“Afro 2/3 e bashkive, janë ndarë sipas interesit të Ramës” – Bejko për reformën territoriale: Rriti koston për qytetarët, por jo cilësinë! Do ngremë grupin e punës të…








Sekretari për Decentralizimin dhe Pushtetin Vendor i Partisë demokratike, Roland Bejko njofton se nga java në vijim do të ngrihet një grup ekspertësh të cilët do të angazhohen në komisionin për reformën territoriale.

rolandbejko

Në një deklaratë për mediat, ai shprehet se reforma e kaluar, synoi simetri në ndarje të territorit, por në të kundërt, ajo prodhoi asimetri demokrafike.

Bejko akuzon kryeministrin Rama se ka ndarë afërsisht dy të tretat e bashkive sipas interesit të tij elektoral dhe politik.

“Synoi simetri në ndarjen  e territorit. Por, prodhoi asimetri demografike, ekonomike me kufijtë e bashkive. Në Veri amalgamim, në Jug fragmentarizim (Gati dy të tretat e bashkive janë ndarë sipas interesit elektoral dhe politik të Kryeministrit Rama dhe partisë së tij.)  U shkelën detyrimet kushtetuese dhe kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, traditat historike administrative te zonave, etj” – tha Bejko.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR DECENTRALIZIMIN DHE PUSHTETIN VENDOR, ROLAND BEJKO

Me iniciativën dhe pas kërkesës së shtatë deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare të datës 10 shkurt 2022, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale me një mandat gjashtë mujor të veprimtarisë së tij me objekt rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale të miratuar më 2014-ën në mënyrë të njëanshme nga koalicioni PS-LSI.

Partia Demokratike e ndërmori këtë iniciativë për rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale mbështetur mbi reagimet e shumta të qytetarëve, raporteve të organizatave jofitimprurëse dhe botës akademike, raporteve të organizatave dhe institucioneve të huaja si Kongresi i Autoriteteve Lokale i KE-së, konkluzioneve të raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, progres raporteve vjetore të BE-së, rekomandimeve të donatorëve të huaj në Shqipëri që të gjitha së bashku bien dakord se Reforma Administrativo-Territoriale dhe ligji për Vetëqeverisjen Vendore kanë nevojë urgjente për një analizë dhe rishikim të thelluar.

Pavarësisht se Reforma Administrative-Territoriale ishte e domosdoshme, ajo nuk ka reflektuar plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore.
Kjo Reformë në zanafillën e vet:

1. Synoi thellimin e decentralizimit. Por, koha tregoi se e thelloi edhe më shumë centralizimin. U rrit varësia dhe kontrolli nga qeveria qëndrore.

2. Synoi Subsidaritetin. Por e largoi edhe më shumë qytetarin nga pushteti dhe vendimmarrja.

3. Synoi vetëqeverisje lokale. Por, kryetarët e bashkive, nga njëra anë kanë më shumë përgjegjësi, por nga ana tjetër, kanë më pak kompetenca. (Për shërbimet e deleguara, vendosin ministritë)

4. Synoi decentralizimin fiskal. Por legjislacioni i ri (konkretisht Ligji “Për Financat Vendore” dhe Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”) nuk është harmonizuar me ligje te tjera ne vazhdim. Legjislacioni i ri nuk ka sjellë rritje të buxhetit të bashkive që ishte thelbi i decentralizimit. Niveli është pak a shumë i njëjtë si para reformës territoriale- administrative, pra nga buxheti qendror alokohet jo më pak se 1% e GDP-së që është niveli më i ulët rajonal.

5. Synoi simetri në ndarjen e territorit. Por, prodhoi asimetri demografike, ekonomike me kufijtë e bashkive. Në Veri amalgamim, në Jug fragmentarizim (Gati dy të tretat e bashkive janë ndarë sipas interesit elektoral dhe politik të Kryeministrit Rama dhe partisë së tij.)
U shkelën detyrimet kushtetuese dhe kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, traditat historike administrative te zonave, etj.

6. Synoi demokraci lokale, transparencë, referendume etj. Por, i ka penguar me ligj referendumet lokale. Kjo është shkelje e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.

7. Shkrirja e komunave do sillte ulje te shpenzimeve duke reduktuar numrin e punonjësve. Por ky veprim e çoi nr. e tyre në gati 60 mijë, nga 22 mijë që ishte në 2015. Nr. i lartë i punonjësve rëndon buxhetin e bashkive. Gati 65-70% e grantit shkon për paga e shpenzime, rreth 30 % për investime. Reforma rriti koston për qytetarët, por jo cilësinë e shërbimeve.

8. Me bashkitë e mëdha synoi zhvillim ekonomik, bujqësor, barazi dhe cilësi në ofrimin e shërbimeve ne qytet, deri ne zonat me te thella të territorit të saj. Por, në fakt, pushteti vendor e ka përqendruar gjithë vëmendjen e saj kryesisht në qendra qytetesh. Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët e zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore. Këto politika të gabuara kanë nxitur braktisjen e fshatit, por edhe të ish periferive urbane me industri te falimentuar.

Ndaj, me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë përfaqësuesve të saj në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Partia Demokratike e Shqipërisë i bën me dije opinionit publik se brenda pak ditëve merr formë dhe fillon nga veprimtaria një grup pune me ekspertët më të mirë që ajo ka në fushën e qeverisjes vendore, duke kapitalizuar përvojën më të mirë të ish drejtuesve të pushtetit vendor në vite, dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile e botës akademike, do të nisë një tur bashkëbisedimesh në të gjitha qarqet e vendit për të marrë prej qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit gjithë mendimet e vlefshme mbi korrigjimin e gjithçkaje që ka shkuar keq në zbatimin e Reformës Administrativo-Territoriale me synimin e vetëm, jo vetëm të përmirësimit të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve në vetëqeverisjen vendore, por ç ‘është më e rëndësishmja, edhe për thellimin e mëtejshëm të decentralizimit dhe demokracisë vendore në përputhje të plotë me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale.

Partia Demokratike e Shqipërisë është e bindur se reformat e mëdha, për të qenë të qëndrueshme në kohë dhe efikase në qëllimet e tyre, kanë nevojë për dialogun politik, kuvendimin publik dhe konsensusin e gjerë politik, në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve, frymës së Kushtetutës së vendit dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe veçanërisht ato të BE-së ku synojmë të antarësohemi si një vend demokratik dhe me ekonomi të zhvilluar.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.