ANALIZA TAKTIKE/ Lojë nga krahët dhe dy diga, si Unai Emeri e çmontoi Bajernin në Champions









Nuk ka dyshime që Bajerni i Mynihut është më i fortë se Vijareali, por ndoshta edhe më shumë se Juventusi, gjithsesi kjo nuk mjafton për të mundur një skuadër të Unai Emerisë, nëse nuk i ke bërë siç duhet detyrat e shtëpisë. Julian Nagelsman përpara ndeshjes me spanjollët tha se i kishte studiuar më së miri dy ndeshjet që Vijareali kishte bërë me Juventusin, por me sa duket ose ka gënjyer, ose nuk e ka kuptuar siç duhet kundërshtarin, duke qenë se nuk i kishte marrë masat.

Emeri

Nëse “Zonja e Vjetër” në të dyja ndeshjet pa që të kishte topin, sërish “Nëndetësja e Verdhë” arrinte të dilte frikshëm në kundërsulm duke përdorur dy armë, siç i konfirmoi në aksionin e golit edhe Danzhuma mbrëmjen e djeshme.

Ideja e Nagelsmanit ishte ajo që Levandovski të sulmonte gjithmonë mbrojtësin që provonte të organizonte lojën e Vijarealit nga prapavija, Koman ose Gnabri duhet të sulmonin qendërmbrojtësin tjetër që e mbështeste, për të mos i lejuar pasimin e shkurtër, ndërkohë që Myler, Kimish, por edhe Musiala duhet të shtrëngonin qendrën e mesfushës, për të mos lejuar vija pasimi mes Parehos, Kapues e Kokuelin ose Lo Selsos sipas krahut që luhej aksioni.

ANALIZA 1

Po ku qëndronte gabimi këtu? Flagrante ishte që si ndaj Juventusit, Vijareali që konfirmonte skemën 4-4- 2, si mbrojtësit anësorë, ashtu sikurse dy sulmuesit, kishin detyra që të luanin në vijën anësore, duke krijuar kështu një kuadrat pasimi të lehtë për të shkuar menjëherë në zonën rivale. Dhe në momentin që topi kalonte nga qendra e mbrojtjes së spanjollëve në korsinë e majtë apo të djathtë, Bajerni, i cili ishte i mbledhur me pesë lojtarë në presing shumë thellë në qendër të fushës, duhej të vraponte që të rigjente pozicionet normale të 4-2-3-1 të përdorur nga Nagelsman, por ndërkohë Vijareali kishte kaluar direkt në sulm, në krah.

aNALIZA 2

Dhe mbi të gjitha, Moreno nga e djathta si në aksionin e golit të pësuar nga gjermanët, shihet që të kishte menjëherë në mbështetje dy lojtarë të tjerë, duke krijuar një superioritet numerik 3 kundër 1, ose 3 kundër 2, por topi i lëshuar menjëherë pas shpatullave të Musialës bëri që ky i fundit të kapej në kundërkohë, ndërsa në qendër të zonës Danzhuma të ishte gati të godiste në portë, pas pasimit të Morenos.

Kjo skemë ishte kryefjala e Emerisë, i cili pas avantazhit ashtu si me Juven konfirmoi edhe fazën difensive hermetike: dy linjat me katër lojtarë të mbrojtjes dhe mesfushës ecnin gjithmonë paralel në çdo cep të kuadratit të gjelbër dhe me dy sulmuesit që shtrëngoheshin mes tyre si një vijë e tretë, për të mbuluar më shumë hapësirë, por për të qenë edhe më pranë me topin, në rast rikuperimi dhe rinisjeje aksioni nga “Nëndetësja e Verdhë”.

Këto dy momente jo vetëm që u përsëritën pa fund gjatë të gjithë 90 minutave të lojës, por Nagelsman në asnjë moment nuk diti se si t’i shembte këto dy diga të skuadrës së Emerisë, duke provuar më kot që të hapte lojën nga krahët dhe për të shpresuar se mund të kalonte ndonjë top në qendër të zonës për Levën, Mylerin apo sulmuesit e tjerë, duke pasur aq shumë trafik që shkaktonin fanellat e verdha. Shkurt, Emeri me dy ide të thjeshta çmontoi, më saktë ia preu, të gjitha idetë formacionit të Nagelsmanit.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com