Analiza: Aksidenti me emigrantët në Shqipëri ndez polemika për trafikimin me njerëz

analiza aksidenti me emigrantet ne shqiperi ndez polemika per trafikimin me njerez
analiza aksidenti me emigrantet ne shqiperi ndez polemika per trafikimin me njerez

Aksidenti rrugor në Shqipëri, ku humbën jetën 7 emigrantë pakistanezë, ktheu në vëmendje luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në këtë vend.

Qeveria thotë se ky fenomen po goditet gjithnjë e më shumë dhe se shifrat tregojnë rënie të rasteve. Për opozitën, ngjarja tregon se policia e shtetit nuk e ka nën kontroll territorin e vendit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha gjatë një debati në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike që ndjekin emigrantët e paligjshëm për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Por, ai theksoi se, aktualisht, ky vend ka numrin më të ulët të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë në territorin e tij dhe shifrat më të larta të goditjes së trafikimit të qenieve njerëzore.

Megjithatë, ai nuk specifikoi se me cilat vende e krahason Shqipërinë.

“Gjatë vitit 2023 janë konstatuar 177 raste të kontrabandimit të emigrantëve – 9 prej të cilave për trafikim të të miturve. Kanë qenë 330 persona të përfshirë, nga të cilët 147 të arrestuar”.

“U kërkoj prokurorive dhe gjykatave të shprehen me vendime për të gjitha këto referime që ka bërë policia e shtetit”, tha Balla.

Ai shtoi se, prej vitesh, kufiri me Greqinë kontrollohet dhe patrullohet në bashkëpunim me policinë greke dhe me efektivët e agjencisë evropiane të policisë, Frontex.
Balla i bëri thirrje opozitës që të mos e politizojë çështjen.

Duke u ndalur tek aksidenti që ndodhi në fillim të kësaj jave, Balla tha se kërkon mbështetjen e opozitës për ndryshime në Kodin Rrugor, për të përmirësuar sigurinë rrugore.

Por, deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Ervin Salianji, tha se aksidenti në Këlcyrë tregoi se policia nuk ka kontroll në territorin e vendit.

“Duhet një aksident i rëndë për të kuptuar se Shqipëria është kthyer në ‘han pa porta’ ku kalojnë emigrantë të paligjshëm”, tha ai.

Avokati i Popullit: Flukset e emigrantëve në rënie, por ka shqetësime
Shqetësim për ngjarjen shprehu edhe Avokati i Popullit, i cili tha se ajo duhet të shërbejë si kambanë për forcimin e kontrollit të emigrimit të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin.

“Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet t’i mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata trajtohen me dinjitet dhe respekt. Kemi hartuar disa raporte dhe kemi dhënë rekomandime për të adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë”, tha Avokati i Popullit në një deklaratë për mediat pas aksidentit.
Zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Alisa Demollari, thotë për Radion Evropa e Lirë se flukset e emigrantëve janë në rënie, por se disa shqetësime mbeten.

“Shqipëria është pjesë e rrugës së Ballkanit Perëndimor, ku emigrantët e huaj të parregullt hyjnë përmes kufirit jugor dhe juglindor me Greqinë. Grupet migratore nuk e konsiderojnë Shqipërinë si destinacion për qëndrim të përhershëm, ndaj vetëm një pjesë e vogël kërkon azil, pjesa tjetër shkon drejt kufirit me Kosovën apo Malin e Zi, me synimin për të depërtuar në vendet e BE-së”, shpjegon Demollari.

Numri i emigrantëve të parregullt – kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrika Veriore – ra në vitin 2023 krahasuar me vitet e tjera.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, numri i emigrantëve të parregullt të kapur në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishte 6.624, thuajse dy herë më pak se numri i atyre që u kapën në vitin 2022. Në vitin 2021, ndërkaq, kjo shifër ishte 18 mijë.

Demollari thotë se prej vitit 2018 – pas një marrëveshjeje me Agjencinë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, UNHCR – në pikat kufitare në Gjirokastër dhe Korçë, në jug të Shqipërisë, janë vendosur ekspertë të jashtëm të kësaj agjencie që shohin nga afër procesin e identifikimit të emigrantëve të huaj të parregullt, intervistimit dhe referimit të azilkërkuesve nga policia kufitare.

Demollari thotë se nga rreth 4.500 emigrantë të parregullt që hynë në pikat kufitare të këtyre rajoneve gjatë vitit 2023, rreth 300 prej tyre ishin të mitur.

“Problematikat që duhen adresuar me prioritet, janë: ngritja e mekanizmit kombëtar referues për trajtimin e fëmijëve të ndarë apo të shoqëruar të emigrantëve të parregullt, krijimi i një kuadri rregullator për akomodimin afatgjatë të tyre, si dhe mbështetja me psikologë e këtyre qendrave”, thotë Demollari duke kërkuar, gjithashtu, buxhet më të lartë nga shteti për çështje të emigracionit të parregullt.

Ajo thotë se u është rekomanduar institucioneve që t’i përmirësojnë kushtet dhe kapacitetet për monitorimin e kontrollit kufitar, si dhe masat ligjore e administrative në parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore.
Rreziqet dhe kërcënimet
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë për Radion Evropa e Lirë se, prej vitit 1997, personat që hyjnë në Shqipëri nga vende në konflikt apo emigrojnë për arsye ekonomike, përdorin këtë rrugë për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ata nisen nga Siria, Afganistani, Pakistani apo vende të tjera dhe depërtojnë në Turqi, më pas në Greqi, prej aty kalojnë në Shqipëri përmes Gjirokastrës, Përmetit apo Korçës, udhëtojnë drejt Tiranës e më pas në Shkodër.

Pastaj, prej aty dalin në pikat kufitare me Kosovën apo Malin e Zi, kalojnë në Bosnje e Hercegovinë e në Kroaci, për të përfunduar në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Softa thotë se prania e tyre në territorin shqiptar mbart disa rreziqe.

“…sepse mes tyre mund të ketë persona që u përkasin grupeve ekstremiste. Nga ana tjetër, të mos harrojmë se Rusia është e interesuar që, për shkak të situatës me Ukrainën, të shkaktojë dhe transferojë trazira edhe në vendet e BE-së, apo të Ballkanit Perëndimor. Andaj, kontrolli i kufirit duhet të funksionojë më mirë”, thotë Softa.
Ai shton se Shqipëria duhet të ketë një bashkëveprim më të mirë me Greqinë, si dhe me Frontex-in në përgjithësi. Sugjeron, gjithashtu, të shihen edhe potenciale të tjera, si kontrollet me dronë, apo prania e ushtrisë në pikat kufitare që konsiderohen si më problematike.

Duke u ndalur te rrezikshmëria e këtij fenomeni, Softa kujton ngjarjen e 24 majit të vitit 2023, kur gjashtë shtetas sirianë dhe algjerianë u arrestuan në kufirin Shqipëri-Kosovë, pasi qëlluan me armë në drejtim të zyrtarëve policorë.

Ai thotë se në pranga, zakonisht, përfundojnë transportuesit e emigrantëve të paligjshëm, por jo organizatorët e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Ata që i presin në pikat kufitare janë thjesht të punësuar, ndërkohë që ata që i drejtojnë, i manipulojnë… janë njerëz me peshë të caktuar dhe me lidhje ndërkombëtare, te të cilët rrallë arrihet. Transportuesit përfitojnë deri në 400 euro për çdo emigrant, ndërsa kostoja finale që ata paguajnë prej vendeve nga nisen deri në destinacion, shkon nga 7 deri në 8 mijë euro”, thotë Softa.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në territorin e Shqipërisë janë ndaluar 165 emigrantë të paligjshëm, që vinin kryesisht nga Siria, Pakistani, Afganistani dhe vende të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts