
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024”. Gjatë vitit të ardhshëm, Mete theksoi se ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.8%.
“Projektbuxheti i vitit 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor dhe mbrojtjen e kategorive sociale. Projektbuxheti i vitit 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë Euro shpenzime të planifikuara dhe projekton uljen e borxhit publik. Synimi është që t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështetjes më tej të rritjes ekonomike.
Prespektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatgjatë dhe afatmesme të ekonomisë si dhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend. Nisur nga kjo ecuri, ne kemi rishikuar projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti në 3.7% nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe FMN dhe Banka e Shqipërisë kanë parashikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2023. Në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore për rreth 4% në periudhën afatmesme e në vijim”, theksoi ai.
Sa i përket shpenzimeve, ministri theksoi se për vitin e ardhshëm është parashikuar të shpenzohen 30.2% e PBB-së. “Në krahun e Shpenzimeve, në projektbuxhetin e vitit 2024 janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023”, theksoi ai.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al