Angela Merkel sot në Tiranë, axhenda e vizitës! Nga “Ballkani i Hapur” te “Procesi i Berlinit”, porositë kancelares gjermane, takim me Ramën e liderët e rajonit





angelamerkeltirane

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, viziton sot Tiranën, ku do të zhvillojë një takim me Kryeministrin Edi Rama. Në kuadër të vizitës së saj, ku do të takohet edhe me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kancelarja Merkel do të nisë turin e kësaj vizite në orën 10:20.

Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë ka zbuluar edhe axhendën e kësaj vizite, që nga pritja në Pallatin e Brigadave e deri te konferenca e përbashkët mes Ramës dhe Merkel, si dhe liderëve të 4 vendeve të tjera.

Kancelarja gjermane ka zgjedhur pikërisht vendin tonë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të “Procesit të Berlinit”. Takimi i sotëm në Tiranë, është i fundit në kuadër të këtij procesi që vetë Kancelarja e ka konsideruar të rëndësishëm për vetë Ballkanin dhe Europën, si dhe për t’i dhënë shtytjen e fundit 6 vendeve pjesë e këtij procesi se bashkëpunimi rajonal në ekonomi është pikënisja e të gjitha proceseve të tjera.

Takimet e sotme për “Procesin e Berlinit” është një sinjal i qartë edhe për vetë krerët e qeverive të këtyre vendeve mbi mbështetjen e vazhdueshme që Merkel ka dhënë për Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e vazhdimit të procesit të Berlinit dhe nuk përjashtohet mundësia e dhënies së porosive të fundit për ta. Gjithashtu, mësohet se vizita e Kancelares në Ballkan mësohet se është edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtysë partisë së saj, Unionit KristianoDemokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator. Kjo është hera e dytë që Angela Merkel vjen në Tiranë. Vizita e Kancelares në Tiranë pritet të ketë në qendër të vëmendjes mundësimin e vijimit të projektit të nisur prej saj, “Procesit të Berlinit”. “Procesi i Berlinit”, nisi në vitin 2014 me iniciativën personale të Angel Merkelit, u shndërrua në arritjen kryesore në politikën e jashtme të Kancelares.

Procesi filloi me objektiva konkrete, siç ishte lehtësimi i bashkëpunimit rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (ËB6): Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, por me vizionin që t’iu ndihmohet në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Komponenti i tij më i rëndësishëm është e ashtuquajtura “Axhenda e Konektivitetit”, e cila fillimisht synonte që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes vete në fushat e transportit dhe energjisë dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.

Samitet e mbajtura në kryeqendrat e Europës ndihmuan në vendosjen e komunikimit ndërmjet liderëve të Ballkanit, si dhe në dizajnimin e disa projekteve infrastrukturore dhe të iniciativave rajonale. Për shkak të Procesit të Berlinit, qeveritë kanë vendosur një rrjet gjithëpërfshirës rajonal të infrastrukturës, duke e bërë kështu Ballkanin Perëndimor pjesë të rrjetit “TransEuropian” të transportit (TEN-T). Gjithashtu, “Procesi i Berlinit” ka gjeneruar edhe iniciativa të lidhjeve rajonale, siç janë bashkëpunimi në energji, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), krijimi i një Zone Ekonomike Rajonale dhe nënshkrimi i Traktatit të Komunitetit të Transportit.

Policia blindon kryeqytetin, si devijohet trafiku

Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në Tiranë për shkak të vizitës se Angela Merkel. Për 4 orë kryeqyteti do të blindohet nga forcat e Policisë, ndërsa disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes. Konkretisht ata ftohen që nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të shmangin akset Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave, ndërsa kërkon nga drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

axhendamerkel

VIZITAT E KANCELARES NË SHQIPËRI

Vizita e sotme e Angela Merkelit në Tiranë është e dyta në 16 vitet e saj si Kancelare e Gjermanisë. Për herë të parë, Merkel mbërriti në Shqipëri 8 korrik të vitit 2015, po në kuadër të “Procesit të Berlinit”. Gjatë kësaj vizite, qeveritë e 6 vendeve të Ballkanit aprovuan një deklaratë për bashkëpunim rajonal dhe për zgjidhjen e çështjeve bilaterale.

VIZITA E ANGELA MERKEL NË BEOGRAD: SERBIA DUHET TË ZGJIDHË ÇËSHTJEN ME KOSOVËN PËR ANËTARËSIM NË BE

Kancelarja gjermane Angela Merkel ndaloi dje në Beograd ku zhvilloi një takim me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Merkel tha se çështja e njohjes së Kosovës duhet të zgjidhet që Serbia të mund të anëtarësohet në BE.

“Me kalimin e viteve ne kemi arritur një marrëdhënie me besim të plotë dhe kemi arritur rezultate, pavarësisht nga fakti se Serbia dhe i gjithë rajoni ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Ne biseduam për një numër temash të ndryshme, dhe aftësia për të dëgjuar palën tjetër është ajo që i dallon marrëdhëniet midis Vuçiçit dhe meje. Unë e njoh atë si një njeri që nuk bën premtime të rreme. 

Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës. Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para zgjidhjes së problemeve të tjera. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por, unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Është e nevojshme të zgjidhet kjo çështje në mënyrë që vetë BE-ja të ketë një pozicion të unifikuar”, tha Merkel. 

Sa i përket njohjes së Kosovës, si kusht për pranimin në BE, Vuçiç tha se ishte e nevojshme të arrihej një zgjidhje kompromisi.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim me Prishtinën për të gjitha zgjidhjet e mundshme me kompromis, për të rënë dakord. Por nëse pyetja është nëse jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi anëtarë të BE-së para se të zgjidhim këtë problem, ne jemi absolutisht të vetëdijshëm dhe unë kam biseduar me Kancelaren shumë herë për të dyja kur jemi dakorduar dhe kur nuk jemi pajtuar. Unë jam kundër konfliktit të ngrirë, kjo nuk është zgjidhje dhe mendoj se është mirë që këtë brez ta zgjidhë. Ky duhet të jetë një kompromis dhe jo një zgjidhje shkatërruese për Serbinë”, theksoi Vuçiç

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *