
08:58 08/04/2022
◾Ukraina thotë se më shumë se 30 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur pasi raketat goditën një stacion treni në qytetin Kramatorsk, në Ukrainën lindore. Mijëra njerëz ishin në stacion në atë kohë ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga sulmet ruse, sipas guvernatorit rajonal të Donetsk.
◾Forcat ruse janë tërhequr plotësisht nga Ukraina veriore për në Bjellorusi dhe Rusi sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe. Disa prej këtyre forcave do të dërgohen në lindje të Ukrainës për të luftuar në rajonin e Donbasit. Beteja për Donbasin do t’i kujtojë botës Luftën e Dytë Botërore, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas.
◾Presidenti Volodymyr Zelensky tha se shkatërrimi në Borodyanka, në veriperëndim të Kievit është “shumë më e tmerrshme” se ajo që gjetën në Bucha. Banorët në Yahidne, pranë Chernihiv, i thanë BBC se trupat ruse kanë mbajtur 130 njerëz në një bodrum për 4 javë.




Sulmi me raketa në stacionin e trenit, Rusia mohon përgjegjësinë
Këto janë pamjet e para që vijnë nga stacioni hekurudhor në qytetin e Kramatorsk, në lindje të Ukrainës. Pamjet e përcjella nga Sky News tregojnë për civilë të vrarë ndërkohë që prinin për t’u larguar me tren.
Autoritetet ukrainase thonë se dy raketa ruse goditën stacionin hekurudhor duke i marrë jetën të pakën 30 personave e duke plagosur më shumë se 100 të tjerë, shifra të cilat janë paraprake.
Në momentin e ngjarjes në këtë vend ndodheshin shumë qytetarë të cilët po largoheshin nga rajoni i Donetsk.
Ndërkohë në një reagim, Rusia ka mohuar përgjegjësinë për sulmin. Eduard Aleksandrovich Basurin, zëdhënës i komandës pro-ruse të “milicisë popullore” të Republikës Popullore të Donetskut, tha se sulmet ishin një “provokim” ukrainas.

2 raketa godasin stacionin hekurudhor: Të paktën 30 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur
Një stacion hekurudhor që përdorej për evakuimin e civilëve në Ukrainën lindore raportohet të jetë goditur nga dy raketa ruse këtë të premte.
Të paktën 30 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur është bilanci paraprak.
Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur në një stacion treni në qytetin e Kramatorsk, në rajonin e Donetsk, aty ku ofensiva e paralajmëruar nga forcat ruse duket se tashmë ka nisur.
Sipas asaj që shkruan BBC , guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko tha se në momentin e sulmeve në stacion ndodheshin me mijëra njerëz, pasi banorët nga rajoni i Donetsk po evakuoheshin në rajone më të sigurta në Ukrainë.
Kramatorsk është një nga stacionet që funksiononte ende në Ukrainë. Ai njihet gjerësisht si një nga rrugët kryesore të evakuimit jashtë Ukrainës lindore.

Zyrtari ukrainas: 4 civilë të vrarë pas një arratisjeje me varkë
4 civilë janë vrarë teksa përpiqeshin të largoheshin me anije nga rajoni i pushtuar i Kherson. Sipas autoriteteve ukrainase, anija po lundronte nga fshati Pervomaivka kur u sulmua rreth 70 metra larg nga bregu.
Sipas një zyrtari, anëtar në qeverisjen vendore të Kryvyi Rih, në anije kanë qenë 14 persona.
Viktimat janë dy burra, një grua dhe një fëmijë 13-vjeçar. Shtatë persona janë dërguar në spital, ndërsa dy të tjerë kanë humbur.
Ndërkohë nuk është e qartë nëse personi i 14-të në varkë është plagosur, i humbur apo i padëmtuar. Kherson-i, një qytet port jugor pranë Krimesë, u pushtua nga Rusia në ditën e tetë të pushtimit.

Von der Leyen niset drejt Kievit
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev. Të dy zyrtarët e lartë hipën në një tren në Poloni. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të ketë bisedime në Kiev me von der Leyen. Ai tha se detaje të tjera të bisedimeve nuk do të njoftohen për arsye sigurie.
Von der Leyen do të marrë pjesë në një ngjarje Stand Up For Ukraine në Varshavë gjatë të shtunës. Veprimtaria, e organizuar së bashku me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, do të mbledhë para për refugjatët ukrainas.

Zelensky: Në Borodyanka po përsëritet masakra e Bucha-s
Shkatërrimi i qytetit të Borodyanka është shumë më i tmerrshëm sesa ai që është zbuluar tashmë në Bucha, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymr Zelensky në fjalimin e tij drejtuar kombit. Njëzet e gjashtë trupa janë nxjerrë nga nën rrënojat e dy ndërtesave të apartamenteve të shkatërruara në Borodyanka, në veriperëndim të Kievit. Në qytetet në periferi të Kievit u zhvilluan luftime të ashpra ku forcat ruse bombarduan disa ndërtesa.
Gjatë natës forcat ruse goditën katër depo karburanti me raketa me precizion të lartë në Ukrainën lindore, të cilat furnizojnë me karburant forcat ukrainase në Kharkiv, Nikolaev dhe rajonin e Donbasit. Kanadaja do të vërë 1 miliardë dollarë kanadezë në dispozicion të Ukrainës nëpërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar sipas buxhetit të fundit federal të shpallur nga qeveria Liberale në Otava. Buxheti cakton gjithashtu 500 milion dollarë në kontribute ushtarake për Ukrainën.

Australia, ndihmë ushtarake për Ukrainën
Australia do të dërgojë 20 mjete të blinduara në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Scott Morrison, ndërkohë që avioni i parë me disa nga këto pajisje ushtarak është nisur. Fillimisht Australia po dërgon 20 mjete të blinduara “Bushmaster”, që shërbejnë për transportimin e personelit ushtarak. Ato shërbejnë për të lëvizur në mënyrë të sigurt ushtarët në një zonë beteje dhe në këtë fazë që ka hyrë lufta, kur priten beteja frontale në zonat lindore të Ukrainës, janë mëse të nevojshme për ushtrinë ukrainase.
Automjetet, që janë prodhuar në Australi, janë lyer me ngjyrë ulliri dhe mbi to ka një flamur ukrainas në anë dhe fjalët “United With Ukraine” .
Dy prej mjeteve janë modifikuar si autoambulanca dhe mbajnë stemën e Kryqit të Kuq. Automjetet u kërkuan në mënyrë specifike nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në një fjalim në parlamentin e Australisë më 31 mars.
[embedded content][embedded content]
Pink Floyd publikon pas 28 vitesh këngë të re
Grupi legjendar i rokut, Pink Floyd, ka publikuar një këngë në mbështetje të Ukrainës. Kënga quhet “Hey Hey Rise Up” dhe është bërë në bashkëpunim me këngëtarin Andriy Khlyvnyuk, një muzikant ukrainas i grupit Boombox.
Anëtari i Pink Floyd, David Gilmour, tha se u inspirua nga një video në Instagram e Khlyvnyuk, i cili është kthyer në Ukrainë për të luftuar për mbrojtjen e Kievit.
Pasi bëri gati muzikën, Gilmour ka marrë në telefon muzikantin ukrainas i cili ndodhej në spital pas disa dëmtimeve që ka pësuar.
“Luajta pak muzikë në celular dhe më pas më dha bekimet e tij. Shpresojmë që të bëjmë diçka së bashku në të ardhmen”, tha muzikanti britanik.
Kjo është kënga e parë e Pink Floyd që prej vitit 1994 dhe të gjitha fitimet nga shitja e këngës do të shkojnë për ndihmë humanitare në Ukrainë.

Mali i Zi shpall non grata 4 diplomatë rusë
Ministria e Jashtme e Malit të Zi, të enjten shpalli persona të padëshiruar edhe katër diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Mal të Zi.
“Nota formale për këtë vendim, ku parashikohet një afat prej shtatë ditësh për t’u larguar nga territori i vendit tonë, i është dorëzuar sot ambasadorit rus “ thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Ministria Jashtme malazeze e ka marrë vendimin në bazë të vlerësimit të organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për veprimtarinë e diplomatëve rusë dhe sipas nenit 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, bënë të ditur kjo ministri.
Në fillim të marsit Ministria e Jashtme e Malit të Zi e ka shpallur person të padëshiruar edhe një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.(Burimi: VOA)
REDAKSIA TVKLAN.AL
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al