ANALIZA/ “Nihilizmi i mbështetësve të z. Berisha! Nëse s’je me ish-kryeministrin, s’ke asnjë vlerë për PD-në dhe opozitën”








VEHAP KOLA

VEHAP KOLA

Po ndiqja sot ushtrinë e komentuesve nihiliste tek qëndrimi publik i deputetit të qarkut Kukës, z.Flamur Hoxha në lidhje me zhvillimet në PD.

  Për ata që nuk e njohin, Flamur Hoxha është rritur në internim, familja e tij është persekutuar e përvëluar nga diktatura dhe pas vitit 1990 është ngritur nga hiri i tij me përpjekjet e tij duke patur me vete vetëm Zotin. Shkollimi, familja, biznesi, botimet dhe kontributi për të djathtën janë krejt meritë e gjenialitetit dhe kurajos së tij.

Thënë këto, komentuesit e pakënaqur nga mosprania e tij në takimin e Berishës në Kukës i kishin “ra mohit” gjithçkaje që ai përfaqëson. Marr shkas nga sulmi ndaj Flamur Hoxhës për të përkufizuar një proces nihilizmi që po zhvillohet në mesin e mbështetësve të z. Berisha. Nëse s’je me Berishën në këtë nisëm të tij, nuk ke asnjë vlerë për PD-në dhe opozitën ndaj regjimit të Ramës.

Strategji të tilla propagande janë të njohura për modernitetin dhe Edi Rama i ka përdorur gjerësisht vitet e fundit. Politologu dhe konstitucionalisti gjerman Carl Schmitt është i njohur për teorinë e tij të domenit qendror. Sipas kësaj teorie, nëse një domen (sferë, fushë) i caktuar fiton pozitë qendrore, “atëherë problemet e domeneve të tjera zgjidhen në termat e domenit qendror – ato konsiderohen probleme dytësore, zgjidhja e të cilave do të kërkohet, sigurisht, vetëm nëse problemet që i përkasin domenit qendror zgjidhen”.

Me këtë ide në kokë, mbështetësit e z. Berisha i janë lëshuar kujtdo që nuk është me të në këtë iniciativë duke e akuzuar për tradhëti, konspiracion kundër PD-së, marrëveshje me Ramën, të shitur, të blerë e të marrë peng. Kur ata i vërsulen edhe Flamur Hoxhës, më bën të kuptoj se i gjithë sistemi i vlerave të këtyre opozitarëve është kthyer me kokë poshtë dhe e vetmja vlerë e tyre duket se është Sali Berisha.

Ai është rruga. Ai është ringjallja. Ai është jeta. Tani hajde merre vesh se cila është rrugëdalja me këta demokratë nihilistë. Nuk pranojnë asgjë më pak se rreshtimin pas z. Berisha dhe konsiderojnë çdo mosbindje si fundin e rrugës me ta. Me këtë mendësi është e pamundur të ndërtosh bashkë.

Objektifikimi i idesë së tyre politike tek z. Berisha e vulos edhe fatin e tyre si një rrymë romantike që është e destinuar të shkojë drejt zhdukjes në politikë. Sepse njerëzit nuk janë të përjetshëm, idetë edhe janë. Aq më e mundshme është kjo po të marrësh parasysh që objektifikimi vjen bashkë me nihilizmin e çdo vlere tjetër në të djathtë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *