
19:40 21/08/2021
Shtete të ndryshme me qëndrime pro dhe kundër pritjes së njerëzve nga Afganistani
Edhe pse mijëra persona po mbajnë të rrethuara hyrjet në aeroportin e Kabulit ku dëgjohen të shtënat, një grup prej 31 personash, ish-punonjës të angazhuar në Afganistan, janë kthyer në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë që pritet që në aeroportin e Shkupit të mbërrijnë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut, të cilët janë evakuuar tashmë nga Afganistani dhe janë transit në vende si Katari apo Turqia.
Ndërkaq, Greqia dhe Turqia nuk kanë ndërmend të hapin dyert për një valë të re, këtë radhë refugjatësh afganë. Ata i kanë propozuar Brukselit që t’i ndihmojë afganët në Afganistan dhe shtetet fqinje, sidomos në Iran. Turqia po ndërton një mur betoni 3 metra të lartë të gjatë 241 kilometra në kufi me Iranin ndërsa dhjetëra refugjatë që janë larguar që prej disa javësh nga Afganistani, kanë filluar të shfaqen në zonën kufitare të Turqisë me Iranin.
Autoritet turke njoftuan se forcat e sigurisë në vend kanë parandaluar kalimin e mbi 69 mijë emigrantëve të parregullt, ndërsa kanë arrestuar 904 persona që dyshohet se kalonin refugjatë të paligjshëm në Turqi. Greqia ka përfunduar gardhit 40 kilometra të gjatë me Turqinë si dhe ka krijuar sistem vëzhgimi për të ndaluar hyrjen e azilkërkuesve.
Ndërkaq, ndërsa Turqia dhe Greqia janë në një mendje për të ndalur refugjatët afganë, Bahrejni ka thënë se do të hapë aeroportet për fluturimet që evakuojnë njerëzit nga Afganistani, derisa Emiratet e Bashkuara Arabe do të strehojnë përkohësisht 5,000 afganë, në një kohë që Shtetet e Bashkuara po përballen me hapësira të mbingarkuara me të evakuuar në Katar.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al