“Ankimimet e PD s’të çojnë në pavlefshmëri zgjedhjesh”/ Ish-kreu i KQZ: KAS heton vetëm materialet zgjedhore, jo shkeljet ligjore të institucioneve






MARIGLEN KUME/ Eksperti për çështjet zgjedhore Kristaq Kume shprehet se ankimet e bëra nga Partia Demokratike nuk janë të mjaftueshme për Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve për të marrë vendim për pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e tyre.

kume-dosjet-kqz-ankesa-zgjedhjet

Duke marrë në analizë komponentët që përbëjnë dosjen ankimore të PD-së, Kume u shpreh për gazetën “Panorama” se, sipas Kodit Zgjedhor, KAS merr në konsideratë vetëm hetimin për materialet zgjedhore. Ndërkohë, sipas tij, në dosjen e PD-së ka fakte dhe kërkohen fakte për shkeljet ligjore që kanë bërë institucionet shtetërore, të cilat ndonëse mund të kenë afektuar në zgjedhje, nuk është në kompetencën e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për t’i shqyrtuar.

Gjatë intervistës Kume zbërthen ankimimet e PD-së dhe LSIsë dhe flet për mundësinë për të prodhuar një produkt. Sipas Kumes, ankimimi i LSI-së është më i mundshëm për t’u pranuar. Ndërkohë, Kume e cilësoi të nxituar deklaratën e menaxherit të projektit të teknologjisë së informacionit për fenomenin e vendosjes së gishtit nga ana e operatorëve. Nëse shpeshtësia e këtij fenomeni është e lartë, sipas Kumes, duhet ndërhyrje për zgjedhjet e ardhshme.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë depozituar ankesat në KAS. PD kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 9 qarqe ndërsa LSI po ashtu kërkon pavlefshmërinë në Gjirokastër dhe në disa raste rinumërim. Të paktën nga materialet që keni parë ju, a ka argumente të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë?

Është e rëndësishme që PD dhe LSI po ndjekin procedurat ligjore pjesë e të cilave është edhe ankimimi, administrimi nga KAS nga ankimimet dhe më vonë edhe gjykimi në Kolegjin Zgjedhor. Së dyti, se cili do të jetë rezultati që do të arrihet nga administrimi prej KAS i gjykimeve, këtë do ta thotë Komisioni i Ankesave dhe s’kemi pse të shprehemi ne të tjerët përveçse të japim ndonjë opinion.

Mendoj se duke iu referuar ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, mundësitë për të administruar ankimin nga institucioni janë më të mira dhe shumë më të mëdha se ato që parashikonte Kodi Zgjedhor i mëparshëm. Me kërkesë të vetëm një anëtari të KAS mund të aktivizohet procedura për verifikimin e fakteve, pra marrjen e provave në funksion të administrimit dhe gjykimit. Po ashtu, KAS ka mundësi që të kërkojë edhe në institucionet e tjera informacion në plotësim të detyrës së tij. Gjë që të dyja këto më përpara kanë qenë të vështira për t’u realizuar.

KËRKESAT

Duke iu referuar kërkesave, pra mënyrës se ku mbështeten ankimet e PD-së, kërkesa e së cilës është pavlefshmëri e zgjedhjeve në 9 rajone, nga njëra anë dhe argumentimi që i bën një kërkese të tillë, besoj se është larg mundësive për t’ia arritur përmes KAS tek objektivi i ankimuesit.

Natyrisht që Kodi Zgjedhor parashikon që KAS mund të marrë vendim për pavlefshmëri dhe bashkë me të pastaj vendim për përsëritje të zgjedhjeve. Kjo është trajtuar te dispozitat që parashikohen detyrat e Komisionit të Ankesave, por në dispozitat të cilat përcaktohet se si mund të arrihet deri në pavlefshmëri të zgjedhjeve është vështirë që mënyra si është argumentuar kërkesa nga PD të shpjerë në këtë vendim.

Çfarë e bën të vështirë?

KAS operon ose merr vendimin e tij mbi bazën e këqyrjes së provave që gjen referuar materialeve zgjedhore. Është larg mundësisë që të marrë vendime të cilat do të kërkojnë më shumë sesa kaq prova që mund të dalin nga këqyrja e materialeve zgjedhore. Ndërkohë, kërkesa që ka bërë LSI në qarkun e Gjirokastrës apo të Beratit, që kërkon edhe ajo pavlefshmëri, por e mbështet kërkesën e saj me kërkesën ndaj KAS për këqyrjen e materialeve zgjedhore, siç është rivlerësimi i votave të pavlefshme ose rinumërimi i votave në disa qendra votimi, pasojë e së cilës mund të jetë ose pavlefshmëria ose ndryshimi i mandatit. Për mua kjo është e mundshme për t’u realizuar nga KAS pa paragjykuar. Është e mundshme, sepse këqyr materialet e votimit.

Në mbledhjen e fundit të KAS, si PD dhe LSI përpos fakteve që kishin vendosur në dispozicion, kërkuan nga KAS që të administronin edhe faktet të tjera nga institucionet dhe agjencitë shtetërore. Këto kërkesa u refuzuan nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, sipas jush, duhet ta kishte pranuar KAS kërkesën e dy subjekteve zgjedhore?

Nëse bëhet fjalë për të kërkuar prova që lidhen me materialet zgjedhore, KAS nuk merr vendim nëse duhet ta bëjë apo jo këtë gjë. Ai e bën automatikisht, me kërkesë të subjektit apo qoftë edhe të një anëtari. Kurse sa i takon angazhimit të KAS për të marrë prova nga institucionet e tjera, për këtë gjë duhet një vendimmarrje.

Tashmë ne e dimë që ka një vendimmarrje që nuk do të angazhohen për vendimet që ka kërkuar PD. Unë do të thosha që do të ishte shumë e vështirë që të arrihej të vlerësohej efekti i këtyre provave në rezultat. Prova të tilla, nëse do të veprohej në këtë drejtim, bëjnë fjalë për standardet në zgjedhje. Kështu që unë mendoj se Partia Demokratike, duke formuluar një kërkesë të tillë te Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, nuk e ka bërë këtë veprim, sepse ka qenë e bindur se diçka do të shkonte sipas kërkesave të saj.

Pra, besoj e parashikonte edhe një vendimmarrje të tillë të KAS, por shumë e rëndësishme për të, mendoj unë, është parashtrimi në këtë mënyrë i ankimimit, i cili së bashku me gjithë çka bërë PD përmes denoncimeve të veprave penale të konsumuara sipas saj në Prokurori dhe SPAK, së bashku këto arrijnë të prodhojnë një “dosje” që mund të përdoret në funksion të mbështetjes së vlerësimit të tyre për atë që ata e emërtojnë “masakër zgjedhore”.

Kjo mund t’i shërbejë në përpjekjet e mëtejshme të vazhdueshme të PD-së në funksion të këtij objektivi që thamë më sipër. Të japë argumente te të gjithë dhe tek institucionet ndërkombëtare për atë që ky proces zgjedhor, megjithëse në shumë nga fenomenet që është ndeshur mund të mos ngrejë dot një akuzë që të gjykohet dhe të ketë një produkt.

VOTAT E PAVLEFSHME

Konsiderohet që numri i votave të pavlefshme, 83 mijë, është argument për pavlefshmëri në zgjedhje. Një ndër pikat. Natyrisht që ky fenomen nuk mbart me vete asnjë shkelje të ligjit. Si i tillë, nuk mund të përbëjë shkak ligjor për t’i quajtur zgjedhjet të pavlefshme, por ama është një fenomen që si i tillë, ka afektuar negativisht parimin e përfaqësimit, të drejtën e votës së një numri të konsiderueshëm të qytetarëve që kanë dashur të shprehen me votë dhe për pasojë, megjithëse nuk është shkelje ligjore, mund të konsiderohet si fenomen që atakon cilësinë e zgjedhjeve.

Një shembull tjetër është punësimi në administratën publike dhe në organet e administratës vendore në një numër të konsiderueshëm punonjësish. Ky është një fenomen dukshëm në kundërshtim me frymën dhe me germën e ligjit. Por është fakt që flet për problematikën e madhe të këtij procesi zgjedhor që lidhet me keqpërdorimin e aseteve publike. Por nuk është provë për shkeljen e ligjit zgjedhor.

Sepse këto punësime janë bërë përpara datës 25 dhjetor, që ishte edhe data që përbënte 4 muaj para zgjedhjeve. Këta dy shembuj tregojnë që më shumë sesa synon një vendimmarrje të KAS për pavlefshmëri të zgjedhjeve, ka si objektiv kryesor të saj denoncimin edhe përmes kësaj mundësie ligjore të asaj që sipas PD-së ka ndodhur në procesin zgjedhor.

Një nga argumentet e mbledhjes së parë të KAS për ankimimet ishte një fenomen me pajisjen elektronike, për vendosjen e gishtit. Sipas menaxherit të projektit, operatorët kishin vendosur gishtin për zgjedhësin. Përbën kjo një shkelje të rëndë që mund të cenojë besimin e zgjedhjeve?

Një deklaratë e tillë e menaxherit të projektit ka qenë e shpejtuar. Efekti që prodhon kjo deklaratë është goxha i madh. Përdorimi i teknologjisë për identifikimin e zgjedhësve si objektiv kryesor të vetin kishte pikërisht këtë gjë: moslejimin e votimit disa herë të një personi apo në emër të të tjerëve.

Por natyrisht, përmes marrjes së shenjës daktiloskopike, teknologjia nuk ndalonte, por grumbullonte informacionin për shqyrtim, siç po ndodh tani. Unë mendoj se përpara se të bëhej kjo deklaratë, do të ishte e nevojshme që të administrohej i gjithë informacioni përmes atij procesi kryqëzimi të të dhënave dhe në fund të tij, pas analizës që mund t’i bëhej, mund të thuhej se çfarë ka ndodhur. Vërtet mund të kemi raste siç u tha në mbledhjen e KAS, por kjo nuk përbën fakt për të quajtur të pavlefshme zgjedhjet në qoftë se nuk ke ndërkohë informacion për shpeshtësinë e këtij fenomeni.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *