Alarmi nga ndryshimet klimatike/ Globi regjistron vitin e gjashtë më të nxehtë

2021 ishte viti i gjashtë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në planetin tonë, sipas disa studimeve për matjen e temperaturës që u publikuan të enjten.

Shkencëtarët thonë se viti jashtëzakonisht i nxehtë është pjesë e një tendence afatgjatë dhe se tregon shenja përshpejtimi.

Dy agjenci shkencore amerikane, NASA dhe Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), si dhe një grup privat për matjen e temperaturave, publikuan të enjten përllogaritjet e tyre për temperaturën globale të vitit të kaluar dhe thanë se nuk ishte larg viteve 2016 dhe 2020 që shënuan temperatura shumë të nxehta.

Gjashtë llogaritje të ndryshme dolën në përfundimin se viti 2021 ishte midis vitit të pestë dhe të shtatë më të nxehtë që nga fundi i viteve 1800. NASA tha se vitet 2021 dhe 2018 radhiteshin në vendin e gjashtë për nga nxehtësia, ndërsa NOAA thotë se viti i kaluar ishte më i nxhetë se viti 2018.

Shkencëtarët thonë se “La Nina”, fenomeni natyror që ftoh pjesët qendrore të Paqësorit dhe ndryshon strukturat e motit në shkallë globale duke qarkulluar ujin e ftohtë nga thellësia e oqeanit, uli temperaturat globale, sikurse fenomeni i kundërt “El Nino” i rriti temperaturat në vitin 2016.

Megjithatë, thanë ata, 2021 ishte viti më i nxehtë në histori nën fenomenin “La Nina” dhe se viti nuk përfaqësonte një ulje temperature të shkaktuar nga njeriu, por kishte të njëjtën nxehtësi.

Shkencëtari Zeke Hausfather, me grupin e monitorimit “ Berkeley Earth” që gjithashtu e radhiti vitin 2021 në vendin e gjashtë për nga nxehtësia, tha se kjo është një tendencë afatgjatë e rritjes së pathyeshme të temperaturave.

Gavin Schmidt, shkencëtar i klimës që drejton ekipin e NASA-s për vëzhgimin e temperaturës, tha se “tendenca afatgjatë është shumë, shumë e qartë. Kjo po ndodh nga dora e njeriut. Gjërat nuk do të ndryshojnë derisa njerëzimi të ndalojë shtimin e sasisë së dioksidit të karbonit në atmosferë.”

Të dhënat nga NASA dhe NOAA dalin në përfundimin se tetë vitet e fundit kanë qenë tetë vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë. Sipas të dhënave nga të dy agjencitë e qeverisë amerikane, temperaturat globale janë afro 1.1 gradë Celsius më të nxehta se 140 vjet më parë.

Matjet e tjera të vitit 2021 erdhën nga Agjencia Meteorologjike Japoneze dhe matjet satelitore nga Shërbimi Copernicus i Ndryshimeve Klimatike në Evropë dhe Universiteti i Alabamës në Huntsville.

Temperatura mesatare globale vitin e kaluar ishte 14.7 gradë Celsius, sipas agjencisë amerikane NOAA.

Në vitin 1988, shkencëtari kryesor i atëhershëm i NASA-s për klimën, James Hansen, bëri bujë në media ndërsa dëshmoi para Kongresit amerikan mbi ngrohjen globale, në një vit që ishte më i nxehti i regjistruar në atë kohë. Aktualisht, viti 1988 radhitet në vendin e 28 për nga nxehtësia.

Vitin e kaluar, 1.8 miliardë njerëz në 25 vende të Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, shënuan vitin më të nxehtë ndonjëherë, përfshirë Kinën, Nigerinë, Bangladeshin, Iranin, Mianmarin dhe Korenë e Jugut, sipas organizatës “Berkeley Earth”.

Hera e fundit që Toka kishte një vit më të freskët se normalisht, sipas përllogaritjeve nga NOAA ose NASA, ishte viti 1976. Çfarë do të thotë se 69% e njerëzve në planet – më shumë se 5 miliardë njerëz nën moshën 45 vjeç – nuk e kanë përjetuar kurrë një vit të tillë, bazuar në të dhënat e Kombeve të Bashkuara ./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.