Analiza/ Agron Gjekmarkaj: Talebanët me mjekra e dolloma në Kabul si partizani Meke me opinga në Pallatin e Mbretit në ’44 në Tiranë, historia që përsëritet me largimin e amerikanëve










pjimage - 2021-08-17T113131.356

AGRON GJEKMARKAJ

Pamjet që mbërrijnë nga Afganistani po çmerisin gjithë botën, ku e ku më shumë atë pjesë që beson te demokracia dhe te të drejtat e njeriut. Talebanët me mjekrat e tyre të kreshpëruara, të cilat i kruajnë e fërkojnë shpesh, u rikthyen triumfatorë pas 20 vitesh iluzione, gjaku të  derdhur, përpjekjesh për pluralizëm e demokraci, 754 miliardë dollarë të investuar vetëm SHBA kosto në Afganistan, pa llogaritur vendet e tjera anëtare të NATO-s, dhe një Reforme në Drejtësi, e cila po zëvendësohet nga sheriati.

Gjithçka përfundoi në asgjë dhe gjaku i derdhur në emër të Zotit e vullnetit të tij s’do ketë të ndalur. Në aeroportin e Kabulit luhet akti i fundit i një tragjedie të paralajmëruar. Mijëra njerëz duan të ikin për t’i shpëtuar regjimit taliban në skena që tejkalojnë çdo imagjinatë.

Në kryeqytet lyhen me bojë reklamat me koka grash të zbuluara dhe pesëfishohet çmimi i burkave. Britmat e personave të dëshpëruar që kapen në shkallë e rrota avionësh për të gjetur vdekjen në rënie të lirë në një qiell pa horizont do të rrinë gjatë në ndërgjegjen e qytetërimit perëndimor. Fjala turp nxin çdo medium të Amerikës dhe Europës.

Partizani Meke
Partizani Meke

Me të rrezikuarit janë gjitha ata që bashkëpunuan me koalicionin ndërkombëtar dhe familjet e tyre. Shtypi botëror po stabilizon krahasimin me tërheqjen amerikane nga Saigoni në Vietnamin e Jugut të vitit 1975 me atë të Kabulit 2021.

Administrata Biden gjendet nën presion të brendshëm dhe nën breshëri kritikash për dështimin në Afganistan, për krizën humanitare e për më shumë për hapësirën e re që po zë Kina dhe Rusia duke forcuar pozicionin e tyre në rajon. Po ashtu, media po tregohet e pamëshirshme me qeveritë e tyre, sidomos me atë italiane, e cila pat një mision të sajin për 20 vite në Herat për lënien e njerëzve që i ndihmuan në duart e një regjimi terrorist.

Vendimi për të strehuar emigrantet afganë në Shqipëri i përshëndetur edhe nga lideri i opozitës shqiptare, por edhe nga zërat e spikatur publik, është i drejtë, por hipokritëve u duhet kujtuar se më kundërshti ka pasur për vendosjen e veriorëve në periferi të Tiranës sesa për ardhjen e muxhahedinëve iranianë apo me afganët e shumë më pak konpasion për qindra mijëra shqiptarët që braktisin Shqipërinë.

Praktikë e njohur qysh nga koha e Pranverës Arabe ishte infiltrimi i terroristëve që vërshuan në Europë e kjo bashkëngjitje pritet të ndodhë edhe me flukset emigratore nga Afganistani.

Ne shqiptarët rrëqethemi shumë më tepër nga pamjet në aeroportin e Kabulit sepse e dimë ç’do të thotë të braktisesh në fatin tënd të keq e të bëhesh kavie për ideologjitë fondamentaliste e regjimet totalitare. Ne e ndiejmë këtë edhe sot kur zgjedhjet vidhen, kur drejtësia mbetet në letër, kur korrupsioni është e vetmja kryefjalë, kur pafuqia për të ndryshuar na detyron të ikim dhe na thuhet se jemi në rrugën e duhur.

Largimi i amerikanëve dhe i europianëve nga Kabuli, dëshpërimi i elitave të atij vendi, të lejon njëfarë krahasimi me Shqipërinë e 1944-1946, kur misionet amerikane e angleze lanë vendin tonë e bashkë me ta u varros çdo shpresë për demokraci e dinjitet njerëzor. Talebanët e Enver Hoxhës sunduan për 46 vjet dhe me mijëra u vranë, u burgosën me akuzat e bashkëpunimit me perëndimorët. Ata imponuan njeriun e ri-taleban me shumë sukses.

Po kaq nuk i shpëtojmë asociacionit që na përcollën imazhet kur talebanët hynë në pallatin presidencial në Kabul ose në shtëpitë e pasanikëve me atë të “partizanit Meke”, atij filmi propagandë ku personazhi i saporënë nga mali habitej e zdërhallej me opinga në krevatin e Mbretit, duke i ngritur himn e kult injorancës e barbarisë dhe habisë që shkakton ndeshja e tyre me elementet e modernizmit.

Te ne pushtetin e mori “Mekja” me opinga, atje talebanët me mjekër e dolloma! Historia jonë dihet si shkoi e si vazhdon po e njëjta gjë vlen edhe për Afganistanin e gjorë që ecën me galop drejt errësirës. Xhian Babtista Viko, një iluminist italian, na e pat lënë maksimën që e vërteta hyjnore gjendet te historia.

Ajo u përsëritka më shpesh si tragjedi sesa si komedi. “Gjuetari i Balonave”, romani i shkrimtarit afgano-amerikan Khaleid Hysen, me gjasë do mbetet i vetmi ngushëllim për shoqëritë perëndimore, të cilat do të bëjnë tifozllëk që Amiri (emigrant në SHBA) përsëri ta shpëtojë “harazanë” djalin e Hasanit (të mbetur në Afganistan) për të qetuar ndërgjegjen e vet në një sallon çaji!!!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *