytëzojë mbajtjen edhe të postit të një shoqate. Kryetari aktual i shoqatës ka marrë detyrën në vijim të periodicitetit të caktuar. Jemi në kushtet e mungesës se përfaqësueshmërisë në këtë seancë. Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për vijimin e shqyrtimit të kësaj kërkese. Dekreti i Presidentit është një akt normativ individual. Veprimet e Presidentit cenojnë periodicitetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e sovranit. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se kur mbahen zgjedhjet pra njëherë në 4 vite.

Çdo veprim i presidentit pasi ka nisur fushata zgjedhore është përfshirje në proces. Anulimi dhe me pas shtyrja e datës së zgjedhjeve janë veprime të pa ligjshme dhe pa vlerë juridike. Në vlerësimin tonë kompetenca e Presidentit është vetëm e njëanshme. A mund ta ndryshojë? Po, por brenda afatit të përcaktuar, jo pasi ka nisur procesi. Pasojat e këtij vendimi janë të rënda, i heq të drejtën e votës sovranit.

Gjyqtare: Pse mendoni se kryetares së Shoqatës i duhet një autorizim për të përfaqësuar Shoqatën e Bashkisë?

Kokona: Në momentin që është e përcaktuar qartë delegimi i pushtetit të kryetares te nënkryetarët dhe Këshilli i Shoqatës, statuti i kësaj shoqate e përcakton qartë që kryetari i  Shoqatës nuk mund të jetë një ish-kryetare bashkie.

Erinda Ballanca, Avokatja e Popullit: Zgjedhjet nuk i shërbyen interesit të qytetarëve. Shpeshherë funksionaliteti i sistemit kushtetues është kthyer në një sistem formal që  nuk garanton qëllimet për të cilin është ngritur. Pa zgjedhje  të lira e të ndershme, nuk ka demokraci në vendin tonë. Kompetencat e institucioneve të ndryshme ushtrohen në një  kontekst të caktuar. Avokati i Popullit vëren se siguria juridike dhe parimi i së drejtës vitet e fundit konsiderohen si parime që nuk arrijnë të japin efektshmërinë e vendimeve. Nuk mundet që kolegji zgjedhor të mos marrë parasysh dekretin e Presidentit dhe të marrë një vendim thjesht, sepse  nuk e shikon të arsyeshëm.

Përfaqësuesi i Bindjes Demokratike, Erind Merkuri: Nuk mund të ketë shoqatë, që sjell zgjedhjet në Kushtetuese pa shfrytëzuar rrugët e tjera. Gjykata Kushtetuese nuk është  mjet alternativ, duhet të ishin shfrytëzuar rrugët e tjera ligjore. Këtu nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e organeve të  caktuara. Jemi të mendimit që Gjykata nuk mund të shqyrtojë këtë vendim. Dekreti i Presidentit është mbi apo nën  ligjet?! Ne gjykojmë se është nën ligjet. Në çdo rast dekreti i Presidentit duhet të ketë hierarkinë e akteve dhe Kushtetutës. A është në të drejtën e Presidentit të shmangi ligjet, dhe nuk ka tagra që t’i shmangi ligjet?! Presidenti nuk ka vepruar në  parim me Kushtetutën. Institucionet e tjera ecën duke zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bashkive, Jordan Daci: Pushteti vendor duhet t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. Edhe  pushteti gjyqësor nuk ka kompetencë në zgjedhje që bien në kundërshtim me parimet kushtetuese. Vetë qeveria është palë në këtë proces, nuk e kuptoj pse Këshilli i Ministrave duhet  të mbajë qëndrim në këtë proces dhe këtu cenohet autonomia vendore. Mandati i të zgjedhurve vendorë ndërpritet  nga dikush që zgjidhet në mënyrë kushtetuese. Nuk shoh arsye që të mbrohet Këshilli i Ministrave dhe këto janë aspekte që shkelin autonominë vendore. Ne kemi me dhjetëra bashki që janë pa kryetar. Situata që ne ngremë i shërben interesit të përgjithshëm. Ne e dimë se çfarë situate me trazira dhe se sa kundërshti kishte mes palëve.

Marsida Xhaferllari: Dy pyetje: Kërkimi i kushtetueshmërisë është autonom i juaji, apo si palë ankuese? Cili është  akti i pushtetit publik që ka konkluduar procesin që Gjykata duhet t’i referohet?

Jordan Daci: Në thelb ne jemi te aspekti i zgjedhjes së individëve. Akti i vetëm është dekreti i Presidentit, i cili u injorua, por ato janë ende në fuqi. Vendimet e KQZ-së janë pasojë e një vendimi antikushtetues të KQZ-së e cila mori përsipër kompetencat e Gjykatës dhe organizoi zgjedhje antikushtetuese. Ne na interesojnë të gjitha mandatet që kanë dalë nga ky proces.

Marsida Xharferllari: Cili është opinion juaj për efektet që ka shkaktuar dekreti i Presidentit, është efekt i përgjithshëm apo individual?

Jordan Daci: Është me efekt të përgjithshëm dhe akti individual administrativ lind pas ngjarjes dhe në këtë rast,  akti prodhon ngjarje dhe jo ngjarja të prodhojë akt.

Altin Binaj: Ju thatë që mandati në krye të Shoqatës është pa afat…?

Jordan Daci: Statuti dhe ndryshimet që iu bën shoqatës në vitin 2016 përcaktojnë mandatin e kryetares dhe  anëtarëve. Në këtë moment, organet e shoqatës janë funksionale dhe paguhen. Nuk kemi asnjë kërkesë që kemi refuzuar. Do t’i nënshtrohet vlerësimit, pasi vetë logjika e Shoqatës nuk është e karakterit diskriminues.

Vitore Tusha: Keni thënë që është cenuar parimi i ndarjes dhe balancimit të pushtetit, por nga ana tjetër thoni që KQZ-ja ka marrë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Këtë argument për çfarë e sillni, pasi ju nuk e sillni në kuadër të një  mosmarrëveshjeje, por e sillni për faktin se një organ ka dalë  përtej kompetencës së vet. Por, kur ju e përballni me kompetencat tona, çfarë argumentesh dhe arsyesh keni që bëni këtë  parashtrim?

Jordan Daci: KQZ-ja duke marrë këtë kompetencë, është  një argument që ne e përdorim për të provuar antikushtetueshmërinë e atij vendimi, nga i cili buron thelbi i mos- marrëveshjes.

Elira Kokona: Vëmë re se ky është një vërtetim që është i vitit 2019 dhe po merr për bazë që është i fundit. Në “web”-in e Shoqatës nuk ka ndonjë akt tjetër pas 2019-ës. Pra, pas 2019-ës a ka aktivitet të Shoqatës?

Jordan Daci: Shoqata është funksionale për bukuri dhe është ndër më të financuarat nga BE-ja.

Elira Kokona: A jemi në kushtet e mbrojtjes së një të drejte me natyrë politike?

Jordan Daci: Nuk ka koment.

Elira Kokona: Cilët janë përfituesit e një vendimmarrjeje të mundshme të Gjykatës Kushtetuese?

Jordan Daci: Ata që përcakton Kushtetuta.

Elira Kokona: Janë anëtarët e Shoqatës suaj të interesuar  për këtë proces?

Jordan Daci: E tregojnë këtu.

Elira Kokona: Neni 14, 15 dhe 17 i statutit, përcakton se përfaqësimi i Shoqatës me autoritet është përfaqësia. Kryetari i Shoqatës sot ka autorizim për të qenë pjesë e këtij procesi?

Jordan Daci: Kemi paraqitur çdo dokumentacion.

Elira Kokona: Kryesia e shoqatës a ka lëshuar autorizimin në këtë proces?

Jordan Daci: Legjitimimi im u bë nga Gjykata.

Elira Kokona: Anëtarët e Shoqatës janë bashkitë të përfaqësuara nga kryetarë dhe kryetari i Këshillit. Në listën e  bashkive, cilët janë anëtarët me emër dhe mbiemër?

Jordan Daci: Nuk jemi këtu për të lexuar emrat dhe mbiemrat, mund t’i lexoni vetë.

Elira Kokona: Nga 2019 deri 2021 ne nuk kemi asnjë informacion për jetën e brendshme të kësaj shoqate. Ne nuk e dimë nëse kemi të bëjmë me vullnetin e një personi apo të një grupi. A jemi këtu përballë një padie në emër të popullit? A ka angazhuar Gjykatën Kushtetues me një padi në emër të popullit?

Jordan Daci: Çdo padi në interesin e përgjithshëm dihet dhe nuk ka vend që ta shpjegoj unë se çfarë domethënë.

Elira Kokona: Mendoni se neni 116 i Kushtetutës ka vlerë  në analizën tuaj?

Jordan Daci: Neni 116 i Kushtetutës ka gjithmonë vlerë, i  cili duhet lexuar me nenin 5 dhe nenin 22. Konventa europiane ka përparësi mbi të drejtën kushtetuese dhe kjo ka  përparësi mbi gjithë aktet e tjera.

Elira Kokona: Ish-kryetarët janë organe drejtuese të Shoqatës?

Jordan Daci: Nuk e konsideroj si çështje të rëndësishme.

Erind Mërkuri: Cilin nen të Kushtetutës ka shkelur partia e Bindjes Demokratike?

Jordan Daci: Ka shkelur gjithë Kushtetutën.

Përparim Kalo: Është cenuar vullneti i zgjedhësve, në çfarë mase është shprehur vullneti?

Bledar Dervishaj: Nëse rezultati zyrtar është 22 për qind, llogarit edhe votat e pavlefshme dhe si mund të legjitimohen kur s’ka konkurrencë, dhe vota e shqiptarëve nuk ishte më e fshehtë.

Papajorgji: Në çfarë forme dhe cili subjekt mund ta çonte në Gjykatë Kushtetuese dekretin e Presidentit, kur Gjykata Kushtetuese ishte funksionale?

Dervishaj: Mund ta bënin këto parti që janë sot.

Papajorgji: Mund të vinte si mosmarrëveshje?

Dervishaj: Po, kryeministri, KQZ-ja, Kuvendi. E kishte mundësinë në çdo gjykatë dhe çdokush.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *