Abdixhiku kritikon qeverinë për shtrenjtimin e energjisë: Ky është çmimi i paaftësisë, vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, pas paralajmërimeve për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Në një postim në Facebook, kreu i LDK-së shkruan se fajtor kryesor për këtë është Qeveria e Kosovës, e cila sipas tij, është vonuar në përgjigjen e saj ndaj krizës energjetike.

Sipas Abdixhikut, vendimet në lidhje me problemin e energjisë elektrike kanë qenë të vonshme dhe skandaloze.
“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjtim të energjisë. Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”, shkruan Abdixhiku.

Më tej, ai thotë se ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës.
“Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatë energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze – ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”, shkruan Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se paralajmërimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës do ta kundërshtojnë në seancën e së enjtes.
“Prandaj, paralajmërimin e sotëm skandaloz të Qeverisë, LDK do ta kundërshtojë këtë të enjte në seancë parlamentare. Presim që këtë vendim ta kundërshtojë çdo deputet i përgjegjshëm në Kuvend. Përtej kësaj, një dëm të tillë s’mund ta lejojmë e trajtojmë pa përgjegjësi”, shkruan Abdixhiku.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.