Analiza satirike/ “Kronika konstaton se Kryeministri digjet, ndërsa  Niko krihet!”- Gjekmarkaj: Ministrushet po qetësoheshin në det, Damua me biçikletë e konatjere që i nxirrte salamet…










gjekmarkaj (1)NGA AGRON GJEKMARKAJ

Gazep i madh në katër anë ! Zheg e sushë me tepri , të skuqet veza mbi krye. Shqipëria digjet e shumë e zgjati ! Fytyra e saj duket si e ajo e personazhit tek filmi ” Pacienti anglez” ! Njerëz të pafaj humben jetën në përballje me to.

Moren flakë sukseset e qeverisë duke përcëlluar  çfarë u del perpara, pyje , ferra , driza kopshtije , ndonjë shqarrth a dac aventurier! Çudi si nuk doli Erjon Braçe të mbajë një fjalim kercenues ndaj zjarreve si ato ku trondit opoziten nga themelet apo ndonjë status me thagmë nga të vetet plot larushi stili, temp retorik , rafinim , e taban popullor si bir i tij ,  e ato do fikeshin !!  As  tenxhere , as bidon,  as kanë , as broke as ndoj gotë me lotë nga ato që na qullen në kroniken e shkuar të ruajtura në thesarin e shtetit nuk  u panë të binin nga havaja ku Niko shfaqet prej ditësh si zgalem megjithëse pese ministresha këndonin !

Oj  oj oj lale

oj oj oj lale

kujtova se binte shi

ato ishin lotet e mi .

Të poshtra shumë keto zjarret e ketoj viti po në përgjithësi keto të këtyre tetë viteve njësoj si shiu, bora, breshëri dhe murlani më të egrit në historinë e vatanit e njerzimit të dënja vetëm për gjoksin legjendar të Edi Rames qimet prej çeliku të të cilit as digjen , as hepohen as shkrihen ! Gjeto Basho Muji para tij duket si langaraq. Vetëm ujitja me lot sikur i zbut pak ato shigjeta fati të tërbuar.

E vetmja qe doli e pa kallur me fytyrën e nxire nga tymi ishte propaganda  , ringrihet si Anteu sa here ndesh token e qeverisë !! U tha që balonat  e blera sa frengu pulen në Francë qënkeshin prishur  veç njëres që sajdis Kryeministrin në pikniqe , synetlleqe ,qare, gjedere e meditime që hallall e pastë.

Ai ka tetë vjet që lodhet, plaket , heq të zitë e ullirit  e për ta çuar këtë vend të athet e mosmirmjohes në lartesine e vizioneve  të veta. Shëndet e qejf ju bëftë  edhe Aeroplani për të shëtitur boten e parë dynjallëk me sy e po kaq e gezoftë Cugar-in e vetëm, të mbetur kuk për të bashkëbiseduar me majat e maleve, retë e qiellin, shqiponjat e albatroset , të vetmet që e kuptojnë dhe ja dinë gjuhen bash si duhet!  Tani ai me toksoret ska më punë veç lart sheh !  Për ti bëre qejfin pas shumë të luturash i kthen xhevap Bajdenit,  Merkelit, Makronit, Dragit se të tjerët as që i vë në kandar  siç thotë një farë tipi përjetësisht proqeveritar ! Ajo ( propaganda) pas çdo zjarri e kiameti , rilind behet më e re, më agresive, më e madhe, më kurajoze ke qejf ta degjosh !!

Ministrushat dhe ministrushet po qetoheshin ndanë detit me paparacë të porositur për të shëruar , majesellët, jelët, varriçet , celulitrat, rreumatizmat, qillot e tepërta të vëna nga stresi i këtij viti e sidomos nga zgjedhjet e 25 Prillit që i vodhën me një mijë lodhje mundime e rreziqe ! Vunë kokën në torbë. Marrin bukë me vete, me ç’ tu gjindet aneve në çarranik, kund ca gjize, qepe , djathë me erë e ndoca vezë të ziera ! Ahmetaj edhe ullinj  se e kap uthi dhe e kripura ja mbledh midenë. Ujë mbushin ku tu bjerë siraja.

Ndersa, Damua u pa me një biçikletë rrugëve të Tiranës me konatjere e cila nuk ja pengonte hiret mashkullore të dilnin në selamet ! Damos pasi u bë i pasur i kanë mbushur mendjen që është edhe i bukur jaran e ashik i vërtete e nuk është çudi ti thonë qe je edhe i mençur, i kulturuar madje dhe ai te besojë e të sillet si i tillë ! Dëshmitaret thanë se gjatë pedalimit këndonte “jam kapterr me grada ububu mi mome” ! Ja ranë këto zjarre si nga dorë e dushmanit për ti dëshpëruar të ngratet në ditët e rehatisë ! Ndonjë thotë katundi digjet Rama me Nikon krihen!

Në Korçë mbërriti Bregoviçi një këngëtar serb me peshë modeste përtej Serbisë dhe të tjera zjarre u ndezën nga “kozmopolitet”, “modernet” ata që provincializmen dhe katundarinë e kanë zët duke kellasur me të madhe , duke u betuar në emer të qytetërimit, emancipimit , dijes se vetë ata janë fanaret e mentaliteteve të reja kundër nacionalizmave që dorë e Edi Rames ju dha dritën ! Po kaq u turren patriotet qe zjarr, shkëndija e mallkime nxirrnin nga gjyryku !!

Për zgjedhjet e vjedhura me djersë të 25 Prillit nuk pat kaq duele. Nga shpurat qe Edi Rama pranon në oborr ka garë se kush ti thotë , je gjigant, je i madh, je shpëtimi i Shqipërisë, je gjeni, je vizionar dhe ai kruan mjekrën e thinjat shekullore plotësisht i bindur se askush ne Europë nuk ka patur sukses sa ai për ti imponuar një populli të tërë një varg e vister antivlerash qe pocaqiu të duket zotni me frak , që parvenytë të të tundin pasurinë e tyre si triumf e ndëshkim social për ty qe ke më pak, që kopuku , doraci, zullapi të bëhet sojnik , kryetar , deputet, ndërtues, zaptues nëse të puth doren e mbush thesin me vota ! Ky është zjarri që nuk po dimë ënde ta shuajmë i cili ka djegur shumë më tepër se pishat nder male !! Uf na rëntë damllaja e nisem me të qeshur e ramë në dramaticitet po Kronika jonë nuk e ben qejfin gjeder ajo e nis me qyfyre dhe e mbyll me kënge si radioposta dikur sipas kerkesave !

“Je i madh , je burrë shteti, ty të njeh i gjithë mileti ”

Gjatë Gushtit edhe ne të opozitës bëhemi melankolik , këndojmë jare, ku vargjet me aman e derman na bien si melhem mbi xhanin plot dregeza!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *