Analiza/ Mustafa Nano: Sinqeriteti i një mjeku që pranoi bakshishet dhe pandershmëria e atyre që ua japin! Pse sistemi duhet të reformohet dhe mjeket nuk duhet te arrestohen








Mustafa Nano-Mjeku-bakshishi

NGA MUSTAFA NANO

Dy ditë më parë, gazetari Denis Dyrnjaja kishte ftuar në programin e tij në Top Channel një doktor, një kirurg, të Spitalit të Traumës, me emrin Myftar Torba. E kishte ftuar për të folur mbi disa kolegë të tij të cilët ishin arrestuar një a dy ditë më herët. Doktori foli pa doreza. Ishte hera e parë që shihja një doktor të bënte pohime të tilla kaq të forta në publik.

Midis të tjerash ai tha se: “Nëse nesër, ne doktorëve të spitaleve publikë, apo stafit rreth nesh, do të na ndalohet të marrim bakshishe, atëherë asnjëri prej nesh nuk ka për të mbetur në punë.” Është një deklaratë me të vërtetë e fortë. Ai tha me fjalë të tjera se të gjithë doktorët marrin bakshishe. Një sinqeritet çarmatosës që rezultoi të ishte edhe vetvrasës, sepse një numër njerëzish të pakënaqur nga kjo deklaratë, të shokuar nga kjo deklaratë, kanë publikuar komentet e tyre. Ata nuk ia falnin doktorit dhe çfarë nuk thoshin në adresë të tij. “Turp, turp, turp të kesh!” Ky ishte mesazhi që ata përcollën.

Janë të ndershëm këta komentues? Jo, nuk janë të ndershëm. Ata shtiren sikur nuk dinë asgjë. Shtiren sikur po e dëgjojnë për herë të parë këtë gjë, e cila në këtë rast doli nga goja e një doktori. Shtiren sikur nuk janë ata që paguajnë bakshishe.  Madje, me shumë kënaqësi. Edhe kur pinë një birrë në mes të vapës këto ditë provojnë një kënaqësi më të vogël sesa provojnë kur i japin bakshish një doktori, i cili u është ndodhur pranë dhe i ka shërbyer një të afërmi të tyre. Dhe janë të njëjtët njerëz që një doktor të tillë, i cili thotë gjëra që të gjithë i dimë, në vend ta shohin si një njeri që ka gjetur një mënyrë apo rrugë brutale e të drejtpërdrejtë për të denoncuar a ekspozuar një realitet, e shohin si një njeri i cili sapo ka pranuar një krim. Duke harruar se është një krim ku jemi bashkëpunëtorë që të gjithë.

Në fakt, për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, një doktor i cili merr bakshish, shkel ligjin. Sepse ligji është shumë i qartë: të gjitha shërbimet në spitalet publike ofrohen falas. Mirëpo, ligjin po e thyejnë që të gjithë. Në këto rrethana ne duhet të bëjmë një pyetje: Pse ligjin e thyejnë që të gjithë? Me ketë pyetje duhet të nisë diskutimi. Mua më kujtohet një thënie, e cila më duket se vjen nga holandezët. Mesazhi i saj është: kur pjesa më e madhe e shoqërisë nuk respekton një ligj, zgjidhja nuk është burgosja e personave që e shkelin ligjin. Zgjidhja është të ndryshosh ligjin. Me këtë dua të them se zgjidhja është të ndryshohet sistemi, organizimi i sistemit tonë shëndetësor. Konkretisht, ndryshimi është shumë i thjeshtë. Spitalet tona publike duhet të futen në treg. Kjo do të thotë që ne pacientët potencialë do të paguajmë një taksë ekstra? Jo domosdoshmërisht.

Nuk është e thënë. Unë mendoj se ajo shumë e madhe parash e buxhetit të shtetit që përdoret për të mbajtur në këmbë sistemin tonë shëndetësor, do të dalë e teprojë për një sistem të reformuar shëndetësor. Por edhe sikur të ishte ndryshe, sikur të na duhej të paguanim një taksë ekstra, atëherë këtyre njerëzve që ngrenë zërin kundër kësaj praktike, do t’u thoja: Pse ju dhemb kjo gjë? A nuk është kjo çfarë keni bërë deri tani? Ndryshimi është i thjeshtë: paratë që keni dhënë nën banak, tani do t’i jepni mbi banak.

A kërkoni shërbim të mirë e cilësor? A kërkoni që doktori i cili ju ka shërbyer me përkushtim maksimal t’ju japë edhe një kafe pasi ka bërë këtë gjë? Ka vetëm një rrugë: spitalet publike duhen futur në treg, duhen bërë kompetitivë. Ata duhet të funksionojnë me logjikën me të cilën funksionojnë edhe spitalet private. Kjo do të thotë se një doktor që është i zoti, do të paguhet më shumë sesa një doktor që është i pazoti. Kirurgu tek i cili duan të shkojnë të gjithë për të bërë një ndërhyrje kirurgjikale, duhet ta ketë rrogën më të madhe, jo vetëm në krahasim me kolegët e tij, por ai duhet të ketë një rrogë më të madhe edhe sesa rroga e kryeministrit të Republikës.

Dhe e kundërta. Një doktor që nuk punon, që nuk është i zoti, duhet të ketë një pagë të ulët, e madje duhet të largohet fare nga sistemi. Ashtu si duhet të largohen edhe shumë njerëz që janë të tepërt në sistem, sepse janë emëruar nga partia për të bërë qoka, për të shpërblyer disa njerëz që kanë dhënë kontribute të caktuara politike, apo elektorale. E shumë gjëra të tjera si këto. Kjo është ajo që duhet bërë. Kjo është zgjidhja.

Duhet reformuar sistemi. Dhe duhet ndaluar arrestimi i doktorëve. Ndryshe, do të vijë një ditë kur ne do të kërkojmë ndihmë nga personat që punojnë në SPAK për nevojat dhe problemet tona shëndetësore./ Marrë nga emisioni “Arnautistan”!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *