ANALIZA/ Pëllumb Xhufi zbërthen lëvizjen e Berishës dhe sulmet ndaj Bashës: I dogji fort fermani i administratës së Biden! Ka një nuhajtje prej qeni kur….








Pellumb Xhufi-analiza-Berisha-basha-idogji-fermaniHistoriani i njohur, Pëllumb Xhufi ka analizuar sot në një shkrim për gazetën ‘Dita’, vendimin e SHBA për të shpallur non grata ish kryeministri Berisha, si edhe lëvizjet e këtij të fundit pas pezullimit nga kreu i PD, Lulzim Basha.

“Siç e ka zakon, është vetëshpallur anëtar me të drejta të plota i klubit të ri. I ka djegur fort fermani i administratës Biden, përderisa sa hap e mbyll sytë iu bë e urryer targa e “demokratit” e u vu në kërkim të një strehe në hanin politik të radhës. S’ke ç’thua, z. Berisha ka një nuhatje prej qeni.” shkruan nder te tjera Xhufi.

Prof. Pëllumb Xhufi

Siç po dëgjojmë, z. Sali Berisha paska shpallur urbi et orbi fenë e tij të re: qenka bërë konservator! Pas militancës prej punisti fanatik, pas përvojës së trazuar prej parvenu-je demokrat, doktori i ka hedhur sytë drejt zhvillimeve të reja në krahun e djathtë të politikës botërore, posaçërisht në atë të ekstremit konservator.

Dhe siç e ka zakon, është vetëshpallur anëtar me të drejta të plota i klubit të ri. I ka djegur fort fermani i administratës Biden, përderisa sa hap e mbyll sytë iu bë e urryer targa e “demokratit” e u vu në kërkim të një strehe në hanin politik të radhës. S’ke ç’thua, z. Berisha ka një nuhatje prej qeni.

Në klubin konservator bën pjesë amerikani “tjetër”, ish presidenti Donald Trump. Në arsyetimin e thjeshtë të z. Berisha, ky është “armik për vdekje” i presidentit demokrat Joe Biden. Për rrjedhojë është aleat i tij kundër të dytit.

Kështu, me kërcimin pindarik nga klubi demokrat në klubin konservator, Berisha arsyeton se shpëton nder dhe merr hak ndaj Amerikës “armike”, asaj demokrate, që e lëndoi keqas me shpalljen “persona non grata”. Arsyetim i një njeriu, siç thamë, me nuhatje të hollë, por me inteligjencë politike foshnjarake.

Në fakt, siç e ka provuar në mënyrë të përsëritur karriera e tij tragjike, bota e ideve të z. Berisha është tmerrësisht e varfër e meskine. Ndaj edhe aksioni i tij politik nuk ndjek ide e bindje të qëndrueshme, por përcaktohet nga instinktet e një bote të egër, ku mbijetesa e “unit” sigurohet duke iu lëpirë, me radhë, të fortëve të pyllit, si dhe duke i rrëmbyer prenë e duke i treguar dhëmbët të dobëtëve të tufës.

Në këtë botën tonë shqiptare politikani Berisha është krahasuar ndonjëherë me Ahmet Zogun. Ky, për të ardhur në pushtet, bënte çdo pehlivanllëk e shkelte mbi çdo skrupull moral e politik. Por, kur ia arriti qëllimit, si president e akoma më shumë si mbret, pinjolli i Zogollëve u përpoq, e në mënyrën e tij ia arriti të bëjë një shtet, pavarësisht se Qemal Ataturku na e quajti një herë “mbret i operetave”.

Ndryshe nga ai, z. Berisha e ka masakruar shtetin, si kur ka qenë në opozitë, ashtu edhe kur ka qenë në pushtet. Butaforia e “hallvës” së 28 Nëndorit 2012 në sheshin “Skënderbej”, është metafora e qeverisjes së tij shallvaregjërë. Një imitim banal i divizës cinike të perandorëve të Romës: panem et circenses, d.m.th. “jepi turmës një copë bukë e ndonjë shfaqje cirku, që të rrijë urtë”.

Prandaj, shumë më të shumtë janë ata që e shëmbëllejnë dr. Berishën me Esat Pashë Toptanin. Këtë Perëndia ua dërgoi dhuratë shqiptarëve për të shkatërruar qysh në embrion çdo përpjekje për të krijuar e konsoliduar shtetin shqiptar. Dhe si ai, më zi e më gjatë se ai, prej tashmë 30 vjetësh, z. Berisha po vazhdon veprën e tij shkatërrimtare në dëm të vendit e të popullit të tij.

Si politikan e shtetar, ai mbeti në klasë qysh në gërmën “A” të abetares politike, përderisa i dha “Atdheut” e interesave të tij një kuptim përjashtimisht restriktiv, provincial, krahinor e personal. Edhe flamurin kombëtar, të cilin e merr me vete në çdo shfaqje televizive dhe para të cilit artikulon “pornolali”, kërcënime e marrina të pafund, z. Berisha tashmë e konsideron bajrak personal të tij.
***
Duke lënë mënjanë Ahmet Zogun, duke marrë në konsideratë Esat Toptanin, pashain e pagdhendur e analfabet, ndoshta një precedent politik shqiptar më i përshtatshëm për z. Berisha do ishte arbëreshi Francesco Crispi, agjitator, deputet, ministër e kryeministër i Italisë në vitet 1870-1890.

Bir i një famullitari të thjeshtë nga katundi Palazzo Adriano (Siçili), Crispi u bë revolucionar e antiklerikalist i papërmbajtur pasi u njoh me Mazzinin dhe me Garibaldin. Por kur arriti të ngjisë shkallët e pushtetit, Crispi i hyri një procesi transformimi, duke marrë shëmbëlltyrën e një konservatori, të një papisti, më tej të një monarkisti, e në fund, të një diktatori fashistoid.

Ish republikani revolucionar arriti të deklarojë në Parlament se “monarkia na bashkon, kurse republika na ndan”, duke skandalizuar mentorin e dikurshëm ideologjik të tij, Giuseppe Mazzinin.

Biografët e tij e përcaktojnë Francesco Crispin si “një person autoritar, intolerant ndaj kritikave parlamentare, zbatues i metodave represive e policeske ndaj lëvizjeve anarkike e socialiste. Hiqej sikur mbronte autoritetin e shtetit kur në fakt synonte të mbronte veten e tij nga skandalet e shumtë në të cilët u përfshi… E mbante gjallë tërbimi, siguria se kishte gjithmonë të drejtë dhe instinkti i lashtë i hakmarrjes… Evolucioni autoritar i Crispit në vitet e fundit të jetës paralajmëroi lindjen e fashizmit, duke e kthyer atë në një apostull të tij” (S. Romano, Crispi, Roma: Bompiani, 1986).

Megjithëse politikan me pozita të larta në Italinë fqinje, ky shqiptar gjakshprishur nuk e tha një fjalë të vetme për Shqipërinë. Në vitet 1870 parashikoi krijimin e një sërë shtetesh të pavarura në Ballkan mbi gërmadhat e Perandorisë Osmane. Madje është i pari politikan evropian që parashikoi deri edhe krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë.

Por nuk i shkoi ndërmend ta shihte të tillë atdheun e të parëve, Shqipërinë. Ishte marrosur aq shumë pas kotësisë së vet, saqë të pretendonte se rrënjët e tij ishin në Romë, ku në kohët antike ekzistonte fisi me emrin Crispa! Në jetën e tij pati disa gra, asnjërën prej tyre nga komuniteti i arbëreshëve, ku bënte pjesë vetë.

Ambicieve dhe delirit të tij të madhështisë i dha një dackë të fortë pikërisht ai që Crispi e konsideronte idhullin e tij politik, kancelari i plotfuqishëm gjerman, Bismarck, gjatë një takimi me të në vitin 1878. Pasi i kishte folur gjatë për veten, për vizionin e tij për të ardhmen e Italisë si një shtet i fuqishëm nën shembullin e Gjermanisë, në fund Crispi kërkoi mendimin e junkerit plak lidhur me dëshirën e tij, të Crispit, për ta kthyer Italinë në një fuqi koloniale.

Kronika e kohës thonë se veteranin prusian e kishte bezdisur aq shumë monologu i politikanit të vogël italo-shqiptar nga Sicilia, saqë e vari buzën e trashë për të murmuritur përgjigjen ironike: “Çdo thonit nëse, si fillim, t’ju propozoja…aneksimin e Shqipërisë”? (Th. Palamenghi Crispi, Die Memoiren Francesco Crispi’s. Erinnerungen und Dokumente, Berlin, 1912).

Sigurisht, Crispi nuk e kuptoi ironinë therëse të atyre fjalëve, i interpretoi ato si një “leje për të pushtuar”, ndaj edhe i botoi plot entuziazëm në gazetën e tij “La Riforma”. Por gazetat e tjera italiane u mbushën me komente e karikatura të pamëshirshme për “italo-shqiptarin që poshtëroi Italinë, duke rënë në provokimin e kancelarit gjerman”.

Gjatë turneut të tij evropian në 1878, një tjetër politikan i rëndësishëm, ministri i jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Andrassi, i dha një tjetër leksion politik Francesco Crispit. Ky po i tregonte bashkëbiseduesit për sukseset e politikave ekonomike, fiskale e doganore të shtetit të ri italian, për forcimin e rendit, shtypjen e lëvizjeve fshatare e të grevave punëtore, zhvillimin e industrisë e lulëzimin e latifondeve, deri sa në një moment Andrassi e ndërpreu, duke bërë të habiturin:

“Ju, zotëri, po më flisni për politika konservatore, e pra antipopullore. Prandaj pyes: ku ka përfunduar revolucionari, që unë kam njohur dikur tek personi juaj”? Në kujtimet e tij, Crispi mburret se i dha një përgjigje “të merituar” kontit Andrassi: “Unë isha revolucionar për sa kohë luftohej për ta bërë Italinë. Tani Italia u bë, dhe unë punoj për ta konservuar (ruajtur) atë: ja pra pse jam kthyer në një konservator”.

Kësaj radhe, konti austro-hungarez, që kishte lindur pronar i çerekut të Hungarisë, ia preu hidhur birit të famullitarit të varfër italo-shqiptar:
“Zotëri, konservator lind, nuk bëhesh”.

***
Këto historira, ndoshta ndihmojnë të inkuadrohet më mirë historia dhe personazhi Berisha në vështrim të aberacionit të tij të fundit politik. Përndryshe, është vërtet e vështirë të përcaktohet vendndodhja kombëtare, sociale, kulturore, ideologjike e politike e një individi ambicioz e egocentrik, i privuar nga çdo lloj bindjeje, skrupulli, ideali e dashurie.

Ashtu si dikur Crispi i servilosej Bismarckut, për 30 vjet me radhë z. Berisha u është lëpirë të huajve, duke u përgjëruar për vokacionin e tij të patundur demokratik, për dashurinë e besnikërinë e tij për SHBA e BE-në.

Të shumtë kanë qenë personalitetet e larta euro-atlantike, që janë ndjerë të bezdisur nga hovet prej demokrati të Berishës. E dinin mirë se ky, nën hundën e tyre punonte për të ngritur pushtetin e vet autoritar, ndaj dhe ia kanë prerë shkurt që ta linte mënjanë dashurinë për SHBA e BE-në, për to kishte kush mendonte e kush vendoste: ai dhe politikanët shqiptarë duhet të mendonin e të punonin për vendin e popullin e tyre.

Por z. Berisha kishte plane të tjera. Për 30 vjet i përdori shqiptarët për të shantazhuar Perëndimin e pakënaqur ndaj tij, duke kërcënuar me “hedhjen në erë të Ballkanit” në rast “shkishërimi”. I përdori shqiptarët në marrëdhëniet problematike me perëndimorët, njëlloj si përdori brenda vendit “dosjet e korrupsionit” për të shantazhuar, sa majtas aq edhe djathtas, disidentët brenda PD dhe kundërshtarët e tij politikë.

Për një moment, iu duk vetja aq i plotfuqishëm, sa mori edhe veset e Pashait Toptanas. E kështu, më në fund, erdhëm tek rrufetë që lëshuan zotat e zëmëruar të Washingtonit, të cilat ia dogjën përfundimisht Berishës shanset për të fituar pushtet e për të bërë pasuri duke u hequr si demokrat, atlantist e nacionalist.

Ndaj i ka hedhur sytë tek e djathta e re, që është shfaqur kohët e fundit në skenën e politikës, sa në SHBA aq edhe në Evropë dhe që ka grumbulluar rreth vetes lëvizjet raciste, ksenofobe, antisemite, sovraniste, suprematiste, parafashiste e fashiste, pra, të gjithë atë fex mundi, që frymëzohet nga instikti i intolerancës, urrejtjes dhe i shkatërrimit.

Gjithsesi, përpjekja për t’iu qasur ish presidentit amerikan Trump duket e dështuar. Presidentët amerikanë, edhe kur kostumi demokratik iu rri paksa ngushtë, i kanë zët diktatorët e vegjël, që kërkojnë miqësinë e tyre. E ka thënë fare shkoqur z. Gary Kokalari: “z. Berisha është vetëm një puçërr në… fundshpinën e Trumpit”.

Ish presidenti miliarder, sado difektoz në marrëdhëniet me shtetin dhe me interesin publik, nuk mund të honepsë një intrigant të vogël të Ballkanit, i cili në shtator 2013 guxoi t’u bëjë SHBA-ve sfidën më të rëndë që një politikan shqiptar i ka bërë superfuqisë së botës, duke i prirë turmës së tij të paformë në rrethimin e ambasadës amerikane.

Trumpi, gjithashtu, nuk mund të tolerojë që një kryetar i katundit Shqipëri të bënte rrush e kumbulla paratë që SHBA ka shpenzuar ndër vite për të ndërtuar këtu shtetin e së drejtës dhe një ekonomi funksionale të tregut. Ndaj, ishte pikërisht ai, Trumpi, që emëroi në Shqipëri ambasadoren Juri Kim, objektin e urryer të stigmës berishiane.

Ishte gjithashtu administrata Trump ajo që, në stinën e sulmeve të dhunshme kundër institucioneve, pranverë-verë 2019, e kërcënoi frymëzuesin dhe prijësin e tyre se do ta shpallte PD-në organizatë terroriste nëse vijonte në politikën e saj të rrugës e të dhunës.

Se ç’mendon administrata e re amerikane e presidentit Biden për z. Berisha, veç atyre që artikuloi qartë e prerë Sekretari Blinken, këtë më mirë se kushdo e di z. Philip Reeker dhe z. Basha, i cili, siç pohoi vetë, mësoi diçka tronditëse e të padëgjuar për Doktorin, gjatë takimit që pati me z. Reeker në korrik 2021.

Me shpresë, z. Basha do e tregojë një ditë se ç’ishte ajo gjë “e padëgjuar” që ai mësoi nga Philip Reeker për z. Berisha. Përndryshe, shqiptarët do detyrohen ta marrin me mend. Dhe, kur kur bëhet fjalë për Sali Berishën, shumicës së shqiptarëve ku nuk i shkon mendja!

Ndaj, në kushtet e sikterisjes pa kthim nga ana e amerikanëve, qofshin këta demokratë e qofshin konservatorë, mbetet të hamendësohet se cilët mund të jenë përfaqësuesit e konservatorizmit evropian të cilëve ka zgjedhur t’u ngjitet xhongleri ynë “i rilindur”.

Nisur nga fakti se për t’u mbrojtur nga Amerika “i kërkoi ndihmë” drejtësisë franceze, mund të mendohet se në Francë duhet kërkuar edhe idhulli më i ri i neo-konservatorit Berisha. Vështirë të jetë Marine Le Pen, liderja e së djathtës radikale franceze. Ajo, ndonëse me dhimbje, ka vendosur ta bëjë luftën e saj brenda institucioneve.

Më i përshtatshëm për shijet e z. Berisha do të ishte Christophe Chalençon, lideri i “jelekverdhëve” të dhunshëm që kohë më parë terrorizuan e dogjën Parisin e qytetet e tjera të Francës. Produkt tipik i subkulturës franceze, tornitori i paarsimuar e i pagdhendur, pas një “nxemje” disamujore me sulme vandale kundër policisë e institucioneve, në 23 dhjetor 2018 paralajmëroi se në janar do fillonte luftën civile.

Nuk mungoi t’i bëjë thirrje ushtrisë të rebelohej dhe të bashkohej me skuadronet e tij të dhunës për të përmbysur rendin kushtetues. Chalençon nuk mungoi gjithashtu të bëjë të ditur edhe emrin e kryetarit të ri të qeverisë, që do të ishte një ushtarak i zgjedhur prej tij, gjenerali de Villiers. Kuptohet, postin e presidentit ia taksi vetes.

Dhe si për të plotësuar ciklin hitlerian të ferrit, në shkurt 2019 skuadristët e Chalençon-it sulmuan e përdhosën varrezat hebraike në Alsas si dhe tentuan të linçojnë mu në mes të Parisit filozofin e njohur me origjinë hebraike, Alain Finkielkraut.

Sulmet e dhunshme të vitit 2019 kundër parlamentit e kryeministrisë në Tiranë, të organizuara e të orkestruara si gjithnjë nga S. Berisha, thirrjet drejtuar policisë, njëlloj si në 1991, për të braktisur detyrën e për t’u bashkuar me turmat e hazdisura, prania në radhët e protestuesve të dhunshëm të një kontigjenti të rinjsh me uniforma e sjellje naziskine, iu dukën shqiptarëve, e me të drejtë, si një imitim i bëmave të “jelekverdhëve” francezë.

Kështu, nisur nga metodat e dhunshme, nisur edhe nga urrejtja për “çifutin” Soros, makar nisur edhe nga dashuria e fshehtë për Francën, u duk se simpatitë e zotit Berisha anonin nga “jelekverdhët” francezë. Por, miti i tyre ndërkohë është shuar, dhe Chalençon është kthyer në fshatin e origjinës, ku me tornon e tij bën të vetmen gjë që di të bëjë: bullona për qerre e makina bujqësore.

Kështu, Berishës i mbeten “konservatorët” gjermanë, që hmmm, kanë një histori për të patur zili! Por këta janë seriozë e nuk pranojnë “xhaketa të kthyera” në radhët e tyre.
Kështu që i vetmi aleat i mundshëm që ofron tregu evropian i lëvizjes së re konservatore, mbetet italiania Giorgia Meloni, kryetare e partisë që sot quhet “Vëllezër të Italisë”, që dje quhej “Lëvizja Sociale Italiane” dhe që pardje quhej “Partia Fashiste Italiane”.

Edhe kjo si Berisha po mundohet t’i fshehë ndjenjat e saj të vërteta duke folur gjithnjë e më shpesh për “lëvizjen e re konservatore” që po pushton Evropën e Amerikën. Zonja Meloni e mban një këmbë në parlament, e këmbën tjetër në rrugë, ku militantët e saj organizojnë sulme të dhunshme ndaj institucioneve demokratike e selive të partive politike.

Së fundi, duke u kamufluar si “no-vax”, tentuan edhe një grusht shteti të stampës fashiste, si ai i Musolinit në 1922. Nuk është thjesht një detaj fakti që zonja Meloni mban mbiemrin e Gjeneral Melonit, Zv. Luogotenent i Italisë fashiste në Shqipëri në vitet 1939-1943, i cili e ka patur dorën e rëndë ndaj antifashistëve shqiptarë.

Por këto nuk e shqetësojnë aspak z. Berisha. Nisur nga retorika dhe nga veprimet e tij, personazhe e veprime si ato që u përmenden më sipër përfaqësojnë modelin dhe shkollën e stinës së tij të fundit politike, të konservatorizmit radikal, thënë ndryshe: të lëvizjes neo-fashiste.

Në fund të fundit, politika e dhunës dhe e sulmeve skuadriste mbi institucionet demokratike dhe kundërshtarët politikë kanë qenë tiparet kryesore të sjelljes së tij politike edhe kur ai fshihej nën lëkurën e “demokratit”.

Dhuna është tipari i vetëm, ndaj të cilit z. Berisha ka treguar koherencë të habitshme në këta 30 vjet të karrierës politike. Me sa duket dhuna tek ai është çështje geni. Ndaj, çudia në zhvillimet e fundit në kampin e djathtë nuk qëndron tek “ringjallja” politike e z. Berisha.

Çudia qëndron tek ata “qëndrestarë”, të cilët sot, 25 vjet pas marrisë që çuditi botën, i venë pas edhe në këtë turravrap të tij të fundit. Këta, më së paku duhet t’u thonë shqiptarëve nëse vërtet janë të bindur që idhulli i tyre, Doktori, ka ndryshuar diçka për mirë në raport me vitin 1997.

Nëse nuk flasin, sepse kanë hall, ne të tjerët që kemi cenin e humbjes së kujtesës, le të lexojmë se ç’shkruante për Berishën në mars 1997, vitin e marrisë së madhe, gazeta më e madhe amerikane, “New York Times”:

“…Presidenti shqiptar, S. Berisha, është përkrahës i një vije të ashpër. Ai premton se do përdorë grusht të hekurt (iron hand) për t’i dhënë fund demonstratave…Në përpjekje për të mbytur qëndresën në rritje, ai u vetëdeklarua president edhe për pesë vjet të tjerë, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme që i jep të drejtë policisë të qëllojë në mish mbi protestuesit, nxori dekrete që e rëndojnë edhe më shumë atmosferën e terrorit midis gazetarëve dhe politikanëve të opozitës. Duket se vetë presidenti Berisha e ka krijuar kaosin e armatosur në Tiranë për të mbrojtur veten nga kryengritja popullore. Strategjia e tij e hapjes së depove të armëve për përkrahësit e vet, në mënyrë që me ta t’i bëjë ballë revolucionit popullor, duket se për momentin ka dhënë rezultat. Por kjo, ndërsa i ka mundësuar Berishës të mbajë nën kontroll policinë e tij të gjithëpushtetshme dhe mediat shtetërore, nga ana tjetër i ka kushtuar jashtëzakonisht shumë vendit. Prof. Thomas Friedman deklaron se kjo situatë është krijuar ngaqë Shqipëria u kthye në vendin e një kleptokracie ekstreme të tregut të lirë…Dhe presidenti Berisha, pasi në pesë vjetët e mandatit të tij e zhyti vendin në një kaos të armatosur, tani i bën thirrje forcave të armatosura të rrethojnë Tiranën, pavarësisht që ushtria e tij ka avulluar dhe kontrolli i tij mbi rojën e vet personale është fare i pasigurt. Shqipëria rrezikon të zhytet në anarki apo të bëhet pre e një diktature brutale…”

(The New York Times, Index 1997. A Book Record, vol. 85, New York, 1998, f. 40)./

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.