140 OJF kundër projektligjit, por mazhoranca nuk tërhiqet/ Ministrja e Drejtësisë: Heqim rrezikun e pastrimit të parave dhe…






Mazhoranca nuk është tërhequr nga nisma për miratimin e projektligjit për krijimin e regjistrit elektronik të OJF-ve, edhe pas thirrjes së rreth 140 organizatave jo fitimprurëse për mosmiratim në Kuvend.

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se për draftin janë kryer konsultime dhe janë marrë për bazë 70 për qind e sugjerimeve dhe komenteve të organizatave. Po ashtu ministrja tha se projektligji i ri ul ndjeshëm kohën, kostot e procedurave, si dhe rrit transparencën e shmang rrezikun e pastrimit të parave.

“Pas 20 vitesh po miratojmë një ligj të ri për regjistrimin e organizatave të shoqërisë civile. Kjo nuk ishte një sfidë e lehtë, sidoqoftë besoj se kemi bërë më të mirën. Besoj ia kemi dalë të jemi gjithëpërfshirës në procesin e konsultimit të këtij drafti. Janë organizuar takime konsultative si në Ministrinë e Drejtësisë ashtu dhe në Kuvend, si dhe janë organizuar seanca të posaçme dëgjimore nga agjencia për mbështetje të shoqërisë civile. Mbi 70 për qind e komenteve dhe sugjerimeve të shoqërisë civilë për këtë projektligj janë reflektuar në përmbajtje. Nëpërmjet këtij projektligji ne përmirësojmë ndjeshëm kohëzgjatjet dhe procedurat që duhen për të regjistruar një organizatë, apo për të kryer ndryshime në regjistrin e organizatave jofitimprurëse”, tha ministrja e Drejtësisë.

Me këtë projektligj ndryshojmë rrënjësisht sistemin e regjistrimit. Krijojmë një sistem regjistrimi të bazuar në komunikim dhe shqyrtimin elektronik. Edhe dikush nga një rreth i largët mund të paraqesë aplikimin elektronik për regjistrimin e organizatës. E përfundon procedurën pa dashur që të paraqitet personalisht në Tiranë. Rrisim transparencën dhe heqim rrezikun e pastrimit të parave. Vendosen detyrime për raportim të të dhënave të nevojshme për transparencën. Kemi gjetur zgjidhje për të ulur ngarkesën në Gjykatën e Tiranës. Në vit ka pasur 2000 çështje, që nuk do trajtohen më nga gjyqtarët, por kancelarët e gjykatës. Do lehtësojë barrën administrative të organizatave duke mundësuar krijim e lehtë të organizatave”, u shpreh Gjonaj në fjalën e saj.  

Deklarata e organizatave 

Përmes një deklarate të përbashkët, ata kërkojnë që projektligji të mos miratohet  dhe Kuvendi të nis një diskutim për të gjetur konsensus. Organizatat besojnë se projektligji i ri ka gjasa që do të dëmtojë punën e organizatave dhe nuk do të ndihmojë shumë në këtë drejtim.

“Për ne, organizatat e shoqërisë civile, projektligji cenon rëndë të  drejtën e organizimit vullnetar, parimin e proporcionalitetit në vendosjen e  masave shtrënguese si dhe mbivendosjen e tyre, raportimin e dyfishtë dhe parimin e qartësisë ligjore”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e krijimit të regjistrit elektronik, jo vetëm si një nevojë për të adresuar  rekomandimet e ‘MONEY- VAL’-it, por mbi të gjitha si  një përmbushje e kërkesës  shumëvjeçare të vetë sektorit që mundëson vlerësimin e duhur të rolit dhe impaktit të punës së tij.

Çdo nevojë për të adresuar detyrimet ndërkombëtare nga  ana e shtetit shqiptar, nuk duhet të cenojë të drejtën e grupeve të interesit për t’u dëgjuar dhe konsultuar  nëpërmjet një procesi efektiv”, vijon më tej deklarata.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *