Abuzimi me tenderat e uniformave të policisë/ Myslim Murrizi tregon detajet dhe publikon shifrat: Ja sa kushtojnë veshjet. Me atë sasi edhe Armani ua kishte sjellë








Ish-deputeti Myslim Murrizi ka folur për tenderin abuziv të uniformave të policisë, tender i cili vuri në lëvizje SPAK-un, duke çuar në arrestimin e 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.

murrizi

I ftuar në emisionin “Frontline” në News24, Murrizi ka treguar abuzimet që janë bërë me çdo veshje të policëve, duke filluar nga këpucët, xhupat, pantallonat dhe rripat.

“Bluzë pambuku me tre kopsa, 30 mijë copë, 44 700 lekë bluza ose 40 euro. Bluzë pambuku me tre kopsa, me mëngë të shkurtra është 34 mijë lekë. Bluza pambuku tjetër, 21 mijë 600 lekë. Me të njëjtën bluzë, tre çmime. Me aq sasi dhe Armani ua kishte sjellë”, tha Murrizi.

Këto janë çmimet me të cilat janë blerë uniformat e policisë, sipas asaj që deklaroi Myslim Murrizi:

Xhupat – Janë blerë 13.500 copë me çmim 114 mijë lekë të vjetra secili

Këpucët – Janë blerë 14.200 palë me çmim 74 mijë lekë të vjetra secila, por të njëjtat këpucë janë blerë më herët me çmim 22 mijë lekë të vjetra

Këmishat – Janë blerë 10.000 këmisha me vlerë 36 mijë lekë secila, por e njëjta këmishë ëhstë blerë më herët për disa drejtuesë policie me çmim 5200 lekë të vjetra

Rripat – Janë blerë me çmim 26 mijë lekë të vjetra, por për drejtuesit e lartë rripi është blerë më herët me çmim 7800 lekë të vjetra

Pantallonat – Janë blerë pantallona, 3 modele që janë pothuajse të njëjta por me 3 çmime të ndryshme.

Pantallona doku për Policinë Rrugore – 46.800 lekë pala; Pantallona për Patrullën e Përgjithshme – 48.000 lekë pala; Pantallona për “Shqiponjat” – 36.000 lekë pala

Bluzat – Janë blerë 2 lloje bluzash pothuajse të njëjta por me 2 çmime të ndryshme, njëri model 47.400 lekë dhe tjetri 34.800 lekë. Por më herët bluzat e pambukut ishin blerë me çmim 21 mijë lekë

Tenderi me vlerë 25 milionë euro u fitua nga kompania “D&E”, por SPAK gjeti abuzime të shumta, pasi çmimet e kostumeve të policisë ishin disa herë më të larta se sa ato reale.

ARRESTIMET

9 zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan me urdhër të SPAK si të përfshirë në tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë.

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Edlira Naqellari, mbante detyrën e drejtoreshës së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme, e cila ka rreth 8 ditë që është shkarkuar nga Bledi Çuçi.

Sipas organit të akuzës, më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencisë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *