ANALIZA/ “Gara pothuajse presidenciale, midis Bashës dhe Ramës”

Ervis Iljazaj

Nga Ervis Iljazaj

Për shkak të personalizmit të skajshëm të politikës shqiptare,  fatkeqësisht gara elektorale e 25 prillit ka marrë trajtën e një gare presidenciale, midis dy individëve, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Dy persona nga të cilët, duam apo s’duam ne varet qeverisja e vendit dhe fatet e të ardhmes së Shqipërisë. Madje, kjo garë midis dy individëve , për disa aspekte ka marrë nota më të theksuara personalizimi se sa ajo që zhvillohet në vendet me republika presidenciale, si ajo e Shteteve të Bashkuara.  Ndërkohë që atje kemi të bëjmë me një parlament dhe deputetë të fortë e autonomë që kontrollojnë pushtetin e presidentit,  në Shqipëri, roli i tyre është pothuajse simbolik.

Prandaj, zhurma e madhe e krijuar për listat e kandidatëve për deputetë, është një zhurëm e ekzagjeruar, hipokrite, manipuluese dhe pa shumë rëndësi konkrete për jetën e shqiptarëve. Është një zhurme që kërkon të fshehë pikërisht tiparin e vërtetë të kësaj gare, atë midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Parlamenti i Shqipërisë, për shumë arsye, duke filluar që nga sistemi zgjedhor, është kthyer tashmë  në organin ratifikues të vendimeve të qeverisë, ose me saktë,  të kryetarit të saj. Në gjuhën e përditshme parlamenti konsiderohet si pushteti legjislativ, por në fakt , 99,9 % të propozimeve ligjore vijnë nga qeveria, dhe pothuajse asnjë prej tyre nuk kundërshtohet apo të kthehet mbrapsht. Me pak fjalë, përgjegjës për jetët tona është qeveria shqiptare dhe ai që e drejton atë.

Me konsumimin që të jep natyrshëm pushteti, sidmos pas 8 viteve, Edi Rama po bën çmos që tu thotë shqiptarëve se kjo nuk është një garë midis tij dhe Lulzim Bashës, por shkon përtej kësaj. Jo më kot, ditën e djeshme krahasoi një për një drejtuesit e qarqeve të dy forcave, duke krijuar idenë se ata vërtetë kanë në dorë fatet e jetës së qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë që fatet e tyre i ka patur në dorë vetëm ai, dhe nëse do ti ketë akoma apo jo, këtë do ta vendosin qytetarët në 25 prill. Por, thelbi nuk ndryshon.

Meritat apo përgjegjësitë për qeverisjen e ardhshme nëse shqiptarët vendosin për mandatin e tretë, do të jenë vetëm të një personi, Edi Ramës. Ideja se kandidatët në lista që ky i fundit i ka përzgjedhur me kujdes, për të qenë aty si simboli i qeverisjes së ardhshme, është një ide e gënjeshtërt dhe aspak e lidhur me realitetin. Është e pamundur , që njerëz të zgjedhur në mënyrë arbitrare pa asnjë meritë politike për postin ku janë vendosur, megjithëse mund të jenë njerëz të nderuar , të kenë ndonjë ndikimi real në qeverisjen e nesërme.

E njëjta histori ndodh edhe në krahun tjetër. Edhe pse në listat e Partisë Demokratikë ka njerëz më politik, dhe me  një karrierë që e kanë ndërtuar vetë përgjatë viteteve, ndryshe nga ajo e Partisë Socialiste, Lulzim Basha është padyshim personi mbi të cilin do të jepet gjykimi i shqiptarëve, nëse do ta besojnë në krye të punëve të vendit ose jo.

Sigurisht që emrat në listat për kandidatë për deputetë janë të rëndësishëm. Është më mirë që të jenë emra të respektueshëm, të papërfillur, dhe jo të inkriminuar, duke i dhënë dinjitetin që meriton organit të parlamentit. Por më të rëndësishëm se sa 140 deputetët, për shkak të sistemit politik që është ndërtuar në këto vite, janë dy emrat e atyre që garojnë për të qeverisur vëndin. Fatmirësisht ose fatkeqësisht, ata kanë në dorë fatet tona. Në këtë kuptim, duhet të lëmë hipokrizinë dhe fasadën mënjanë, dhe tu themi shqiptarëve një gjë shumë të thjeshtë. Duan Edi Ramën apo Lulzim Bashën si kryeministër?. Të gjitha të tjerat janë truke komunikimi dhe formë. Thelbi i kësaj gare, është se ajo zhvillohen midis dy njerëzve.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *