ARMO u çmontua për skrap, por debitorët vërshojnë në QKB për bllokimin e llogarive

Rafineria shqiptare naftës, ARMO një objekt i trashëguar nga periudha e komunizmit për përpunimin e naftës vitet e fundit është çmontuar për skrap, por ende dhjetëra kërkesa nga përmbaruesit i drejtohen Qendrës Kombëtarë të Biznesit për bllokimin e kuotave të kompanisë. Këto ditë Dogana e Fierit ka dorëzuar nëpërmjet përmbaruesit një kërkesë për sekuestro në QKB ndaj subjektit ARMO.

Bëhet fjalë për një shume prej rreth 120 milionë lekësh (rreth 1,1 milionë euro). Të dhëna tregojnë se borxhi i ARMO-s ndaj doganës së Fierit është krijuar që në vitin 2013 dhe urdhri i ekzekutimit me forcë është lëshuar në vitin 2016. Ndërkohë që borxhi është krijuar kur kompania ka qenë në funksion, doganat kërkojnë arkëtimin e tij, ndonëse tashmë linja kryesore e ARMO-s, rafineria është çmontuar.

Të dhënat nga QKB tregojnë se edhe përgjatë këtij viti një seri kërkesash nga përmbarimi janë për llogari të ARMO-s. Pavarësisht situatës në terren ARMO ka status aktiv në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Përveç doganave ARMO ishte në listën e debitorëve të mëdhenj në tatime me një detyrime të akumuluar prej 8,4 miliardë lekësh deri në fund të vitit 2020. Në vitin 2021 mbi 800 punonjës të kompanisë u hodhën në proteste për gati 13 paga të prapambetura. Dy vjet më parë banka që kishte në administrim i shiti asetet e ARMO-s për rreth 9 milionë euro ndaj kompanisë “Shijaku” e cila e çmontoi dhe e shiti për skrap një nga veprat më të mëdha të sektorit të industrisë Shqiptare.

ARMO ka një histori të komplikuar pas rënies së komunizmit. Pasi u privatizua në vitin 2008 kompania ndërroi pronësi shumë herë duke lënë miliona euro borxhe, që nga pagat dhe sigurimet e punonjësve, detyrime tej tatimet, doganat, bankat dhe shume subjekte që ishin në marrëdhënie biznesi. Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nisi nga puna në vitin 1978 me dy linjat kryesore: përpunimi i lëndës së parë dhe sigurimi i nënprodukteve të naftës nga pikëpamja sasiore dhe përmirësimi i cilësisë. Uzina fillimisht ishte projektuar për të pasur një kapacitet prodhues prej 1 milion ton naftë bruto dhe 250,000 ton karburante që do të vinin nga rafineritë që tashmë ishin vënë në punë.

Rafineria e Ballshit në kohën kur u ndërtua kishte të gjitha impiantet e nevojshme teknologjikë moderne të përpunimit të naftës gjithashtu edhe sistemet ndihmëse. Në uzinë para privatizimit ishin të punësuar 2200 punëtorë dhe fitimi arrinte në rreth 10-15 milionë dollarë para privatizimit./B.Hoxha

/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts