14-vjetori i Pavarësisë/ Seancë solemne në Kuvend, ushtarët dhe policët e Kosovës parakalojnë në Prishtinë. Osmani: Liria jonë ende nuk është përmbushur

Të enjten, 17 shkurt, Kosova shënon 14-vjetorin e shtetësisë së saj.

Në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë ngritjen solemne të flamurit të Kosovës para objektit të Qeverisë.

Më pas, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne për të shënuar 14-vjetorin e shtetësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta arritur lirinë.
“Ishte rezistenca e popullit tonë që trasoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri dhe për shtet”, ka thënë Osmani.

Gjatë fjalimit të saj para Kuvendit, ajo ka përmendur edhe ndihmën e aleatëve të Kosovës në këtë rrugëtim.
“Bota demokratike nuk heshti asnjëherë para vuajtjeve të popullit”, ka deklaruar ajo.

Prandaj, ka thënë Osmani, liria e Kosovës u dedikohet edhe vendeve mike, duke thënë se pa to nuk mund të finalizohet rruga evropiane e këtij vendi dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Kosova sot nuk është as ajo e qershorit të vitit 1999 dhe as ajo e shkurtit të vitit 2008. Megjithatë, liria jonë ende nuk është përmbushur, sepse sot kujtojmë edhe mbi 1,600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të të cilëve po e mban peng Serbia. Por, një është e sigurt. Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa familjet e tyre të gjejnë qetësinë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se procesi me Serbinë do të përfundojë me njohjen reciproke:
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, dhe rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë”.

Presidentja Osmani ka thënë se autoritetet nuk do ta ndalen derisa ta bëjnë Kosovën shtet “ashtu siç e dëshiruan ata që ranë për të dhe çfarë e meriton secili qytetar i vendit”.

Ajo ka paralajmëruar kundër atyre që i ka konsideruar forca destruktive që kanë bazën në Rusi.
“Tendencat destibilizuese nëpërmjet përdorimit të aleates tradicionale të saj, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar një mori aktivitetesh për të shënuar këtë ditë.

Për nder të 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë parakaluar sot së bashku me Policinë e Kosovës në sheshin “Nëna Tereza”, në Prishtinë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se në këtë ditë kujtohen ata që dhanë gjithçka për vendin tonë.
“Jam krenare që ndodhem sot këtu në parakalimin e ushtrisë dhe Policisë. Këta djem dhe vajza, janë personifikimi më i mirë i shtetit tonë. Sot kemi arsye të festojmë, shtet i vogël por me zemër të madhe. Populli më pro-amerikan e ka rrugën e qartë. Ushtria jonë është e përgatitur profesionalisht.

Parakalimi i FSK-së dhe i Policisë është përcjellë nga qytetarë të shumtë. 14-vjetori i shpalljes së pavarësisë është shënuar me aktivitete të ndryshme, ku aktivitetet kanë filluar në ora 08:00 të mëngjesit.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë. Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.