Analiza/ Mustafa Nano për fushatën e Ramës: Pa këto dy ngjarje, me gjasë do kishte humbur








analiza

MUSTAFA NANO

Për Edi Ramën, politika, më shumë se çdo gjë tjetër, është një spektakël…Dhe rolin e tij në politikë ai e përfytyron/ përkufizon si atë të një showman-i. Me fjalë të tjera, për të nuk ka rëndësi se çfarë thua, por ka rëndësi se si e thua. Me fjalë të tjera akoma, ka më shumë rëndësi të promovosh një rrenë bukur, sesa të mbrosh një të vërtetë  mërzitshëm. Ai është shumë stil e pak substancë. Dhe është kështu jo sepse nuk ka  substancë (ka më shumë se aktorët e tjerë të skenës politike), por së pari sepse beson te fuqia e tij stilistike, e së dyti sepse beson që njerëzit në përgjithësi janë të prirur të tërhiqen prej dukjes, fasadës.

Këtë të fundit na e ka bërë të qartë kur i është dashur të shpjegojë ngjyrosjen e fasadave të pallateve të Tiranës në vitet 2000. Ai ka folur me atë rast për efektin e buzëkuqit te nuset e varfra dhe për efektin e fasadave shumëngjyrëshe në psikën e banorëve të Tiranës. Bazuar edhe në këtë tipar të tijin, ai hyri në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit për të  bërë atë që anglezët e quajnë character assassination.Këtë gjë e kishte bërë edhe në zgjedhjet e katër viteve më parë, duke e përkufizuar ironikisht kundërshtarin e tij si “çun të mirë, por pak përtac”. Media pranë tij i bëri jehonë kësaj gjetjeje, dhe ngadalë-ngadalë e shndërroi në një stigmë mbi kurrizin e Bashës.

Në një moment të caktuar, Rama i vuri kundërshtarit të tij nofkën kinse dashamirëse  “king”, të cilën e huazoi nga zhargoni urban i kohës së komunizmit. Kuptimi ishte ai i qëmotshmi: djalë i mirë. Veçse toni ishte paternalist e përçmues. Ndërsa përcaktorin përtac e zëvendësoi me një sinonim më të  bujshëm: “gjumash”. Mediat e “konfirmonin” këtë cilësi të Bashës me një foto të këtij  të fundit, ku ai shfaqet duke bërë pafajësisht një sy gjumë në avion apo me lajme që thoshin se ai kthehej në shtëpi për të fjetur në orët e pasdites.

Si provë për këtë jepej fakti që Basha nuk shihej kurrë pasditeve në qytet, në ndonjë bar apo restorant, duke shëtitur në bulevard apo për ndonjë vrap të lehtë në parkun e madh të qytetit. Ishte e qartë se çfarë Basha kishte synuar t’ia merrnin për  përkushtim familjar, propagandistët socialistë ia shitën për letargji publike. Dhe jo pa sukses. Kjo lloj fushate ngjiti te një pjesë e votuesve. Basha kishte dalë i dobët prej zgjedhjeve të katër viteve më parë. Qeveria disamujore  PD+PS, të cilën Basha e konsideroi në të nxehtë si një fitore të tijën, më saktë si një garanci (mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve) që ai ia  mori “me pahir” kundërshtarit të tij, u lexua më pas prej shumë vetëve, sidomos prej demokratëve, si një kurth që dhelpra Rama ia kishte ngritur qengjit Basha.

Me shumë gjasë, me këto përcaktime (“mashtrues” për Ramën e “naiv” për Bashën), demokratët po ushqenin një paranojë të tyren pas humbjes. Këtë e bënin sepse kishin nevojë për një alibí pas humbjes dhe evidentimi i Ramës si i paskrupullt, i pabesë, i poshtër, ua jepte këtë alibí. Mirëpo, dashje pa dashje, po e vizatonin kreun e partisë së tyre si sylesh e tuhaf, që e hante si pa të keq karremin e kundërshtarit të tij. Sidomos kur ky karrem ishte një copë pushteti. Dhe ishte kjo që Rama e shfrytëzoi në zgjedhjet e fundit. Hapi fjalë gjatë fushatës se ishte i gatshëm të qeveriste vendin në krye të një koalicioni të madh PS+PD, duke lënë të nënkuptohej se për këtë ishte marrë vesh edhe me Bashën.

Synimi: t’u mbushej mendja demokratëve se gjërat ishin kopsitur dhe se vota e tyre nuk  kishte asnjë rëndësi. Ka ende njerëz që e besojnë këtë version dhe u thotë mendja se në  shtator, ose e shumta gjatë vitit tjetër, Shqipëria do të drejtohet nga një qeveri me  Ramën Kryeministër e me Bashën zëvendëskryeministër, sido që nuk ka asnjë  provë mbi ndonjë marrëveshje të tillë parazgjedhore. Ramës i është dashur, sigurisht, të flasë edhe produktin e punës së tij. Nuk mund ta injoronte këtë diskutim. Ai kishte tetë vjet  Kryeministër, e katër vjet duke mbajtur timonin i vetëm në dorë, gjë që e kishte kërkuar  me ngulm. Madje, timoni, tok me tepsinë, kazanin, byrekun e gjetje të tjera gastronomike, u bënë metaforat e fushatës së tij në vitin 2017.

Por rezultatet e premtuara nuk u panë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në katër vitet e fundit, ndodhën edhe dy tragjedi. Mirëpo,  këto dy tragjedi i erdhën Ramës si një “dhuratë nga qielli”, i erdhën pikërisht atëherë  kur ai nuk kishte se çfarë të shiste për sukses e kur atij, shí për këtë arsye, i ishte fikur entuziazmi (shqiptarët kishin ca kohë që nuk mendonin për gjë tjetër, veçse “për me e la kët ven që s’bohet” e për të ikur në Gjermani). Dhe ishin këto tragjedi që e rimotivuan dhe e rigjallëruan si me magjí. Në javët që pasuan tërmetin shkatërrimtar në Shqipërinë e Mesme, ai u pa të vinte rreth nëpër Shqipëri, me synimin për t’i ndenjur punës mbi kokë.

Ai shihej mes rrënojave të pallateve nga mëngjesi në mbrëmje, ku duke u qarë hallin njerëzve, ku duke hedhur batuta, duke e shndërruar gjithçka në një shfaqje  argëtimi e ku duke u ngjallur shpresë atyre që kishin humbur gjithçka. Krahas kësaj, ai u pa të merrte rrugët e botës për të kërkuar ndihmë, të cilën e gjeti. Fill pas “gëzimit” të parë, i erdhi i dyti, pandemia e COVID-19, të cilën e pa si një rast tjetër për të shkëlqyer. “Unë do të shndërrohem në një lypës për vendin tim”, u dëgjua të thoshte më shumë se një herë, dhe shumë njerëzve, teksa e shihnin të vinte rreth me shallvare e tuta sporti, u ngjante njëmend me një lypës.

E bëri një pjesë të publikut të besonte se “shyqyr që u ndodh ai në krye të punëve” dhe se “ai qenkësh i prerë për të drejtuar vendin në momente të vështira”. Edi Rama, i vetëdijshëm mbi efektin e bëmave të tij gjatë këtyre dy tragjedive (“gëzimeve”), gjeti se çfarë të mbante për sukses të qeverisjes. Gjatë fushatës mbeti sa në Thumanë a Mamurras për të përuruar shtëpi banimi, aq edhe në Rinas për të pritur vaksinat. Pa këto dy ngjarje, ai do të notonte në të thatë gjatë fushatës. Nuk do kishte se çfarë të thoshte. Do të ishte i zbuluar ndaj sulmeve të opozitës. E me shumë gjasë, do të humbiste.

* Parathënie e librit “Zgjedhje të pazakonshme & Thyerje të dialektikës”, e shtëpisë botuese “UET Press”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *