Aktivistët kërkojnë angazhime konkrete nga samiti i Shtëpisë së Bardhë për demokracinë

13:00 06/12/2021

Udhëheqësit e mbi 100 vendeve do të mblidhen javën e ardhshme në një Samit virtual për Demokracinë të organizuar nga administrata e Presidentit Joe Biden. Grupet e fokusuara tek të drejtat e njeriut dhe shoqëria civile thonë se duan të shohin angazhime konkrete për t’iu kundërvënë autoritarizmit në rritje, dhe që Shtetet e Bashkuara të pranojnë se kanë shumë për të bërë për të mbrojtur institucionet e tyre demokratike.

Sipas Departamentit të Shtetit, takimi që do të zhvillohet gjatë datave 9-10 dhjetor do të përqëndrohet tek tre tema: mbrojtja nga autoritarizmi, diskutimi për korrupsionin dhe luftën ndaj tij, si dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Takimi është në kuadrin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të afirmuar rolin e saj në skenën botërore si një udhëheqëse e vendeve demokratike. Kjo reflekton moton e Presidentit Biden se “Amerika është rikthyer”, pas katër vitesh të administratës së ish-Presidentit Donald Trump, gjatë së cilës vendi përgjithësisht iu largua rolit udhëheqës në skenën ndërkombëtare.

Administrata e Presidentit Biden po punon që t’i vendosë Shtetet e Bashkuara në pozitat e kampionit të vendeve demokratike, përballë qeverive agresive autoritare në mbarë botën, në veçanti përkundër Kinës dhe Rusisë.

Megjithatë, samiti vjen në një moment kur institucionet demokratike në Shtetet e Bashkuara janë duke u sulmuar. Situata ndërlikohet edhe më tej për shkak të disa vendeve të ftuara për të marrë pjesë në samit, vende për të cilat grupet e të drejtave të njeriut thonë se po anojnë drejt autoritarizmit, si India, Filipinet dhe Polonia.

“Dobësimi i demokracisë është një fakt”

“Dëmi që i është bërë demokracisë sonë gjatë 10 viteve të fundit, dhe në veçanti në pesë vitet e fundit, është ndjerë në çdo rajon të botës. Dobësimi i demokracisë është një fakt”, i tha Zërit të Amerikës Helena Hofbauer Balmori, drejtore e programit ndërkombëtar për angazhimin qytetar dhe qeverisjen në Fondacionin Ford, një organizatë filantropike që synon të mbështesë drejtësinë sociale.

Ajo thotë se samiti duhet të analizojë fenomenin që ajo e quan “ngushtimi i hapësirës qytetare”. Takimi duhet të shërbejë si një “deklaratë e fortë për vlerat dhe praktikat demokratike, si dhe të drejtat themelore që i shoqërojnë, si e liria e fjalës, e drejta për t’u organizuar dhe liria e tubimit, të cilat janë thelbësore që një shoqëri civile të luajë rolin e saj brenda çdo qeverisjeje”.

“Demokracia elektorale fatkeqësisht nuk mjafton”, thotë zonja Balmori. “Duhet të krijojmë hapësirat kur qytetarët të luajnë një rol dhe të angazhohen për të ndihmuar për zgjidhjen e problemeve komplekse”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në vështirësi

Në prag të samitit, organizata jofitimprurëse që punon për demokracinë, Freedom House, publikoi një vlerësim me sistem pikësh për nivelin e lirisë në vendet e ndryshme që do të marrin pjesë në samit, duke nxjerrë në pah se shumë prej tyre kanë mangësi domethënëse për sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të vetë qytetarëve të tyre.

“Do të donim të shihnim të shprehur qartë se qeveritë janë të gatshme të përballen me sfidat që kanë në vendet e tyre, dhe t’i dalin për zot kësaj situate si pjesë e procesit të tyre demokratik”, i tha Zërit të Amerikës Nicole Bibbins Sedaca, zv.presidente ekzekutive në Freedom House.

Ajo thotë se organizata Freedom House do të dëshironte që vendet pjesëmarrëse në samit të dalin me një deklaratë të përbashkët në mbështetje “të mbrojtësve të të drejtave të njeriut” në mbarë botën, të cilët ajo thotë se gjenden “në vështirësi të jashtëzakonshme”.

“Këta janë gazetarët, aktivistët, njerëzit që punojnë për të drejtat e njeriut (organizata joqeveritare), grupet e grave, udhëheqësit fetarë, që përpiqen të nxisin të drejtat e njeriut në vendet e tyre”, thotë ajo. “Ata po burgosen, po arrestohen, po përndiqen dhe në disa raste po vriten nga regjimet autoritare”.

Ajo thotë gjithashtu se vendet e botës demokratike duhet të dënojnë bashkarisht praktikën gjithnjë e në rritje të “represionit transnacional”, kur qeveritë autoritare shtrijnë aktivitetin përtej kufijve të vendit të tyre, për t’u mbyllur gojën aktivistëve që gjenden në vende të tjera. Ajo përmend akuzat për përfshirjen e Arabisë Saudite në vrasjen në Turqi të gazetarit Jamal Khashoggi.

Një shembull i komplikuar

Disa prej vëzhguesve e shohin si ironik faktin që Shtetet e Bashkuara po organizojnë një samit për demokracinë, ndërkohë që disa organizata, ndër të cilat edhe grupi studimor The Economist Intelligence Unit si dhe Instituti Ndërkombëtar për Demokracinë dhe Asistencën Elektorale (IDEA), me seli në Stokholm, kanë vënë rishtazi në dukje rënien e angazhimit amerikan ndaj vlerave demokratike.

IDEA i radhiti këtij muaj Shtetet e Bashkuara në listën e “demokracive në rënie”, duke përmendur rregullat shtrënguese për votimin, ndryshimin e zonave zgjedhore në favor të një partie politike, si dhe pretendimet e vazhdueshme dhe të pashoqëruara me evidencë nga anëtarë të Partisë Republikane se zgjedhjet më të fundit presidenciale ishin të paligjshme.

“Ideja që Shtetet e Bashkuara po mbledhin demokracitë e botës për të folur për demokracinë, ngre pikëpyetjen nëse duhet të jenë Shtetet e Bashkuara në udhëheqjen e diçkaje të tillë”, i tha Zërit të Amerikës Eric Bjorklund, president i Democracy International, një grup që nxit llogaridhënien e qeverisë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Kjo pasi tashmë gjendemi në një situatë kur një pjesë domethënëse e njërës prej partive tona politike nuk duket se beson tek demokracia dhe është e gatshme të përpiqet të përmbysë zgjedhjet”.

Jo vetëm fjalë

Një shpresë e përbashkët e organizatave të të drejtave të njeriut dhe grupeve të shoqërisë civile është se samiti do të bëjë më shumë se thjesht t’u ofrojë udhëheqësve mundësinë për të folur në favor të vlerave demokratike, pa i mbajtur ata përgjegjës për vënien e tyre në jetë.

“Mendojmë se samiti duhet të jetë një forum sinqeriteti, përulësie dhe angazhimi real për të punuar për problemet e të drejtave të njeriut me të cilat përballen vendet në mbarë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë për Zërin e Amerikës Joanne Lin, drejtore për aktivizmin dhe marrëdhëniet me qeverinë në degën në Shtetet e Bashkuara të organizatës Amnesty International.

“A do të shërbejë samiti si fillimi i një angazhimi dhe sfide domethënëse shumëpalëshe, apo do të jetë më tepër vetëm një aktivitet që mbledh qeveritë virtualisht, por që nuk pasohet nga ndonjë llogaridhënie domethënëse”, thotë ajo.

Zonja Balmori e Fondacionit Ford bie dakort. Ajo thotë se “sfida madhore është që të dilet me disa mekanizma që do të mundësojnë llogaridhënien e qeverive për sa i përket angazhimeve që ndërmarrin, si dhe të sigurohet që brenda këtyre mekanizmave të përfshihen vende, qeveri dhe shoqëri civile që mund të ndihmojnë në arritjen e aspiratave më të mira”./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.