ANALIZA/ Katenaço dhe sakrificë, 3 futbollistë bllokuan Lukaku. Kieza i dërrmoi me goditjen e vetme, ja si Juvja theu Çelsin








Fitoret e vuajtura me Specian dhe Sampdorian kishin përmirësuar klasifikimin, por kishte ende pasiguri dhe mendime negative për Juven e re të Alegrit. Nuk mund të themi me siguri edhe se ky sukses kundër Çelsit do të jetë fillimi i një përmbysjeje të madhe, por natyrisht na bën të shpresojmë se skuadra ka cilësi për të qenë shumë më tepër solide sesa e kemi parë deri tani, por duhet të sakrifikojë.

Celsi-Juve

Në një situatë emergjence, pa Moratën dhe Dibalën, Juvja zhvilloi një ndeshje nga ato që shpesh i kishim parë në fillimin e ciklit të Alegrit, që karakterizohej nga një bllok lojtarësh shumë i ngjeshur në mbrojtje dhe sulme të thjeshta dhe direkte. Për hir të së vërtetës vendësit vuajtën shumë gjatë minutave të para, sidomos në krahun e djathtë, aty ku Zieh i përvidhej gjithnjë pas krahëve Danilos. Por Alegri e zbriti Danilon në linjën e mbrojtjes dhe prapavija u kthye me pesë lojtarë duke neutralizuar gjithçka dhe duke mos lënë më hapësira.

ÇELSI DOMINON, JUVJA MBROHET

Ndeshja ishte shumë “monotone”: Çelsi dominonte me qarkullimin e topit (73%), duke e detyruar Juven që ta vendoste barrierën shumë afër zonës së saj, çka në fakt nuk u përkthye për Çelsin si rritje e mundësive për të shënuar gol. Posedimi i tyre i topit rezultoi në shumicën e kohës steril. Plani shumë “italian” i Alegrit funksionoi, sepse skema hibride 4-3-3/5-3-1-1 dëshmoi se i jepte shumë siguri Juves, sepse mbulonte mirë jo vetëm zonën e rreptësisë, por kishte disiplinë edhe në 3/4 e fushës. Kaq shumë u vu re kjo, saqë Çelsi dukej si kushëri i largët i ekipit që fitoi Champions-in.

Pasimet horizontale dhe krosimet e vakëta drejt portës së Juves ishin shumë të lexueshme. Juventusi lëvizte mirë kur nuk e kishte topin dhe ka meritën që u paraprinte gjithnjë me zgjuarsi vertikalizimeve drejt Lukakut. Nëse De Ligt dhe Bonuçi u treguan të pamëshirshëm ndaj tij, duhet lavdëruar edhe puna e mesfushorëve të Juves që bënin presion vazhdimisht mbi mesfushorët dhe mbrojtësit e Çelsit, duke mos i lejuar që sulmet e tyre të organizoheshin sipas dëshirës që kishin, por sipas ritmit që impononte Juvja.

Kjo i detyroi lojtarët anglezë që të mos shërbenin si duhet në momentin final dhe me kalimin e minutave nisën të bëheshin nervozë dhe gjithnjë e më të paqartë. Duhet përgëzuar edhe Lokateli, që është mësuar ta ketë në zotërim topin, por luajti një ndeshje krejt tjetër, sepse iu desh të bënte vazhdimisht shkatërruesin.

Për meritë të tij, Çelsi nuk depërtoi asnjëherë nga qendra, por u detyrua gjithnjë e më shpesh të luante nga krahët duke u zgjeruar shumë dhe duke u bërë e lexueshme në aksionet sulmuese. Natyrisht, mungesa e Mauntit ua lehtësoi shumë gjërat bardhezinjve. Si përfundim, londinezët e krosuan 36 herë topin në zonë, por nuk e dërguan asnjëherë në rrjetë.

EFEKTI “LUKAKU”

E çuditshme, por gjatë ndeshjes u duk se prezenca e Lukakut e ka dobësuar dinakërinë e Çelsit. Sezonin e kaluar ata nuk të linin pika referimi në sulm, sepse lojtarët mund të mos i kishin aq të fuqishëm në zonë, por ishin shumë më tepër të lëvizshëm. E kundërta me Lukakun, që është statik dhe pas pjesës së dytë përton të lëvizë pas shpinës së mbrojtësve.

Markimi asfiksues i Bonuçit dhe De Ligtit e bëri të pashpresë belgun, ndërkohë që Tuhel nuk pati guximin ta zëvendësonte dhe më pas kampionët e Europës përfunduan te gjuajtjet nga distanca të Rydigerit, që ishin fotografia e dëshpërimit për një skuadër pa ide.

KUNDËRSULMET

Përveçse tregoi përulësi dhe forcë në manovrën pa top, Juvja, që më së shumti u mbrojt, arriti të krijonte më shumë raste të pastra për gol sesa Çelsi. Kështu erdhi edhe goli që vulosi ndeshjen: pasim i gjatë i Bonuçit nga mbrojtja, shkëputja e Rabiosë dhe kombinimi me Bernardeskin e shndërruan një aksion “të thjeshtë” në një gol.

Por topi përfundoi në rrjetë edhe sepse Juventusi ka Kiezën në sulm. Jo gjithkush mund ta shndërrojë në gol një kundërsulm aq normal. Po pra, Kieza në sulm përhapi panik gjatë gjithë kohës, sepse lëviz shumë me top dhe pa top, ka teknikë, shpejtësi, zgjuarsi dhe ndërron krahun pafundësisht duke i stresuar rivalët.

Juventusi rrallëherë doli përpara duke mbajtur topin, por ngacmimet e shpeshta të Kiezës nuk e lejuan as Çelsin që të zbriste afër zonës së Juves së bashku me mbrojtësit. E thënë ndryshe, megjithëse Juvja mbrohej fort në zonë, kishte armën e duhur për t’i bërë dëm Çelsit sa herë që ai do të vendosej keq në mbrojtje. Blutë e kuptuan këtë dhe asnjëherë nuk sulmuan me të gjitha forcat.

Analiza

E ARDHMJA

Nuk mund ta dimë nëse sezoni i bardhezinjve do të ndryshojë pas kësaj fitoreje, por e sigurt është se në situata shumë të vështira Juvja di të vuajë dhe të marrë rezultatin që i duhet. Kishim shumë kohë që nuk e kishim parë Juven kaq të përulur. Ndoshta vetëm një plan kaq “i përulur” mund të përballonte kampionët e Europës dhe t’i thyente ata.

Është e padiskutueshme se Juventusi për t’u rikthyer dominues, duhet të përmirësojë zotërimin e topit, saktësinë para portës dhe të ngrejë nivelin teknik në mesfushë. Nuk mund të varen vetëm te driblimet e Lokatelit (24 të tilla kundër Çelsit), pavarësisht se ishte e rëndësishme që ta merrnin edhe një fitore të tillë për të dalë nga kriza. Por, për herë të parë, mund të themi edhe se kjo Juve nuk ishte e brishtë.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *