2 muaj nga nisja e sulmit rus në Ukrainë

12:32 24/04/2022

Blinken e Austin sot në Kiev, diskutime për armët e rënda

Ashpërsia e bombardimeve ruse në lindje të Ukrainës, as nuk u reduktua e as nuk u ndal në ditën e Pashkës ortodokse. Dita kur mbushen 2 muaj nga nisja e sulmit rus e gjen ofensivën të përqendruar në rajonin e Donetskut.

Mbi 50 predha të artilerisë ruse ranë më herët edhe në Harkiv, prej të cilave sipas autoriteteve humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Ka arritur sakaq në 8 bilanci i të vdekurve nga sulmi i të shtunës në qytetin jugor të Odesës, mes të cilëve edhe 3 fëmijë dhe 18 ai i të plagosurve. Rusët pretendojnë goditjen e objektivave ushtarake, por viktimat janë civile.

Këtë të diel, Kievi vizitohet nga sekretarët amerikanë të Shtetit dhe Mbrojtjes, Antony Blinken dhe Lloyd Austin. Në fokus të diskutimeve, armatosja e ushtrisë ukrainase me armë të rënda që mund të ndryshojnë rrjedhën e sulmit rus. Uashingtoni ka premtuar se do t’i dërgojë topa me rreze të gjatë veprimi ukrainasve, por fillimisht ushtarakët duhet t’u nënshtrohen trajnimeve.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, gjatë një konference tre orëshe për shtyp natën e të Shtunës bëri thirrje për më tepër armë të rënda nga perëndimi.

Ai po ashtu kërkoi takim sa më shpejt me Vladimir Putinin, për të ndalur me diplomaci, luftën në Ukrainë. Megjithatë, Zelensky paralajmëroi se shkatërrimi i vendstrehimit në uzinën Azovstal dhe vrasja e ushtarëve ukrainas që bëjnë atje rezistencë, do të shënonte fundin e kontakteve diplomatike Kiev – Moskë.

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.