Ashpërsohet sulmi rus në Ukrainë

21:35 01/03/2022

Sulmohet një kullë televizive në Kiev

Ky është moment kur një avion rus bombardon një kullë të transmetimit televiziv këtë të hënë në Kiev. Ministria e Brendshme ukrainase konfirmoi të paktën 5 viktima nga ky bombardim teksa dëshmitarët e kanë cilësuar ngjarjen si të tmerrshme. Ndërsa ky filmim fakton sulmin brutal me raketa nga rusët ndaj zyrave të guvernatorit të Kharkivit, qytetit të dytë më të populluar të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë.

Sulmi ndodhi në orët e mëngjesit pa asnjë paralajmërim, teksa siç duket në pamje dhjetëra qytetarë të pafajshëm qarkullonin përreth zonës, si çdo ditë. Nga sulmi u vranë 18 persona. Megjithatë shkatërrimet janë të shumta. Guvernatori Oleksandër Skakun tha se sulmi ndodhi pasi rusët po përpiqeshin ta ekzekutonin. Fundjavën që kaloi ushtria ruse hyri në Harkiv, por ukrainasit arritën ta rimarrin menjëherë qytetin.

Nisur nga kjo situatë Presidenti Zelensky u ka kërkuar anëtarëve të NATO-s të vendosin një zonë ndalim-fluturimi për të penguar forcën ajrore ruse derisa të përfundojnë bisedimet. Më herët, ai akuzoi rusët se po kryejnë krime lufte në këtë qytet. Kjo pasi në rrjetet sociale qarkullojnë pamje të bombardimit të një lagjeje me armë të shkatërrimit në masë jo bërthamore.

Kjo video tregon hedhjen e një bombe termobarike në një ndërtesë civile, u vranë 11 civilë dhe 44 u plagosën. Në total, përllogariten mbi 350 të vrarë mes civilëve. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të mos dalin nga shtëpitë. Në terren rusët nuk e kanë aspak të lehtë. Kjo video fakton shkatërrimin e një grupi ushtarësh rusë nga trupat ukrainase, në luftimet pranë kryeqytetit. Një pjesë e tyre u kapën robër.

Ndërsa në Melitopol qytetarët ukrainas dolën përpara makinave të Ushtrisë Ruse të paarmatosur për t’iu bëre thirrje që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Një zyrtar i lartë i sigurisë ka deklaruar se forcat ushtarake ruse nuk kanë bërë përparime drejt Kievit nga dita e djeshme ku duket se agresorët po përballen me mungesë të karburantit dhe rezervave ushqimore.

Një arsye tjetër e ndalimit të tyre mund të jetë edhe koha që iu nevojitet për t’u rikuperuar dhe për t’u përshtatur me një strategji tjetër sulmi.

Këto pamje satelitore tregojnë një autokolonë me makineri luftarake dhe ushtarë rusë në një gjatësi 65 kilometra që po përparojnë drejt Kievit, një shenjë që tregon se sulmi për marrjen e kryeqytetit ukrainas do të intensifikohet. Autoritetet ukrainase thonë se deri më tani kanë vrarë 5700 ushtarë rusë, një shifër që Moska nuk e konfirmon.

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts