A dështoi formati i final four?

a deshtoi formati i final four

































AGRON LOCIAGRON LOCI

Ndryshimi i formulës së Superiores përmes organizimit të finales me katër ekipet e renditura në vendet e para në fund të garës, u argumentua nga drejtuesit e FSHF si një risi që kish për qëllim kryesor të ndihmonte sadopak financiarisht ekipet e Superligës, që prej kohësh po përballen me vështirësi të mëdha për të përballuar garën. Vështirësitë financiare kanë ardhur në rritje nga viti në vit për shkak të nivelit të ulët të garës që është shoqëruar me rënien e vazhdueshme të numrit të spektatorëve e për rrjedhojë të të ardhurave të klubeve, ku lojtarët e paktë cilësore largohen menjëherë sapo ju paraqitet mundësia e parë për të lënë Superligën, ku buxhetet edhe tek klubet më me emër janë në nivele amatore, ku ende nuk duket ndonjë dritë në fund të tunelit që do të finalizohej me hartimin e ndonjë pakete ligjore në mbështetje të sportit e mjaft arsye të tjera. Kur gara ka ulur siparin e saj me fituese surprizë, por plotësisht të merituar, ekipin e Egnatias, mund të bëhet një analizë nëse ky format i ri ja arriti qëllimit.

Synimi kryesor i ndryshimit të formulës ishte të afronte sa më shumë spektatorin, por edhe biznesin në fazën finale, me qëllim që të ndihmonte sadopak financat e dobëta të ekipeve pjesëmarrëse në garë përmes të ardhurave që do të siguroheshin. Turneu pritej të ishte si një reklamë për futbollin shqiptar dhe ndoshta mund të arrinte të zgjeronte interesin e publikut vendës për garën në vend. Pak ditë përpara se të organizohej turneu kur drejtuesi i garave në FSHF u pyet sesa parashikohej të ishin të ardhurat nga ky aktivitet ai u përgjigj diku tek 1 milion euro, të cilat do të shpërndaheshin sipas një formule të paracaktuar nga FSHF. Sesi e kishin parashikuar këtë shifër të ardhurash, vetëm ata të FSHF mund ta dinë, ose ta kenë llogaritur.

Gjithsesi, duke hamendësuar mund të ngrihen disa opsione që FSHF të ketë dalë në përfundimin se gara finale do të kasojë 1 milion euro. Së pari, FSHF duhet ta kish planifikuar qysh në fillim se çmimi i biletave për këtë fazë do të ishte shumë i kripur. Dhe ashtu ndodhi kur për një ndeshje të kësaj faze duhej të paguaje si të ishte një ndeshje finale në Premier League, Primera Division, Seria A apo Bundesliga. Në të vërtetë, këto çmime nuk i përgjigjeshin së pari nivelit mesatar ekonomik të tifozit shqiptar dhe së dyti, nivelit e cilësisë së garës që zhvillohet te ne. Këto çmime duhet të kenë qenë një ndër arsyet kryesore të numrit të ulët të spektatorëve në katër ndeshjet finale. Në një vend me të ardhura të ulëta për frymë nuk ka logjikë ekonomike për të pretenduar të fitosh duke vendosur ato çmime.

Së dyti, ndoshta FSHF në një farë mase i ka paragjykuar pjesëmarrësit në garën finale qysh në momentin e ideimit të formulës së re. Ata që ndjekin Superligën e dinë që vetëm një ndeshje e saj arrin të prodhojë të ardhura për klubet dhe ky është derbi i kryeqytetit. Pikërisht këtë mund të ketë pasur parasysh FSHF në momentin e ideimit të formulës së re. Por mungesa e ekipit më të titulluar në vend në fazën finale, që sipas gazetarit Zaloshnja ka edhe numrin më të lartë të tifozëve në kryeqytet dhe rrjedhimisht edhe të ardhurat, duhet t’i ketë prishur parashikimet e drejtuesve të federatës. Për të vazhduar me logjikën ekonomike më tej.

Nëse FSHF është nisur nga qëllimi i mirë për të ndihmuar sadopak financiarisht ekipet, tani që ka përfunduar gara mund të bëhet bilanci nëse u arritur qëllimi. Ka ardhur momenti të bëhet një bilanc i të ardhurave të 36 javëve mes garës së këtij viti dhe asaj të një viti më parë, pra sa ka qenë numri i tifozëve dhe të ardhurave për çdo ekip nga dy sezonet e fundit. Kjo, pasi të gjithë jemi dëshmitarë se kjo formulë e uli ndjeshëm numrin e tifozëve për të ndjekur ekipin e tyre gjatë garës që sapo përfundoi sa kohë që ajo do të vendosej në fund, madje disa ekipe që i arritën objektivat i ulën impenjimet dhe nuk dhanë maksimumin.

E bashkë me këtë numër më të ulët të tifozëve sigurisht që edhe të ardhurat vjetore të klubeve nga biletat do të ishin të ulëta. Mjaftonte të hyje në fazën finale ku gjithçka zerohej dhe mund të shpalleshe kampion, pavarësisht se kishe përfunduar me një diferencë prej dy shifrash nga ekipi i renditur i pari. Nisur nga ky interesim i ulët, gjatë të gjithë vitit çështja shtrohet a mund të konsiderohet rentabël ekonomikisht një garë që gjatë gjithë vitit nuk siguron të ardhura duke shpresuar t’i arrijë ato në fund? Dhe, a ka garanci që këto të ardhura në fund do të superonin ato që mund të siguroheshin gjatë garës normale? Tani që gara u mbyll është detyrim të paktën moral i FSHF për hir të transparencës të flasë me shifra sesa të ardhura arriti të kasojë nga faza finale. Si do të ndahen mes klubeve dhe sa do të përfitojë vetë FSHF. Për më tepër, ajo që u intereson klubeve dhe sportdashësve është pyetja nëse do të vazhdojë kjo formulë edhe për sezonin e ardhshëm.

Nëse po, do të ketë ndryshime dhe ku mendohet? Si përfundim, mund të thuhet se pavarësisht qëllimit të mirë të FSHF për të ndihmuar sadopak ekonomikisht ekipet e Superiories përmes ndryshimit të formulës së garës, kjo qasje e re nuk është veçse një përpjekje që fokusohet vetëm tek forma dhe jo përmbajtja për të cilën ka aq nevojë futbolli shqiptar. E rëndësishme që do të ndihmonte realisht ekipet e futbollit, por do të ndikonte njëkohësisht edhe në rritjen e cilësisë së tij e për rrjedhim dhe afrimit të një numri më të madh spektatorësh janë reformat që prekin thelbin, që kanë të bëjnë me një qasje totalisht të re të aktorëve kryesorë, duke filluar me drejtuesit e ekipeve, FSHF dhe institucionet shtetërore që janë përgjegjëse për zhvillimin e sportit në vend. Bota, madje jo larg nesh, operon me formula shumë efikase ku secili aktor me ligj është i detyruar të përmbushë përgjegjësitë e tij. Pa përfshirjen e të gjithë aktorëve më të rëndësishëm në këtë proces, sidomos të atyre që kanë pushtet ekzekutiv, por njëkohësisht që kanë edhe dëshirë e vullnet për ta ndihmuar sportin të rritet, nuk mund të kemi futboll cilësor, dhe ndryshimet e formulës nuk janë veçse një makiazh që përpiqet të mbulojë pamjen e jashtme, por pa u marrë me thelbin.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts