ANALIZA/ Preç Zogaj: Marrëdhëniet me SHBA si devizë demokracie dhe atdhetarie! Si nisi krisja e raporteve të PD me amerikanët gjatë çadrës dhe ndërlikimet me shpalljen ‘non grata’ të Berishës






Prec-Zogaj1PREÇ ZOGAJ

Ndryshe nga aleancat e periudhës së  komunizmit me ish-Bashkimin Sovjetik të Stalinit apo me Kinën e Mao Ce Dunit më vonë, që lidheshin e zgjidheshin nga regjimi, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe BE janë para së gjithash një zgjedhje e njerëzve, e popullit.

Dje dhe sot. Duke qenë të tilla, me bazë popullore, këto marrëdhënie janë automatikisht kusht dhe garanci për suksesin e partive dhe qeverive që dalin prej tyre.

Asnjë forcë politike nuk mund të fitojë apo të qeverisë këtu me një platformë antiamerikane. As të hapur, as të kamufluar. Kjo jo sepse e pengon SHBA, por sepse nuk e votojnë zgjedhësit. Të vetëdijshëm se një platformë antiamerikane është hëm antidemokratike, hëm shprehje e mosmirënjohjes së pacipë ndaj një vendi që i ka bërë vetëm të mira kombit shqiptar.

Duhet sqaruar njëherë e mirë se marrëdhëniet e partive tona dhe drejtuesve të tyre nuk mund të jenë me një SHBA abstrakte, apo me popullin amerikan në tërësi. Miqësitë me popullin e mes popujve zhvillohen në një regjistër tjetër. Ne jemi miq me shumë popuj të botës. Marrëdhëniet politike janë me institucionet dhe qeverinë amerikane. Duke filluar me ambasadën në Tiranë e duke vazhduar me Departamentin e Shtetit, me Pentagonin, me agjencitë e Inteligjencës dhe Hetimit, me Kongresin e Senatin, me Shtëpinë e Bardhë e Presidentin, jashtë institucioneve, marrëdhëniet në fjalë janë retorikë boshe.

Duket të nënvizojmë gjithashtu se themeli, kuadri dhe boshti i amerikanizmit është demokracia, vlerat dhe standardet e saj. Në lidhje organike me këto vlera edhe bashkëpunimi i gjerë dypalësh, koordinimi për çështje dhe qëndrime të ndryshme, kryesisht për ato me karakter strategjik, bashkëpunimi në kuadrin e NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Marrëdhëniet zyrtare me institucionet, sikurse edhe ato personale me politikanë të ndryshëm amerikanë, përcaktohen dhe zhvillohen pikësëpari brenda këtij kuadri të gjerë.

Sado i përmbledhur, ky përshkrim e përjashton nga një anë jesmenizmin e vendeve më të vogla, aleate me superfuqinë dhe konfirmon nga ana tjetër sovranitetin e tyre kombëtar në suazën e familjes euroatlantike ku bëjnë pjesë. SHBA kanë lindur dhe funksionojnë mbi vlerat e lirisë, në një diversitet shumë të pasur pikëpamjesh, përveçse racash e kulturash. Mund të jesh kundër tyre për qëndrime konkrete të ndryshme. Kemi disa raste kur qeveritë apo subjektet politike të Shqipërisë nuk janë konformuar me qëndrimin amerikan dhe kjo nuk ka sjellë asnjë gërvishtje në marrëdhëniet dypalëshe.

Përkundrazi! Ndërkaq, përplasja me SHBA e drejtuesve politikë dhe institucionalë shqiptarë është e pashmangshme, herët a vonë, kur cenohen parimet e demokracisë, siç janë sundimi i ligjit, llogaridhënia, transparenca, hetimet e pavarura; kur cenohet korniza e angazhimeve të përbashkëta në rrafshin gjeopolitik dhe sigurisë; kur korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ngrihen në sistem duke prodhuar si pasojë bllokimin e demokracisë dhe një terren pjellor për politikat dhe taktikat destabilizuese të fuqive anti-NATO dhe anti-BE. Qëndrimet e SHBAsë në këtë rast jo vetëm nuk bien ndesh, por e shërbejnë sovranitetin tonë kombëtar. Shqipëria është një vend sovran brenda parimeve të lirisë, brenda NATOs sot dhe BE-së nesër. Po t’ia heqim këto, Shqipëria do të kthehej në të ashtuquajturin sovranitet të qeverisjes së mbyllur, të cilin e kemi provuar dhe e dimë se është fatkeqësi për popullin.

Zhvillimi realist dhe konkret, me një sens reflektimi, i temës së marrëdhënieve me SHBA, do të projektonte një perspektivë të sigurt suksesi të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi. Pa u kthyer shumë prapa në kohë, analiza dhe reflektimi mund të fokusohen te disa ngjarje që kanë ndodhur vitet e fundit. Ngritja e së ashtuquajturës çadër të Lirisë në shkurt të vitit 2017, shënon momentin kur marrëdhëniet e PD me SHBA, por edhe me BE regjistrojnë pikëpyetje, ambiguitet, plasaritje e madje thyerje përcaktuese për çfarë do të ndodhte dhe ndodhi në katër vitet në vijim. Filloi me bashkimin e kërkesës për largimin e Kryeministrit Rama, një kërkesë legjitime e opozitës, e paparagjykueshme nga askush, me deklarimin për të mos votuar komisionet parlamentare ad-hok të Reformës në Drejtësi që do të shënonin fillimin e ngritjes së organeve të kësaj reforme.

Në këto komisione, falë demarsheve të zonjës Viktoria Nuland, zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit, PD-së i ishte dhënë një përfaqësimin e barabartë me shumicën socialiste. Pra, i ishte dhënë e drejta e vetos. Deklaratat nga selia blu se do t’i votonte komisonet ad-hok kur të vinte në pushtet, bënë që aleatët të gjendeshin papritur në keqbesimin e saj. Të imagjinoje realizimin e dorëheqjes së Ramës duke bllokuar Reformën në Drejtësi, do të thoshte të besoje se politika ishte prishur. Por politika nuk ishte prishur e nuk prishet.

Në kupolën e saj, opozita ishte në një keqkuptim të dyfishtë, njëri i madh, tjetri i vogël. Për të voglin, që na flet për lajmet se Edi Rama po zbrazte zyrën, duke e hutuar opozitën që nuk priste kaq shpejt dorëzimin e tij, nuk ka vlerë të flitet sot, pasi do të duhen shumë rreshta dhe të gjitha ngjyrat e një komedie politiko-mediatike. Keqkuptimi i madh lidhej me idenë se Presidenti Tramp, i porsainstaluar në Shtëpinë e Bardhë, do të mbështeste opozitën në Tiranë për Reformën në Drejtësi. Ky ishte një lexim alla shqiptar i rrotacionit të pushtetit në SHBA, lexim i cili injoronte faktin se gjithë çfarë ka pasur e ka të bëjë me Shqipërinë e kombin shqiptar, qeveritë dhe presidentët e SHBA-së e kanë pasuar e zhvilluar nga demokratët te republikanët e anasjelltas.

Segmente të opozitës shqiptare kishin vënë ndërkaq në lëvizje gjashtë senatorëve republikanë, të cilët përmes një letre i bënë me dije në atë kohë Sekretarit të Shtetit, zoti Tillerson, pretendimet “nga udhëheqës të respektuar” në Shqipëri se Zyra e Fondacionit Shoqëria e Hapur (Fondacioni Soros), me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto “reforma” kanë për synim t’i japin Kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë”, thuhej në letër.

Me llogaritë alla shqiptare pritej që me t’u njohur me ketë bëmë të zotit Soros, kundërshtar i madh, për të mos thënë armik i Presidentit Tramp, administrata duhej të brofte në këmbë për ta hedhur në kosh. Por historia dihet si shkoi: Presidenti Tramp dhe administrata e tij e mbështeten pa rezerva gjatë gjithë mandatit katërvjeçar zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Opozitës shqiptare apo më saktë “disa udhëheqësve të saj” u mbeti vetëm ekspozimi i kundërshtimit të kësaj reforme, pasi e kishin votuar me unanimitet në Kuvendin e Shqipërisë.

Dashamirësit e tij në Tiranë, përfshirë tektuk ndonjë deputet të partive aleate, i thanë Lulzim Bashës të mos vonohej në votimin e komisioneve ad-hok, pasi në fund të herës do t’i votonte pa falënderime. Siç edhe ndodhi tre muaj më vonë me ardhjen në Tiranë të zyrtarit amerikan Hoyt Lee, për të cilin u tha se përdori metoda të avancuara.

Kronika e katërvjeçarit të fundit numëron disa ngjarje dhe hollësi të ngjashme. Për të ardhur dy ngjarje kulmore: djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, vendime të kundërshtuara fuqishëm nga SHBA dhe BE. Sado të shumta të ishin arsyet që çuan në marrjen e këtyre vendimeve, Perëndimi nuk do të mbështeste kurrë një precedent që e bën lëmsh demokracinë; Europa zyrtare do të përshtaste leximin amerikan të këtyre dy vendimeve.

Të vjen keq që për shumë muaj pas djegies së mandateve, miqtë dhe partnerët amerikanë janë parë duke ngjitur shkallët e selisë blu vetëm për të transmetuar një “mos” apo për të bërë të ditur kufijtë e së papranueshmes prej tyre. Në këtë inerci, opozita erdhi në zgjedhjet e 25 prillit. Por nuk mund të shkojë përpara pa e rimarrë qartë si në fillimet e saj devizën e amerikanizmit, që siç e kemi nënvizuar më lart, është devizë demokracie, atdhetarie dhe partneriteti strategjik. Shpallja “non grata” e ish-kryetarit dhe deputetit të PD-së, Sali Berisha, e ka ndërlikuar këtë sfidë të saj. Por një gjë është e vërtetë si një e bëjnë dy: suksesi i kësaj partie kalon nëpër këtë reflektim, këtë devizë.

Ajo duhet të zgjedhë të jetë Shtëpi e Lirisë apo kapsulë. Në këtë pikë është sërish shkolla amerikane që u vjen në ndihmë të gjithë atyre që kanë kohë dhe duan të reflektojnë e shohin përpara: “Ajo që e bën Amerikën unike është kuraja e udhëheqësve të saj të ballafaqohen me gabime dhe mëkatet e së kaluarës. Është pikërisht kjo çiltërsi çarmatosëse që bën vendin pishtar të njerëzimit”, shkruajnë Stephen Holms dhe Ivan Krastev në librin e tyre “Drita që u shua”.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *