
10:22 03/11/2022
Ekspertët ngrenë alarmin se nëse qeveritë nuk marrin masa shkrirja do të çojë në erozion dhe rrezik të lartë të çmimeve
Disa nga akullnajat më të famshme në botë, duke përfshirë në Dolomitet në Itali, parqet Yosemite dhe Yellowstone në Shtetet e Bashkuara dhe mali Kilimanjaro në Tanzani do të zhduken deri në vitin 2050 për shkak të ngrohjes globale.
Një e treta e akullnajave të cilat janë të përfshira në listën e UNESCO-S, do të shkrihen brenda tre dekadave. Ata do të humbasin masën e tyre pavarësisht nga veprimet e shumë qeverive të cilat synojnë të kalojnë drejt energjisë së gjelbër.
Raporti, i cili bën parashikime bazuar në të dhënat satelitore, vjen ndërsa liderët botërorë përgatiten të takohen në Egjipt për konferencën e javës së ardhshme për ndryshimet klimatike COP27. Rreth 18,600 akullnaja janë identifikuar në 50 vende të Trashëgimisë Botërore të OKB-së.
Ato përfaqësojnë pothuajse 10% të akullnajave të Tokës dhe përfshijnë pika të njohura turistike dhe vende të shenjta për popullsinë lokale. Shkrirja dhe zhdukja e akullnajave janë “ndër provat më dramatike se klima e Tokës po ngrohet”, thuhet në raport.
“Çdo vit, akullnajat po humbasin 58 miliardë ton akull. Kjo përfaqëson ujin e konsumuar mbi një vit në Francë dhe Spanjë dhe gjithashtu përfaqëson rreth pesë për qind të rritjes së nivelit global të detit. Unë do të thoja se kjo është veçanërisht alarmante sepse rreziqet janë të shumëfishta. Kjo mund të çojë në erozionin e bregdetit për shembull, por edhe një rrezik më të lartë të cikloneve, stuhive dhe cunameve”, Tales Carvalho.
Dy të tretat e mbetura të akullnajave në vendet e Trashëgimisë Botërore të OKB-së mund të shpëtohen, por vetëm nëse bota e kufizon ngrohjen globale në 1.5C, thonë autorët. Shumë njerëz gjithashtu varen nga akullnajat për të marrë ujë për përdorim shtëpiak dhe bujqësi, dhe humbja e tyre mund të çojë në mungesë të ujit gjatë stinëve të thata.
Komunitetet lokale dhe njerëzit indigjenë do të mbajnë peshën kryesore dhe rrezikohen më shumë nga përmbytjet të shkaktuara nga humbja e akullnajave.
Klan News