“A ka mundësi një ministër apo Kryeministri të bëjë transparencë?”- Braçe, kritik ndaj qeverisë: Si i cakton bordi çmimet…






KELMENT BAÇI/ Diskutimet në Komisionin e Ekonomisë mbi aktet normative të qeverisë për ndryshimet në buxhet, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve janë shoqëruar me debate jo vetëm mes maxhorancës dhe opozitës, por edhe brenda shumicës.

brace ne komision

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar informacion të detajuar se mbi ç’bazë ligjore bordi i transparencës cakton çmimin e karburanteve. Braçe kërkoi që një zyrtar i qeverisë, ministër apo edhe vetë Kryeministri duhet të dalë publikisht dhe të bëjë transparencë për gjithë transaksionin e karburantit, nga blerja në bursë deri në shitje.

Kundër mendimit të deputetit Braçe ka qenë deputetja Blerina Gjylameti, që i kujtoi se baza ligjore e bordeve është e qartë dhe e pasqyruar nga Kryeministria. Socialistja u shpreh se masat që merren janë në funksion dhe përgjigje të problematikave të qytetarëve. Për deputetin demokrat Edmond Spaho, çmimi i karburanteve duhet të bëhet transparent për qytetarët, ndërsa kërkoi rritjen e pagave dhe pensioneve.

DEBATI

Erion Braçe: Unë mendoj që edhe bordi që merret me çmimin e hidrokarbureve duhet të ketë një bazë ligjore ku ai funksionon. Tani unë dua të di mbi ç’bazë ligjore po caktohet ai çmimi atje? Është shumë e rëndësishme për të kuptuar, ne këtu njëherë, se do të votojmë dhe do duket sikur po e përcaktojmë ne çmimin. Sepse po përcaktove formulën, pa diskutim ke përcaktuar edhe çmimin. Një variabël ndryshon, vetëm çmimi në bursë, pastaj pjesa tjetër mbetet e pandryshuar nga ajo që do miratojmë ne këtu. A ka mundësi që një nga qeveria, ministër, Kryeministër të jetë çfarë të dojë po një zyrtar i qeverisë të bëjë transparencë për të gjithë transaksionin e karburantit nga blerja në bursë deri në shitje. A ka mundësi një njeri të na i shpjegojë, kush e blen naftën që tregtohet në Shqipëri? Kush e sjell këtu? Ku e sjell? Ku e depoziton këtu? Gjithsecili të mbajë atë që i takon! Pra, janë disa elemente që duhet të ishin të shkruar tek ai akti normativ dhe duhet të kishte një element themelor, transparencën.

Blerina Gjylameti: Jam e bindur që ato bordet, sado mund të jenë në masa ekstreme, por në situata të jashtëzakonshme, nuk mund të ketë masa të zakonshme, janë gjëja më e mirë për të ulur sadopak abuzimin. Ne duhet të nxisim funksionin dhe monitorimin më të mirë të të gjitha inspektorateve se çfarë ndodh në terren. Baza ligjore e bordeve është e qartë, e pasqyruar dhe publikuar nga kryeministria për të kuptuar se si funksionojnë. Ato masa që merren janë në funksion dhe përgjigje të problematikave të qytetarëve.

Edmond Spaho: Tani është koha që po kalojmë këtë krizë, që pagat dhe pensionet të rriten. Këtu për të gjithë janë nivele qesharake të pagave dhe pensioneve. Është shumë e nevojshme për të siguruar transparencën e çmimit të karburanteve që të sqarohen qytetarët nëse karburanti që depozitohet në depozita është pronë e këtyre kompanive apo është pronë e brokerave në Londër. Ligji i detyron eksportuesit të kenë të depozituar pronë të tyre për tre muaj konsum. Kjo është shkelje e ligjit! Ka nevojë të bëhet transparencë.

Erion Braçe: Të garantohet edhe një gjë tjetër që është akoma më e rëndësishme, konkurrenca. Tani çmimet janë uniformë dhe është zbehur totalisht konkurrenca midis pikave. Duhet ta shpjegojë dikush këtë çështje e shpenzimeve operacionale të tyre sepse nuk arrij ta kuptoj, janë 12 lekë për naftën, benzinë dhe gazin sepse u reflektua një rritje e menjëhershme te të tria produktet.

Në qoftë se janë te të tri produktet, më falni, por çfarë shpenzimesh po u njohim ne këtyre? Shpenzimet për të bredhur me “Ferrari” nëpër Tiranë?

Vendimi i Bordit për karburantet

Bordi i transparencës ndryshoi sërish çmimin e naftës duke e ulur atë nga 245 lekë për litër, në 237 lekë për litër. Bordi i karburanteve e uli çmimin e naftës me 8 lekë dhe nafta deri më datën 31 mars do të shitet 237 lekë/litri, ndërsa benzina me 211 lekë/litri. Sipas vendimit të bordit, një litër gaz do të shitet me 116 lekë duke pësuar një rritje të lehtë të çmimit

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.