ANALIZA/ Mentor Nazarko: Pse Rama duhet të bashkëpunojë me Abazoviçin dhe të nxisë parti shumëetnike?








NAzarko, Rama AbazovicPjesë e bisedës së analistit Mentor Nazarko me gazetarin e News24, Edvin Peçi

 Moderatori: Ju në fakt z. Nazarko, e shtroni mirë çështjen e partive monoetnike, që duket sikur u ka ikur koha, e tregon realiteti sepse partitë krijohen për të garuar në zgjedhje dhe po nuk bëre gjë në zgjedhje, përkundrazi ti po shkove me rezultat minus nga viti në vit, atëherë tregon që duhet të bësh diçka.

Nazarko: : Jo vetëm. Partitë monoetnike në Ballkan kanë kuptim të ekzistojnë kur ka konfliktualitet të lartë ndëretnik. Në momentin kur relaksohen marrëdhëniet ndëretnike atëherë ti duhet të tentosh që të marrësh votë dhe të etnisë tjetër. Kështu ka bërë Zaev për shembull. Kjo e solli në pushtet. Po nëqoftëse e bën Zaev përse mos ta bëjë z.Ali Ahmeti, i cili e ka bërë në fakt duke tentuar të marrë votën e shqiptarëve ortodoksë, por e ka bërë me një lloj ndrojtje për shkak se ka patur frikë se mund të humbasë votat e komunitetit islamik që aty është i fuqishëm.

Si mund të ndikojë Shqipëria në rajon?

Nazarko:  Le të marrim shembullin e atyre që janë kundërshtarët tanë apo rivalët tanë, Serbia. Si ndikon Serbia në faktorin serb në Kosovë?  Nëpërmjet financimit kryesisht. Vuçiç tha, në ballafaqimin me parlamentin e vet, “ne kemi harxhuar në një vit e gjysme 800 milion euro në Kosovë”. Që do të thotë se kush merr ato para, që është Lista serpska, se është besnike e Serbisë dhe nuk ka arsye me ju bind shtetit të komanduar qoftë nga Thaçi, qoftë nga Kurti. Për analogji, nëqoftëse Shqipëria do jepte para për projekte zhvillimore ndaj faktorit shqiptar në Serbi apo në Mal të Zi, mund t’i ndikojë zhvillimin e vet, por ama duke i kushtëzuar, nëpërmjet krijimit të Trupave apo Bordeve multipartiakë dhe civilë që administrojnë këto fonde.

Gazetari: Po a mund të krahasohemi ne me Serbinë, sepse ju thatë pak më parē në kuadrin ekonomik që është një fuqi ekonomike në Ballkan?

Nazarko: Po, shikoni. I ashtuquajturi Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi merr 100 mijë euro në vit prej Serbisë. Pra, ata luftojnë kush t’i marri këto 100 mijë euro. 500 mijë dha Kosova, nuk e di a kanë përfunduar në destinacion, apo po përdoren për fushatë elektorale. Shqipëria dha 100 mijë. Por, nëse dy shtetet do të japin afër 1 milion, siç është premtuar, por ama duke kushtëzuar grupimin e këtyre partive, atëherë shqiptarët shndërrohen me të vërtetë në faktor atje dhe jo thjesht dekor pluralist për Vuçiçin. Unë vetë dikur kam organizuar me Arbër Xhaferin, një konferencë ku analizoheshin pikat e forta të shqiptarëve nga këndvështrimi gjeopolitik. Shqipëria e bashkuar etnike e fillim shekullit XX apo më herët,- trojet ku jetonin shqiptarët, kishin gjithë bekimet e kësaj bote. Kishin porte të rëndësishme, kishin fusha pjellore, male të bukur, kishin liqene, kishin blegtori. Sot ne jemi vërtet të ndarë politikisht me kufij, por nëse e rikrijojmë unitetin tonë ekonomik dhe politik, atëherë ne jemi të pamundshëm dhe jemi faktori më i rëndësishëm në Ballkan.  Prej këtej vinte ideja e Komunuelthit të shqiptarëve në rajon.

Duhet qasje  e re. Shikoni çfarë ka ndodhur për shembull në Mal të Zi.

Gazetari:  Shumë interesant rasti i Abazoviçit!

Nazarko:  Po. Partitë monoetnike që kanë ekzistuar atje-  çfarë kanë bërë? Kanë rritur diferencat midis dy etnive. Shqiptarët veç, malazezët veç. Nuk përzihen me njëri – tjetrin. Nuk mësojnë gjuhën e njeri tjetrit, nuk pranojnë gjurmët e autoktonisë së njeri tjetrit. Kanë patur axhendë kuazi patriotike, por  nuk janë marrë me aspiratat ekonomike të popullsisë. Kjo lloj mospërzierje, ky injorim i faktorit ekonomik, ka sjell tkurrjen, tretjen e faktorit shqiptar atje, largimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhdukjen, ose  ecjen drejt zhdukjes të pakicës katolike që është atje. Ndërkohë Avazoviçi, me një qasje përbashkuese, qytetare, u shndërrua në faktorin politik më të rëndësishëm të hapësirës shqiptare jashtë Shqipërisë. Pse? Ai arriti, me 4 deputetë, të impononte kushtet e veta  në 5 pika me rëndësi themelor në një shtet, i cili mund të dilte nga vatha perëndimore,

Gazetari: Erdhën vetë rrethanat. U bë ‘king maker’ kështu që…

Nazarko:  Po pikërisht! Duke e ditur cili është kompozimi ose përbërja politike e partive atje, duke e ditur që diferenca midis partive pro serbe dhe pro perëndimore është e vogël, atëherë është shumë e lehtë që një kingmaker të vendosë! pse LSI në 2005 e këtej nuk kushtëzoi zhvillimet? Pra është e vetkuptueshme. Diku shqiptarët duhet të përcaktojnë me sasinë e tyre, pra me masën kritike, diku përcaktojnë me të qënit king maker dhe nëqoftëse Shqipëria, që është faktori kryesor, i ndikon subjektet shqiptare në mënyrë të zgjuar, me politika të zgjuara përbashkuese, atëherë Shqipëria shndërrohet në faktorin numër 1 në Ballkan. Një Shqipëri e tillë është një faktor që duhet konsideruar kësisoj dhe nga Serbia kur përballet me Kosovën. Në disa qarqe në Kosovë mbretëron  qasja -“shiko se ne me Serbinë do përballemi vetë”. Cili është rezultati i përballjes vetë?  Ato marrëveshje që sot kontestohen nga Vetëvendosja,  por që duhen respektuar sepse nëse Kosova don të hyjë në OKB, e ka një kusht që është : respektimi i nenit 1 dhe nenit 2 të kartës së OKB-së…

Gazetari: Jo, jo. Ajo u bisedua…

Nazarko:  …duhet të jesh anëtar konstruktiv i familjes së shteteve;  do të thotë të zbatosh marrëveshjet, mos të bësh luftë;  të jesh paqësor

Gazetari: Marrëveshja Kosovë – Serbi është kyçe dhe në aspektin e vetë Serbisë sepse Serbia kushtëzohet nga BE dhe një nga pikat kryesore të kushtëzimit të Serbisë nga ana e Brukselit, Bashkimit Europian, është pikërisht akordi me Kosovën dhe duket sikur Serbia në këtë aspekt është edhe më e avantazhuar se vendet e tjera të Ballkanit, pra disi më e përparuar në proçesin e integrimit në Bashkimin Europian..

Nazarko:  Nuk është vetëm kjo. Serbia e ka rritur peshën e vetë specifike për shkak të të qënit- natyrisht ata e zmadhojnë këtë të qënit urë midis lindjes dhe perëndimit,- po për shkak të ‘flirtimit’, për shkak të tërheqjes së investimeve ruse, kineze, turke, indiane…

Gazetari: Franceze, sepse Franca ka më shumë investime në Serbi

Nazarko: Franca po se po që është e interesuar sot për të ndërtuar metronë e Beogradit, një investim, më duket, mbi 1 miliardë euro. Kështu që në këto rrethana të reja ne nuk mund të sillemi përkundrejt Serbisë si në shekullin XIX, të paktēn të sillemi si në shekullin e XX. Ajo që po ndodh me dialogun është qartësisht situata ku Serbia ka mësuar nga gabimet e veta në Rambujen ku gishti i fajit u vendos mbi të, si palë destruktive. Bërnabiç thotē, përshembull- se duket e ka mësuar dhe ajo fjalorin e Vuçiç që është në stilin klasik serb të viktimizimit,- ne duam ta bëjmë marrëveshjen po ata shqiptarët nuk dëgjojnë, janë destruktivē, na provokojnë, por ne do t’I mbrojmë interest e Serbisë! Serbia në një situatë si kjo luan në mënyrë optimale të gjitha ato që ka avantazh, ama ne nuk jemi duke luajtur. Janë pikërisht këto fërkimet që ndodhën midis Kurtit dhe Ramës e dobësojnë esencën tonë kombëtare. Ju thatë për shembull që Rama ka marrëdhënie të mira me Vuçiç. Kjo është pikë force, nuk është dobësi. Rama nuk e arriti këtë marrëdhënie të mirë duke iu servilosur Vuçiçit, përkundrazi e provokoi atë në vizitën e tij në 2015 duke i thënë që “ju duhet ta njihni pavarësinë e Kosovës” dhe me këtë fakt u bë figurë popullore në Kosovë. Tani Rama ka marrëdhëdhie të mirë me Vuçiç dhe  është  po ai që beri thirrje për të votuar Gjukanoviç, thirrje publike me video, që për mua ishte gabim por për një arsye tjetër. Por për kë dyshon për relacionin Rama Vuçiç, i duhet përkujtuar se Gjukanoviç mbetet armiku kryesor i Vuçiç në hapësirën sllavofolëse në Ballkan. Nuk po flasim për marrëdhëniet e mira të Ramës me kryeministrin kroat, ndërsa dihen relacionet e tyre të vështira me serbët. Sot pra jemi në kushtet kur Rama për shkak të të qënit për një kohë të gjatë në politikën shqiptare dhe rajonale, për shkak të privilegjimit që ka për marrëdhëniet me Turqinë, e ka rritur maksimalisht fuqinë ose subjektivitetin rajonal. Mirpo që të arrijë maksimumin e këtij subjektiviteti duhet që faktori shqiptar të jetë kompakt. Shikoni çfarë ndodhi për shembull në takimin e Tiranës të partive shqiptare në Maqedoni. Ne si komb përcaktuam rotacionin e Maqedonisë. Në Mal të Zi ka ndodhur diçka unike: Abazoviç pa mbështetjen e Tiranës, madje duke e patur Tiranën kundër, përcaktoi rotacionin e një force politike që ishte prej 30 vitesh në pushtet, përcaktoi ankorimin përfundimtar tek vlerat pro perëndimore të shtetit të tij, si njohjen e Kosovës, mostërheqjen e njohjes së Kosovës, mbetjen në NATO, vijimin e procedurës së afrimit me Bashkimin Europian, njohjen e Serbenicës si genocid, gjë që su arrit as nē parlamentin boshnjak. Duhet që Rama të bashkëpunojë me këtë faktorë, me një qasje të re. Ai e ka luksin që ta bëjë këtë gjë. Në kuptimin qē duke patur një raport  siç e ka Rama me historinë pra përpjekje për të lënë gjurmë të lavdërueshme në histori, ai duhet t’i afrohet rajonit dhe faktorit shqiptar me një qasje tërësisht të re.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *