A kërcënon një krizë të re nafte?

a kercenon nje krize te re nafte
a kercenon nje krize te re nafte

09:12 13/10/2023

Në bursat botërore aktivizohen mekanizma të njohur në rast të ndonjë krize të re. Çmimet e aksioneve bien, kërkohen alternativa më të sigurta për investime, si bono apo ari. E njëjta gjë po ndodh edhe tani, pas sulmit të Hamasit palestinez ndaj Izraelit. Para së gjithash, vlera e aksioneve të kompanive izraelite, si prodhuesi i çipave Tower Semiconductor, apo vlerat e kompanive që janë mjaft aktive në rajonin e Lindjes së Mesme, po “shkrihet” në bursën e Londrës dhe tregjet në SHBA.

Humbjet, të regjistruara nga DAX (indeksi më i rëndësishëm gjerman i aksioneve), janë gjithashtu rezultat i një sulmi të madh të Hamasit militant-islamist. Megjithatë, analisti Chris-Oliver Schickentanz nga Capitell Vermögensmanagement beson se pasojat e drejtpërdrejta ekonomike do të jenë të kufizuara: “Lidhjet tregtare janë me të vërtetë atje, por kur shikon pjesën e tyre në bilanc, ajo është e vogël”, thotë Schickentanz. Për kompanitë e mëdha kjo do të thotë se nuk do të ketë humbje të menjëhershme”.

Hakmarrja kundër Iranit?

Gjermania është padyshim një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Izraelit. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Gjermanisë në botë, Izraeli është vetëm në vendin e 45-të. Në mënyrë indirekte, pasojat ekonomike janë shumë më dramatike, pasi çmimi i naftës u rrit ndjeshëm të hënën (9.10.2023). Nafta bruto e shtrenjtë do të thotë që kostot e prodhimit dhe transportit po rriten, dhe kjo u shfaq menjëherë në bursat – çmimet e aksioneve të kompanive ajrore ranë, por jo vetëm aksionet e tyre.

“Tregu i naftës po reagon, sepse sigurisht që ky konflikt po ndodh në një rajon ku ndodhen vende të rëndësishme prodhuese të naftës,” shpjegon Moritz Krämer, ekspert i tregut të naftës në LBBW (Landesbank Baden-Württemberg). “Rreziku, i cili aktualisht është duke u diskutuar për tregtarë të shumtë, pyetja është nëse Izraeli mund të vendosë të hakmerret drejtpërdrejt kundër Iranit, duke pasur parasysh se ky vend besohet të jetë pas sulmeve të Hamasit.”

Në këtë rast, ky konflikt do të përhapej në të gjithë rajonin e Lindjes së Afërt dhe të Mesme. Bllokadat detare mund të pengojnë tregtinë përmes ngushticës së Hormuzit, e cila është pikërisht një nga arteriet më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Bllokada të tjera tregtare janë gjithashtu të mundshme, me qëllim të dobësimit të fuqisë tregtare të vendeve në fqinjësi të Izraelit. Kjo është pikërisht një nga arsyet pse vlera e obligacioneve të qeverisë së Jordanisë apo Egjiptit ra ndjeshëm në fillim të kësaj jave.

Varësia nga nafta e OPEC-ut?

Shumë tregtarëve me siguri iu kujtuan gjërat që kanë ndodhur 50 vjet më parë, kur OPEC mbylli rubinetin e naftës, duke provokuar kështu krizën globale të naftës. Edhe sot, një embargo e tillë është e imagjinueshme, por Moritz Krämer beson se nuk është një skenar i mundshëm në këtë situatë: “Në përgjithësi, kjo lëvizje do të godiste vendet eksportuese të naftës më shumë se klientët e tyre dhe embargoja do të ndikonte vetëm në vendet importuese që të rrisin përpjekjet e tyre për të reduktuar varësinë nga nafta”.

Për më tepër, sot bota është shumë më pak e varur nga nafta e OPEC-ut sesa gjysmë shekulli më parë. Ndërkohë, konkurrentë të fortë të anëtarëve të OPEC-ut janë edhe vende të tjera – vende si Norvegjia, Britania e Madhe apo SHBA, vende që sot kanë burime të mjaftueshme për sa i përket naftës.

Firmat gjermane përfitojnë nga ndihmat për palestinezët

Ajo që mbetet fakt është se territoret palestineze janë shumë të varura nga remitancat e huaja. BE, duke përfshirë Gjermaninë, ndërkohë kanë pezulluar dërgimin e ndihmës financiare (me përjashtim të ndihmës humanitare), një lëvizje që strategu financiar Chris-Oliver Schickentanz e sheh në mënyrë kritike. Ai vëren se kjo ndihmë duhet parë nga dy këndvështrime: “Nga njëra anë, paratë shkojnë edhe për terroristët”. Por në anën tjetër është popullata civile palestineze në nevojë, njerëz që kanë absolutisht nevojë për këto ndihma”.

Sipas deklaratave të veta, BE-ja ka qenë deri tani donatori më i madh në botë për territoret autonome palestineze. Në territoret palestineze, ndihma financiare evropiane përdorej kryesisht për financimin e projekteve të infrastrukturës, në të cilat punonin edhe kompanitë gjermane – kompani që, për rrjedhojë, fituan para në ato projekte. Prej kohësh dëgjohen kritika se paratë nga donacionet janë përdorur edhe për të ofruar ndihmë financiare për familjet e atyre palestinezëve që u vranë nga izraelitët./DW




a kercenon nje krize te re nafte

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts