Analiza/ Baton Haxhiu: Vallëzimi i “fundit” i Edi Ramës





Nga Baton Haxhiu

-1200-630-5ff63511e4ca6

Sali Berisha dhe Ilir Meta, sot, janë aleatët më të mirë politik të Edi Ramës.

Paradoksalisht fjalia do të ishte e habitshme në logjikën e saj politike, sepse në atë që mundohen të përfaqësojne, ata duken si kundërshtarët e tij më të mëdhenj politik.

Por, jo.

Të dy liderët politik, si Berisha, ashtu edhe Meta, kanë dallime serioze me liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe për atë që përfaqësojnë në qeverisje edhe për idealin politik dhe të ndryshimit që kanë për Shqipërinë.

Ata duken jashtë kohe dhe të padobishëm në qasje, por edhe destabilizues në vazhdimësi.

Dhe, karshi Edi Ramës, kanë peshën e dallueshme të krahasimit politik dhe estetik për mënyrën se si qeveriset një vend.

Prandaj janë jashtë kohe, por janë edhe të vetmit aleatë seriozë në politikë, sepse përmes krahasimit Ramën, votuesi shqiptar e voton Kryeministrin sa herë në përballje ka këta dy personazhe politike.

Vallëzimi i Edi Ramës në politikë do të varet shumë nga ajo se sa këta dy aleatë do të marrin fuqinë politike duke mbyllur rrugë për një gjeneratë të re politike, e cila, sapo ka nisur të etablohet brenda Partisë Socialiste.

Por, megjithëse PS hapi rrugën për një gjeneratë të re politike, duke e mbyllur në histori emrat e fundit të themeluesve të saj, ka diçka që nuk shkonte në gjithë atë që u lexua ditën e enjte.

Pas leximit të emrave të Qeverisë RAMA 3 dhe rikthimit të tij të tretë, më la një shije të hidhur heshtja totale e njerëzve të PS-së.

Ishte shija e nevojës për harresë të dy mandateve që kanë lënë shenja historike të ndryshimit urban dhe politik.

Edi Rama në fjalimin e tij tregoi idealizëm, gjë kjo e habitshme pas dy mandateve si kryeministër. Mirëpo, diçka nuk shkonte.

Në njërën anë ishte fjalimi me tone idealiste dhe në anën tjetër heshtja e pamëshirshme për pranimin e çdo gjëje.

Socialistët dukeshin të rinj, por të lodhur. Madje, dukeshin të konsumuar dhe pa motivin e duhur edhe për të qenë të lumtur me fitoren e mandatit të tretë.

Vitet në lavdi dhe sukseset në pushtet konsumojnë dëshirën për mirëqeverisje, megjithëse Rama, si i pari i partisë, është gjithmonë i gatshëm dhe me plot vullnet për të tjera fitore.

Heshtja në Partinë Socialiste, pas leximit të emrave, la të kuptohet se ky rrugëtim do të minohet dhe vështirësohet nga shumëkush brenda partisë.

Është çështje kohe derisa egot të pëlcasin nga dëshira për të qenë Edi Rama dhe derisa kontrolli të cilin e mirëmban lavdia, të sulmohet nga ata që e duan kontrollin për lavdinë e tyre.

Partia Socialiste me këtë qasje dhe përmbajtje sot është kampione për shkak të vet Ramës dhe gjithashtu me probleme të pandreqshme në horizont.

Këtu përfundon krahasimi.

Tani nuk është momenti të shkruhet për lavdinë, për Ramën dhe për historinë. As të kërkohet tani, që Rama të tërhiqet pas katër vitesh, sepse pasioni për politikën, sado i lodhshëm, është burim i pashtershëm i asaj që ai përfaqëson. Rrjedhimisht, duhet sqaruar se si duhet ta ri-gjejmë Ramën e nesërm, atë të mandatit tjetër – të “Vallëzimit të Fundit”.

Ajo që është vendimtare në këtë mandat dhe periudhë politike ka të bëjë me trashëgiminë. Tashmë është e qartësuar krejtësisht se me hyrjen në betejën për mandatin e tretë qeverisës, do të shtohen luftërat politike brenda PS-së. Rrjedhimisht, menaxhimi i çështjeve të qeverisë do të problematizohet.

Sepse, një lider në shkuarje, sado i mirë të jetë, nuk mund ta ketë peshën e njëjtë politike sikurse ai që është në kulminacion. Prandaj, pavarësisht mandatit të radhës – ku pesha politike mund të lëvizë në mes të dyja poleve të pushtetit, edhe si Kryeministër, por edhe si kryetar i PS – puna e Ramës mbetet e pacenueshme, sepse Shqipërinë po e lë të rilindur.

Transformimi që është bërë në ekonomi, shëndetësi, arsim, turizëm dhe polici, Ramës i ka siguruar vendin në historinë e ndryshimtarëve të mëdhenj të Shqipërisë.

Dhe, lëre më po të flasim për rilindjen urbane. Ajo s’është veçse shije, por parakusht për zhvillim. Kur flitet për ndryshimin që ka bërë, duhet thënë se moti e ka kuptuar se nuk ka progres në shëmti.

Andaj, duhet pranuar se brusha e artistit Kryeministër dhe qeverisja nga Kryeministri artist, i dha shpirtin Shqipërisë, që vuante nga ngjyra gri.

Shqipëria shpëtoi nga zymtësia e shëmtia, për t’u ringjallur në ngjyrë e shpresë. Për t’u ngjallur në progres, sepse tashmë e bukura ka zbehur shëmtinë.

Ky mandat ka risqe dhe paqartësi.

Pas leximit te emrave dhe ndryshimeve ne PS, të enjten e kaluar, kjo parti, shihet qartazi, se do të hyjë në një betejë të brendshme, të ashpër. Rrugëtimi për krijimin e liderit të ri të Partisë Socialiste, edhe për faktin se shumëkush do mendojë se ky është vallëzimi i fundit i Ramës, do të konsumojë shumë nga energjia e brendshme.

Por, Rama që njohim, nuk largohet nga PS-ja pa e etabluar trashëgimtarin e tij politik. Se kush do të jetë ai/ajo, është dilemë që do të zgjidhet përgjatë një beteje të brendshme dhe të pakompromis.

Me fjalë të tjera, i mbetet Ramës të tregojë PS-në që do ta lë pas dhe hapësirën që ai do t’ua japë liderëve të rinj në përballje.

Dhe për këtë arsye shenjat e para të vuajtjes do të shihen kur PS ta tregojë vuajtjen për t’i artikuluar qartë problemet e saj.

Së pari, është zbehur numri i deputetëve të cilët kanë mendim individual edhe pse nuk mund të thuhet që nuk kanë hapësirë. Dhe, natyrshëm është se po nuk pate mendim dhe mendim ndryshe, nuk ke si dhe çfarë artikulon. Kjo tredhje intelektuale është edhe për shkak të fuqisë së Edi Ramës. Ai vazhdon të jetë i pamëshirshëm ndaj atyre që nuk ndërtojnë ide jashtë mekanizmit konjuktural.

Së dyti, në Partinë Socialiste është zbehur autoriteti i fjalës. Kjo parti sot nuk ka asnjë deputet që të dëgjohet për shkak të autoritetit të fjalës e të mendimit dhe njëkohësisht të jetë i respektueshëm në publik për faktin se di t’i artikulojë mirë gjërat. Fati dhe fatkeqësia e saj është Edi Rama si kryetar dhe mendimtar sepse nuk ka asnjë tjetër që të ndërtojë në shkronja rrëfimin politik. Ky është shqetësimi që ngacmon edhe në mandatin e tretë.

Edhe pse ka pak shpresë, Rama, duhet që në mandatin e ardhshëm të ketë si pjesë të grupit të tij parlamentar të paktën pesë deputetë, me mjeshtëri fjale, me autoritet qëndrimi dhe me personalitet të respektueshëm në publik.

Kjo do ta ndihmojë që të rrisë profilin e tij dhe profilin e partisë në parlament, por edhe që ta rrisë cilësinë e komunikimit të vetë parlamentit. Për këtë duhet menduar qysh sot.

Ndryshe, është e sigurtë se ekziston një mundësi që e gjithë opozita do të bashkohet kundër Ramës dhe emrit të tij të përveçëm. Dhe debatet nuk do të jetë për të sulmuar PS-në si parti, por do të jetë debate kundër Edi Ramës.

Shpesh, kur liderët konstituohen si produkt i pacenueshëm i historiografisë, Berishët dhe Ilirët e këtij vendi bashkohen – për t’i shkatërruar imazhet e historisë.

Droja nga historia nuk ua shëmton të kaluarën, por i frikëson nga e ardhmja politike dhe krijimi i shijes, me Edi Ramën si qendrën e memories bashkëkohore të qytetarit shqiptar.

Andaj, opozita do të bashkohet jo vetëm për pushtetin, por edhe për të tentuar ta njollosë figurën e Edi Ramës dhe që ta ripozicionojë atë retroaktivisht. Ajo do që lavdia e Ramës të zbehet dhe me këtë edhe historia e krijuar e një shteti modern.

Së treti, ky mandat duhet ta përmbyllë përfundimisht fazën e tranzicionit në Shqipëri. Këtë duhet bërë edhe me Lulzim Bashën.

Si Kryeministër në mandatin e tretë në Shqipëri, Rama duhet ta rikrijojë frymën e bashkëpunimit, për ta përmbyllur ciklin e rilindjes, duke i hapur rrugën një gjenerate të re politike. Është detyrë e pashmangshme që si lider politik, përgjatë këtij mandati, të ndikojë në krijimin e trashëgimisë politike. Pa këtë të fundit, Shqipëria mund të bjerë në një vakuum, ku nuk gjen më liderin e saj. Ngjashëm si Partia Demokratike. Varësia e Shqipërisë ndaj Edi Ramës duhet të zbehet. Shqipëria duhet të mësohet të zhvillohet edhe pa të nesër.

Kongresi i dhjetorit, nëse do mbahet, e ka mundësinë që të shpërfaq fuqinë  politike për krijimin e një gjenerate të re politikanësh, ku pushteti nuk do të riciklojë pushtetarët e deritanishëm.

Rama duhet të mbahet në mend edhe si lideri i tranzicionit që krijuar hapësirë të re në masë të pakrahasueshme për politikanët e talentuar dhe gjeneratën e re. Prandaj,  përmes tij nuk duhet të rilind vetëm Shqipëria, por duhet të lind dhe rritet një gjeneratë e re politike, si investim afatgjatë për të ardhmen.

Dhe pika e katërt, por jo më pak e rëndësishme, është çështja e pambyllur që i takon së ardhmes politike, të të gjithë atyre që vijnë pas Edi Ramës dhe që jetojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sado të ketë procese integruese për rajonin, e procese tjera ndërkombëtare që janë shumë përtej nesh, tashmë Kosova dhe Shqipëria janë një realitet i integruar politik, mediatik e shoqëror. Andaj, në këtë pikë duhet menduar shumë më mirë – zotëri Kryeministër – marrëdhënia juaj afatgjatë me Republikën e Kosovës dhe sigurimi i një trashëgimie historike me rëndësi më të gjerë kombëtare sesa puna e qeverisjes së zakonshme.

Nëse bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është i pamundur, atëherë Edi Rama duhet ta japë shembullin e krijimit të një koncepti gjithëkombëtar, në funksion të realitetit të integruar brenda-shqiptar. Prandaj, nuk mund të quhet trashëgimi dhe mandat historik nëse lë detyrën dhe thjesht ikën nga përgjegjësitë politike, pa e menduar mirë vendin e tij edhe në raport me Kosovën.

E gjithë kjo duhet të ndodhë në kohën kur Edi Rama nuk ka më zgjedhje për të fituar./Burimi: AlbanianPost

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *