Analistët vlerësojnë tërheqjen nga Afganistani, kritikojnë ekzekutimin

23:58 17/08/2021

Analistët në Shtetet e Bashkuara thonë se tërheqja nga Afghanistani ishte vendimi i duhur, por kritikuan mënyrën se si po realizohet ajo. Ndërsa Presidenti Biden fajësoi forcat afgane që e dorëzuan pothuajse pa luftë vendin, ekspertët thonë se administrata duhet të ishte përgatitur për çdo skenar. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, një nga shqetësimet kryesore është siguria e afganëve që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara.

Studiuesi i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Charles Kupchan, thotë se Presidenti Biden përballej me një sfidë shumë të vështirë, daljen nga një luftë e pasuksesshme.

“Sipas mendimit tim është gjykimi i duhur sepse siç tha zoti Biden, nuk ka prova se gjashtë muaj të tjerë, një vit tjetër ose dy vjet të tjerë do ta kishin ndryshuar rezultatin”, i tha ai shërbimit shqip të Zërit të Amerikës.

Sipas zotit Kupchan, fakti që qeveria afgane ra aq shpejt dhe Talebanët morën kontrollin tregoi se misioni nuk po funksiononte. Por ai e pranon që ekzekutimi i tërheqjes linte për të dëshiruar. Analistë të tjerë, janë edhe më të drejtpërdrejtë.

“Është e qartë se zoti Biden e pranoi se menaxhimi i kësaj situate ishte katastrofik dhe kjo do të jetë një goditje me të cilën ai do të duhet të përballet ”, i tha shërbimit Urdu të Zërit të Amerikës, David Des Roches, profesor në Qendrën për Studime Sigurie të Lindjes së Afërme dhe Azisë Jugore.

Douglas Lute,Gjeneral në pension dhe ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO tha se ishte gabim i madh tërheqja e ushtrisë, duke lënë pas komunitetin diplomatik dhe civil si edhe afganët që kishin punuar me amerikanët.

“Sepse kur talebanët u përhapën në gjithë vendin, kjo popullsi civile mbeti veçanërisht e pambrojtur, kështu që unë do të kisha preferuar të shihja një tërheqje më të rregullt dhe të përgjegjshme, duke i dhënë përparësi civilëve dhe në fund largimit të ushtrisë”, tha ai për shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës.

Zoti Lute dhe zoti Kupchan bien dakord se ndërsa misioni anti-terrorizëm i Shteteve të Bashkuara në Afanistan ishte realizuar në masë të madhe, ai i shtetformimit dështoi, në pjesë të madhe falë kompleksitetit të grupimeve në Afganistan dhe asaj që zoti Lute i referohet si luftë civile.

Zoti Kupchan e pranon se mënyra se si u zhvilluan ngjarjet ditët e fundit, është një goditje ndaj besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara në botë, por beson se është e përkohëshme.

“Mendoj se në aspektin afatgjatë kjo do të funksionojë në favor të Shteteve të Bashkuara, pjesërisht sepse një nga arsyet që SHBA po largohet nga Afganistani dhe zvogëlon praninë e saj në Lindjen e Mesme është të përqëndrojë vëmendjen diku tjetër, veçanërisht në Azi – Paqësor”.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madaleine Albright, thotë se është një përgjegjësi morale dhe në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara mbrojtja e aleatëve afganë.

“Kjo padyshim që nuk është një ndërmarrje e thjeshtë. Kërkon një përpjekje herkuliane jo vetëm nga forcat tona në terren, por nga e gjithë qeveria amerikane, përfshirë degët ekzekutive dhe legjislative. Angazhimi dhe mbështetja e Kongresit ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë thelbësore për të realizuar këtë mision”, tha ajo.

Pjesë e përpjekjeve për garantuar sigurinë e atyre që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara, ka qenë edhe vendimi nga vende si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut për të pranuar qytetarë afganë, me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. Zoti Kupchan thotë se SHBA janë mirënjohëse.

“Tani për tani mendoj se gjëja kryesore është t’i çojmë ata në një vend ku të jenë të sigurt që të fillojnë të plotësojnë dokumentat dhe procedurat e duhura të kontrollit dhe hapat e tjerë të nevojshëm për statusin e refugjatit dhe për zhvendosjen përfundimtare. Por duke pasur parasysh situatën në Kabul duke pasur parasysh sa shpejt po zhvillohen ngjarjet, mendoj se administrata Biden është shumë mirënjohëse për çdo vend që është i gatshëm të ndihmojë”.

Në përgjigje të kërkesës së Zërit të Amerikës për koment për këtë çështje, një zëdhënës i Departamenti të Shtetit tha se SHBA i vlerëson thellësisht vendet që kanë ofruar mbështetje me ikjen nga Afganistani të qytetarëve amerikanë dhe afganë.

Por ndërsa këto përpjekje vazhdojnë, zonja Albright thotë se SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet të mendojë për ata që mbeten pas.

“Ne nuk mund të harrojmë miliona afganë, veçanërisht gratë, të cilët rrezikojnë të humbasin përparimet e konsiderueshme të bëra gjatë dy dekadash sakrificë. Mbrojtja e grave afgane duhet të jetë përparësi dhe unë do të luaj rolin tim që të garantoj që kjo të jetë në qendër të axhendës ndërkombëtare”, thotë ajo./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *