Agjentët imobiliarë do ‘spiunojnë’ pastrimin e parave! Ministri i Drejtësisë merr në kontroll edhe ndërmjetësuesit e pasurive








MARIGLEN KUME/ Komisioni i Ligjeve miratoi dje vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës një projektligj të ri që detyron agjentët imobiliarë të “spiunojnë” te Ministria e Drejtësisë rastet kur dyshojnë se klientët e tyre po pastrojnë paratë.

pastrimi i parave

“Raporton çdo dyshim që ka për rastet kur e di apo dyshon se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet, pastrimi i produkteve të veprës penale apo financimi i terrorizmit si dhe çdo rast tjetër, për të cilin ka detyrimin për të raportuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, thuhet në pikën 3 të nenit 19 të projektligjit. Po ashtu, projektligji parashikon që certifikatën e ndërmjetësuesit e jep ministri i Drejtësisë.

Ndërsa një komision me shumicë anëtarë të Ministrisë së Drejtësisë vendos edhe masa ndëshkimore dhe pezullime të certifikatës në raste shkeljesh. Në vijim projektligji parashikon që edhe agjentët imobiliarë, njësoj si noterët, do të kenë një regjistër për të shënuar çdo kontratë të përfunduar. Regjistrin në fund e administron Ministria e Drejtësisë.

Ky projektligj u prezantua dje në Komisionin e Ligjeve nga zëvendësministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni. Kjo e fundit tha se projektligji është në vazhdën e veprimeve të qeverisë për të luftuar përpjekjet për pastrimin e parave, ndonëse tha se agjentët imobiliarë në vend ose siç përshkruhen në projektligj, ndërmjetësuesit, kryejnë vetëm 10% të transaksioneve në treg. Nga këto transaksione vetëm 8% kanë pasur dyshim për pastrim parash.

“Kjo nismë ligjore vjen në vazhdën e plotësimit të angazhimeve në nivel të lartë politik që ka ndërmarrë Shqipëria për të zbatuar rekomandimet e taskforcës për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL. Raporti MER 2018 ka cilësuar sektorin e pasurive të paluajtshme me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Gjithashtu, në raportet e vlerësimit të ICRG është ritheksuar në mënyrë të vazhdueshme nevoja për një kuadër ligjor që mundëson parandalimin e depërtimit të elementeve kriminale përgjatë të gjithë zinxhirit të kryerjes së transaksioneve mbi pasuritë e paluajtshme, përfshirë këtu edhe rregullimin e rolit të ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme”, tha Pirdeni.

KUNDËRSHTIMI

Deputetët e Partisë Demokratike u shprehën kundër këtij projektligji. Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, në fjalën e saj tha se projektligji thjesht është në shërbim të ministrit të Drejtësisë dhe nuk sjell asnjë të mirë publike.

“Është një projektligj në shërbim të ministrit të Drejtësisë. Kjo është një tallje e madhe. Nuk i shërben së mirës publike. Por një justifikim që t’u mbyllet goja dhe sytë moneyval e institucioneve të tjera që monitorojnë pastrimin e parave. Të vendosësh në lëvizje Parlamentin, Kuvendin, vetëm për 200 raste ku siç e thatë u përbëjnë 8% të transaksioneve kjo është një tallje”, tha Çupi.

Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi akuzoi maxhorancën se nuk bën një bilanc se cilat mund të jenë kostot që sjell te biznesi ky ligj. “Po shtojmë rregulla dhe harrojmë se invadojmë hapësirën e lirisë private të individëve në të bërit biznes. A keni bërë ju një vlerësim se çfarë kostosh i sjell ky ligj individëve? Përveçse përballen te noteri, ata do përballen edhe te ndërmjetësuesi. A keni llogaritur ju se kjo do çojë në ngritjen e mëtejshme të tregut imobiliar. A është kjo mënyra për të goditur mafien, se kemi edhe ligjin antimafia.

Mendoni ju se ky lloj rrjeti do përballojë stuhinë e mafies që është e kamur tani në para. Agjencitë imobiliare kryejnë veprimet në vetëm të 10% të tregut. Mendoni se me këto ligje do t’i japin zgjidhje parandalimit të pastrimit të parave”, tha Bylykbashi. Por, nga ana tjetër, kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, u shpreh se projektligji është diskutuar me palët e interesit dhe nuk ka hasur kundërshtime. “Ligji ka kaluar rregullat procedurale. Është konsultuar dhe janë marrë mendimet te grupet e interesit. Ligji rregullon vetëm një nga aspektet e luftës kundër pastrimit të parave”, tha Bushka.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.