Analiza/ Çështjet politike, ekonomike dhe klimatike në qendër të takimit vjetor të OKB-së

analiza ceshtjet politike ekonomike dhe klimatike ne qender te takimit vjetor te okb se

Lufta në Ukrainë pritet të jetë temë kryesore për të dytin vit me radhë, kur udhëheqësit të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer, shumë nga vendet në zhvillim po shpresojnë t’i kushtohet vëmendje çështjeve të rëndësishme për ta, përfshirë zhvillimin, inflacionin dhe ndryshimin klimatik.

Asambleja e Përgjithshme e këtij viti po mbahet pas një viti maratonë takimesh të nivelit të lartë, dhe disa udhëheqës të rëndësishëm nuk do të marrin pjesë. Por, ka ende shumë çështje për të biseduar.

“Do të mblidhemi në një kohë kur njerëzimi përballet me sfida të mëdha – që nga çështja urgjente e krizës klimatike në përkeqësim, deri tek konfliktet në përshkallëzim, kriza globale e kostos së jetesës, pabarazitë në rritje dhe ndryshimet dramatike për shkak të teknologjisë. Njerëzit presin nga udhëheqësit e tyre një rrugëdalje nga kjo rrëmujë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të marrë pjesë personalisht për herë të parë në Asamble që kur fillloi agresioni rus në shkurt 2022.

“Zelensky duhet të jetë i ndërgjegjshëm se janë shumë udhëheqës të vendeve në zhvillim që kanë problemet e tyre, si borxhet dhe rritja ekonomike, dhe duan të flasin për këto tematika, dhe jo vetëm për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, thotë Richard Gowan, nga Grupi i OKB-së për Krizat Ndërkombëtare.

Kjo përfshin zhvillimin e qëndrueshëm, që nuk po ecën sipas planit për të arritur objektivat për vitin 2030 për sa i përket urisë dhe varfërisë ekstreme. OKB-ja thotë se nëse kjo prirje vazhdon, 575 milionë njerëz do të përfshihen nga varfëria ekstreme deri në fund të kësaj dekade.

Java do të fillojë me një takim dyditor të nivelit të lartë që OKB-ja shpreson se do të ripërtërijë punën për këto objektiva.

“Përparimi është zmbrapsur shumë gjatë viteve të fundit. Kjo është pjesërisht për shkak të vazhdimësisë së pandemisë COVID-19, niveli më i lartë globalisht i konflikteve që nga viti 1945, katastrofat e lidhura me klimën, si dhe inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës”, tha Astra Bonini, zyrtare e OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm.

Të mërkurën do të mbahet edhe një takim i nivelit të lartë për klimën për ndërmarrjen e angazhimeve ambicioze për të ulur nivelin e gazeve ndotës dhe pakësimin e përdorimit të burimeve fosile energjitike.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe aty pritet të marrë pjesë Presidenti Zelensky.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së thotë se ekziston hapësira për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për çështje të tjera. Ai thotë se është urgjente të punohet për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Mendoj se ka hapësira për të diskutuar seriozisht të gjitha çështjet, dhe nuk druhem se krizat në pjesë të ndryshme të botës mund të heqin nga axhenda rëndësinë e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm”, tha zoti Guterres.

Presidenti Joe Biden do t’i drejtohet asamblesë së përgjithshme të martën, për të paraqitur përparësitë e Shteteve të Bashkuara.

Do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme, ku do të riafirmojë rolin udhëheqës të vendit tonë përballë sfidave ndërkombëtare për sigurinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe avancimit të begatisë dhe zhvillimit global”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Ndërsa problemet janë të shumta, njerëzit nga mbarë bota do t’i kenë sytë nga udhëheqësit e tyre, nga të cilët presin që të përmirësojnë jetën e tyre të përditshme dhe të mbrojnë të ardhmen e tyre./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts