Analiza/ Zgjedhjet në Francë, mësimet që mund të nxjerrin demokratët në SHBA

Zgjedhjet presidenciale në Francë nxorën në pah debatin mes nacionalizmit dhe globalizmit. Mbështetësit e globalizmit i dhanë fitoren për një mandat të dytë 5-vjeçar Presidentit Emanuel Macron, një aleat i ngushtë i Presidentit Joe Biden. Por çfarë mund të mësojnë Shtetet e Bashkuara nga zhvillimet e fundit në arenën politike franceze, ndërsa Partia Demokrate e zotit Biden përballet me zgjedhje të vështira në fund të vitit? Në zgjedhjet që do të mbahen me 8 nëntor do të votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 vende nga 100 pëfaqësues që ka Senati amerikan.

Presidenti Joe Biden nuk ka folur shumë mbi fitoren e aleatit të tij të ngushtë, rizgjedhjen e presidentit francez Emmanuel Macron.

“Ndihemi mirë për zgjedhjet franceze”, u shpreh Presidenti Biden. Fitorja e zotit Macron është pozitive për programin e Presidentit Biden, ndërsa ai përballet me atë që ai e ka përshkruar si kërcënimin më të madh për sigurinë globale që nga Lufta e Dytë Botërore, agresionin rus në Ukrainë. Një aleate e vjetër, Franca ka qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, ndërsa zoti Macron është shfaqur si ndërmjetësi kryesor evropian për paqen.

Presidenti Biden shprehu mbështetjen përmes një urimi në Twitter. Udhëheqësit e tjerë botërorë vlerësuan se një votë për zotin Macron është votë për një rend botëror demokratik të bazuar në rregulla. Analistët thonë se ky ishte edhe qendrimi i votuesve francezë. Zëri i Amerikës bisedoi me analistin Pierre Morcos të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare

“Është e qartë se që nga fillimi i sulmit, Franca ka luajtur një rol kryesor në reagimin evropian kundër agresionit rus në Ukrainë. Rizgjedhja e zotit Macron është konfirmim i vazhdimit të kësaj përgjigjeje të fortë ndaj Rusisë. Për udhëheqësit evropianë, rizgjedhja ishte e mirëpritur sepse konfirmoi se Franca do të vazhdojë të luajë një rol vendimtar në reagimin ndërkombëtar.”

Por Amerika është unike në shumë mënyra. Qëndrimi i votuesve për zotin Biden ndahet përgjatë vijave partiake. Një sondazh nga Ipsos tregon se 37% e amerikanëve mbështesin punën e presidentit në lidhje me Rusinë dhe 46% mbështesin qëndrimin e tij ndaj Ukrainës.

Analistët thonë se nëse partia e zotit Biden, që anon majtas, dëshiron një avantazh në zgjedhje, ajo duhet të nxjerrë mësime nga kundërshtarja e zotit Macron, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, e cila pavarësisht humbjes, pati rezultate më të mira se në garat e mëparshme.

“Një nga mësimet është se pas partive nacionaliste, të ekstremit të djathtë, shpesh fshihet një axhendë e përqendrimit në çështjet e përditshme të njerëzve, kërkesa për dinjitet, për punë, për të qenë në gjendje për të përballuar jetën në vendin e vet. Marine Le Pen e kuptoi këtë çështje mjaft qartë”, thotë për Zërin e Amerikës Célia Belin me Institutin Brookings.

Siç e ka përjetuar vetë presidenti francez, politika mund të jetë një lojë e gjatë dhe e vështirë. Partia Demokrate e zotit Biden ka shumë punë për të bërë para zgjedhjeve të nëntorit./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *