Aleatët e vegjël të PD kërkojnë të dalin me kandidatë të përbashkët, Duka: Kemi pasur ftesë nga Berisha, nga Basha ende jo!








MARIGLEN KUME/ Pas kryetarit të LZHK-së, Dashamir Shehit, idesë për të krijuar një pol opozitar për të nxjerrë kandidatë të përbashkët në 6 bashki i shtohet edhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

aGronduka

Në një intervistë për gazetën “Panorama” Duka u shpreh se partia që ai drejton ka vendosur që të jetë aktor në zgjedhje, por duke qenë se afati është i shkurtër, për ta kandidimi më vete është aventurë e pamundur.

Ndaj ai shprehet i gatshëm që të japë kontributin e vetë në koalicion.

“Ne kemi bërë një takim me kryesinë e PAA-së dje pasdite dhe varianti për të dalë me siglën tonë na duket pak sa aventuresk. Një parti e vogël si e jona nuk është gati që të nxjerrë kandidatura kaq shpejt. Edhe dekreti i Presidentit ishte në një kohë shumë të kufizuar. Ne do jemi aktorë në zgjedhje me opozitën. Në një situatë të tillë ku PD-ja hynë e përçarë, natyrisht nuk janë shumë pozita komode për ne se kë do mbështesim. Do ishte mirë që të dilnim me një kandidaturë. Ne sugjerojmë që të dalim me një kandidaturë të përbashkët. Kjo do mundësonte që të fitonim ndonjë nga bashkitë. Nëse hyjmë të përçarë, mundësitë janë jo të pamundura, por janë më pak të mundshme”, tha Duka.

Ai konfirmon se deri më tani ka pasur një takim me ish-Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa nuk është kontaktuar ende nga kryedemokrati Basha për zgjedhjet lokale. Megjithatë, shprehet se në takimin me liderin historik të PD-së nuk ka konkluduar në vendimmarrje.

“Me z. Basha nuk jemi takuar, s’kemi asnjë lloj ftese. Gjasat janë se nuk do të ketë takim, sepse për një javë fillojnë regjistrimet. Ndërsa nga z. Berisha kemi pasur. Unë e kam takuar z. Berisha. Nuk kam konkluduar në asnjë lloj vendimi. Ka qenë një takim informal për t’u konsultuar ndërmjet nesh. Unë kam shprehur mendimet që kandidimi së bashku do ishte më i mirë. Ndërsa Berisha ka thënë ato që janë publikisht”, vijoi Duka.

POZICIONIMI

Aleatët e PD-së tregohen të kujdesshëm që të mos pozicionohen me asnjë palë në përplasjen Basha-Berisha. Duka e krahasoi atë si një përplasje mes dy vëllezërve, të cilët pasi gjejnë gjuhën e përbashkët pajtohen, ndërsa roli i tyre është ndryshe.

Ndaj Duka, njësoj si Shehi, sugjeron që të gjendet gjuha e përbashkët për të dalë me një kandidaturë të përbashkët.

“Unë mendoj që bërja palë me një grup apo tjetrin, ndihmon përçarjen. Ne kemi vendosim që të mbështesim kandidaturën që duket më e përshtatshmja për një bashki të caktuar. Ky mund të jetë i një grupi apo një grupi tjetër. Bërja koalicion me Bashën që në fakt nuk kemi një kërkesë, por edhe nëse do të kishim. Edhe me Berishën që e kemi një ftesë, nuk mendoj se do i ndihmonim bashkimit. Ne mendojmë se nuk ndihmojmë se hymë në mes një grupi të tërë që sot gjenden të ndarë.

Për të marrë një krahasim kjo situatë është sikur zihen dy vëllezër që janë ortak në biznes. Ata zihen për një mosdakordësi të momentit. Por nesër, ata mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët. Vëllezërit pajtohen, por ne ku mbetemi pastaj. Kështu që unë mendoj që propozimi i Dashamir Shehit për një kandidaturë të përbashkët, të sheshojmë sherret do ishte propozimi më i përshtatshëm.

Nëse dilet me kandidaturë të përbashkët, duke marrë parasysh konsumin e Ramës probabiliteti për të fituar është shumë i madh. Dalja me dy kandidatura nuk besoj që jep mundësi më shumë për të fituar bashki të ndryshme, madje vendos në pikëpyetje edhe bashki që kanë qenë tradicionalisht të djathta”, u shpreh Duka më tej në intervistën e tij.

Sakaq, gazeta “Panorama” mësoi se kryedemokrati Basha ka nisur komunikimet me bazën për të gjetur një emër që maksimalizon votat.

Ndërkohë që pritet që të ketë takime edhe me disa prej aleatëve. Ajo që është e qartë deri më tani është fakti se PD-ja dhe LSIja nuk janë më në aleancë me njëra-tjetrën, si para zgjedhjeve të 25 prillit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.