“Arratia” 12-orëshe e Alqi Bllakos përplas Policinë me SPAK, “loja” e deklaratave institucionale për prangosjen e tij









NIKOLETA KOVAÇI/ Ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako i vënë nën akuzën e korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, më shumë se sa për akuzat apo përfshirjen e një ligjvënësi në afera korruptive, pasi këtu duket se është bërë zakon kjo përfshirje, për më shumë se 16 orë u kthye në personazhin më të diskutueshëm në vend.

Zhdukja e tij pa gjurmë pas dhënies së vendimit të Gjykatës për ta vënë pranga, krijoi idenë se ai kishte marrë arratinë për t’i shpëtuar qelisë. Policia e Shtetit në mos gënjeu, ishte e pazonja të gjente vendndodhjen e tij, deri në momentin kur ai u paraqit vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, vend në të cilin u tha se ishte edhe orëve të mesditës së të enjtes, por që askush nuk e pranoi dhe as e vërtetoi.

Policia e Shtetit u përgënjeshtrua nga SPAK, me anë të një deklarate të gjatë dhe të fiksuar me fakte dhe shkresa, duke i rrëzuar Policisë kohën e dorëzimit të tij, që në orët e para të së djeshmes, menjëherë pasi kjo Polici përdori zërin e saj zyrtar për të shpërndarë një njoftim gjysmak dhe krejtësisht joprofesional.

SPAK nuk u zmbraps nga fiksimi i orës në të cilën është bërë ndalimi i tij, duke theksuar 03:30 të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që Policia e Shtetit i tha opinionit publik me njoftimin 6 rreshtash se Bllako ishte vetofruar që mbrëmjen e së enjtes.

Në fakt, Policia e Shtetit gënjeu ditën e djeshme, që në mëngjes, pasi ishte kjo Polici që zyrtarisht i tha gazetës “Panorama” pak para mesnate që Alqi Bllako nuk ishte dorëzuar dhe madje nuk kishte shkelur në Polici përgjatë ditës së enjte, por që sapo të përfundonin procedurat nga ana e Prokurorisë, pra e SPAK, ai do të arrestohej dhe do të njoftoheshin mediat dhe opinioni publik.

Pra, Policia gënjeu, në mos në mbrëmjen e së enjtes, në mëngjes me njoftimin zyrtar!

7pCGBTri

NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT

Në orën 07:26 minuta të së djeshmes, Policia e Shtetit shpërndau njoftimin për shtyp: “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë ‘Arrest në burg’, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

REAGIMI I SPAK

Menjëherë pas Policisë, ka reaguar Prokuroria e Posaçme duke detajuar të gjithë hapat ligjorë që janë ndjekur prej tyre me deputetin e vënë nën hetim dhe akuza.

Ata, pak orë pas njoftimit të Policisë, shpërndanë këtë njoftim: “Mbi caktimin dhe ekzekutimin e masës e sigurimit për shtetasin Alqi Bllako; Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.187 të vitit 2020, në Regjistrin e Njoftimit të Veprave Penale në Prokurorinë e Posaçme me datë 18.03.2022, është regjistruar emri i shtetasit Alqi Bllako, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, në bashkëpunim dhe ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’, të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.

Me shkresën Nr. 2407 Prot., datë 29.03.2022, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Kërkesa është shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Me shkresën Nr.1274/4 Prot., datë 29.03.2022, ardhur nga Kuvendi, jemi njoftuar se kërkesa për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do zhvillohet me datë 30.03.2022, ora 18.00.

Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikëqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do të paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me shkresën Nr.1274/ 7 Prot., datë 30.03.2022 (ardhur në Prokurorinë e Posaçme në orën 19.40), na ka njoftuar për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregullore, Mandatet dhe Imunitetin, për arsye se deputeti ka depozituar kërkesën për heqje dorë nga mandati deputetit. Neni 71, pika 2, shkronja ‘b’ e Kushtetutës parashikon se: ‘…mandati deputetit mbaron kur deputeti heq dorë nga mandati…’.

Me shkresën 2407/6 prot., datë 30.03.2022 (dorëzuar në gjykatë në orën 20:30) nga Prokuroria e Posaçme i është kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masës së sigurimit personal ‘Arrest në burg’, për shtetasin Alqi Bllako, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.

Me vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’, për shtetasin Alqi Bllako. Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15:30 të datës 31.03.2022.

Në orën 15:45 të datës 31.03.2022, vendimi i Gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako u është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit.

Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03:30 të datës 01.04.2022. Sqarim: Caktimi i masave të sigurimit personal është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.