“Ai regjim ka qenë kriminal”- Jonila Godole zbulon arsyen pse pranoi të drejtojë Sekretariatin për të Përndjekurit Politikë në PD: Do mundohem të kemi transparencë dhe kërkim faljesh reale





Studiuesja Jonila Godole ka folur për herë të parë për marrjen e postit si drejtuese e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë në Partinë Demokratike. Duke folur për News24, Godole theksoi se ky është një angazhim vullnetar lidhur me kauzën e zbardhjes së krimeve të komunizmit.

Jonila_Godole

Studiuesja theksoi se vendosi që këtë angazhim ta bëjë në Partinë Demokratike, pasi sipas saj, me gjithë gabimet që mund të ketë kjo parti, është e vetmja që ka ngritur zërin për krimet e komunizmit dhe ka pranuar qartë e prerë që ai regjim ishte kriminal.

“Më pyetën nëse mund ta shihja veten time aty, që të vazhdoj rolin që kam pasur në këtë temë, zbardhjen e krimeve të komunizmit, kështu që për mua është një angazhim vullnetar. Thjesht ata e kërkuan mbase një këshillë prej meje, se si mund ta trajtojnë këtë temë mjaft delikate dhe me përgjegjësi.

Unë kam folur se çfarë mund të ishte bërë më mirë në këtë drejtim. Kam qenë shpesh mjaft kritike. Nuk e di nëse është një person i vetëm që më ka zgjedhur, besoj se do të ketë pasur një këshillim në lidershipin e PD. Dikush do ma bënte propozimin dhe siç ndodh rëndom këtu që propozimi vjen nga lidershipi. Unë nuk kam pasur njohje personale me z. Basha dhe nuk kam pasur lidhje as me PD. Unë kam një angazhim vullnetar në krye të këtij Sekretariati për të parë se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim dhe në këtë kauzë, që ka shumë për të bërë edhe pas 30 vitesh.

Duhet thënë që PD pati nisma të mira në vitet e para të demokracisë, por gjithçka ndryshoi më 1997 me rikthimin e socialistëve në pushtet. Të gjithë ata që u dënuan atëherë, akuzat ndaj tyre ranë poshtë më 1997 dhe ata u shpallën të pafajshëm. Pas asaj unë kam parë më shumë regres në këtë kauzë. Ka ende shumë gjëra për të bërë, si rehabilitimi i plotë i ish të përndjekurve apo kompensimi i tyre.

Kompensimi i tyre ka nisur me PD më 1990, u ndërpre gjatë gjithë kohës së PS, nga 1997 më 2005, kur PD u rikthye sërish në pushtet, ndaj dhe nuk është e vërtetë ajo që tha z. Rama dje.

Roli im është mjaft delikat dhe i rëndësishëm për të arë se çfarë është bërë, çfarë duhet bërë, çfarë nuk është bërë mirë. Nuk mund të vazhdojë më politika shqiptare t’i trajtojë të përndjekurit si barrë, por duhet t’iu rikthejë atyre dinjitetin.

Ky është një angazhim vullnetar. Ky ka qenë një kusht i rëndësishëm për mua, që ky është angazhim vullnetar. Unë jam pedagoge në UT, do vazhdoj të drejtojë Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, dhe ky është angazhim vullnetar. Unë nuk jam e punësuar, s’kam zyrë timen, prandaj unë e quaj si një këshilltare e një force politike. Nuk do më dukej e logjikshme të më kërkonte mua mendim PS, kur nuk ka pasur asnjëherë interes për këtë kauzë.

PD, me gjithë gabimet që mund të ketë bërë, ka ish të përndjekur politikë si trupin më të fortë të votuesve, ndaj m’u duk normale që ata të vinin tek unë dhe jo PS. Unë kam qenë e goditur, e anatemuar nga PS në këtë fushë. Unë do të kem mundësi, me grupin e punës, me të rinj që do më bashkohen, me ish të përndjekur politikë në gjithë Shqipërinë, si të ngre një strukturë.

Me gjithë mbështetjen e tyre do shohim si të ndikojmë te grupi parlamentar i PD, që kjo kauzë të ngrihet në Parlament. Për mua ballafaqimi me të shkuarën, është një kauzë që duhet të jetë përtej partive. Shpresoj që të gjendet gjuha e përbashkët, që disa gjëra t’i zgjidhim përtej dallimeve politike.

PD mbështetet nga një pjesë e madhe e shqiptarëve dhe kjo është gjëja që më intereson për kauzën time. Nuk është një parti në ajër. Unë shpresoj shumë që PD të ekzistojë, çfarëdo që të ndodhë. Emrat ikin e vijnë, por ajo që mbetet është PD, partia që luftoi e solli e para demokracinë në Shqipëri. Unë besoj se PD, nëse synon të vijë në pushtet, duhet të jetë e pakompromis në ecjen përpara, nuk ka zgjidhje tjetër. Patjetër që duhet të vazhdojë të demokratizohet. PD e ka shumë të nevojshme të shohë kush janë mekanizmat e saj që të ngjallë besimin”, tha Godole.

E pyetur nëse është pjesë e demokratizimit të partisë edhe vendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha për të qenë në parlament, ndonëse është shpallur ‘non grata’ nga SHBA, Godole deklaroi se:

“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund.

Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur.

Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet. Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e tyre. Sa i përket kauzës së të përndjekurve politikë, për fat të keq nuk ka një forcë tjetër politike këtu, përveç PD, që të jetë shprehur hapur dhe qartë se ai regjim ka qenë kriminal.

Ai regjim ka qenë kriminal. Unë do mundohem që në pak vite të arrijmë të kemi një lloj paqeje, të kemi një transparencë të plotë për krimet e komunizmit dhe një kërkim faljeje reale”./Balkanweb

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *