Australi, thirrje për drejtësi për viktimat e dhunës me bazë gjinore

Dhjetëra mijëra vetë mbushën rrugët të hënën në qytete të ndryshme australiane me thirrjet për drejtësi gjinore. Protestat që kanë vazhduar prej disa ditësh, u nxitën nga një numër skandalesh të bëra publike kohët e fundit që kanë në qendër anëtarë të partisë së Kryeministrit Scott Morrison.

Protestuesit, pjesa dërrmuese gra, të mbledhur në kryeqytetin e vendit, Kanbera, qëndruan para parlamentit me pankarta në duar me thirrjet për drejtësi për viktimat e sulmeve seksuale.

Në qytete të mëdha si Sidnej e Melburn, shumë prej pjesëmarrësve ishin veshur me të zeza si “shenjë force e nderimi solemn”.

Në mbarë Australinë, dhjetëra mijëra gra janë mobilizuar në protesta, të ashtu-qujtura “Drejtësia e 4 Marsit” për të hedhur dritë mbi problemet gjinore, sidomos mbi dhunën seksuale.

Protestat morën shkas nga akuza të ngritura për përdhunime e sjellje të papërshtatshme në disa nga strukturat më të larta politike.

Protesta të tilla po e rrisin presionin ndaj Kryeministrit Scott Morrison për të reaguar ndaj akuzave që dolën vjet kundër një numër anëtarëve të partisë së tij liberale dhe të kabinetit e stafit të tij, ndër to edhe kundër Prokurorit të Përgjithshëm Christian Porter për përdhunim në vitin 1988. Zoti Porter i ka hedhur poshtë akuzat.

Brittany Higgins, ish punonjëse në stafin e grupit parlamentar të Liberalëve, është një ndër akuzueset. Ajo e mori fjalën në protestat e së hënës:

“Mua më përdhunoi një koleg brenda ndërtesës së parlamentit dhe për një kohë të gjatë ata që kisha përreth shqetësoheshin vetëm për faktin se ku ndodhi dhe çfarë komplikimesh mund t’u sillte atyre… Ishte shumë konfuzuese sepse këta njerëz ishin idhuj për mua. Aty e kisha dedikuar jetën. Ata ishin rrjeti im social, kolegët e mi, familja ime. Por papritur, unë nuk isha në sytë e tyre një njeri që kishte kaluar një ngjarje traumatike, isha thjesht një problem politik”.

Organizatorët e protestave thanë se nuk kishin pranuar një propozim të kryeministrit për t’u takuar me dyer të mbyllura.

Kryeministri Morrison doli të hënën para parlamentit, pa ofruar ndjesë, apo reagime konkrete ndaj akuzave por duke bërë thirrje që revoltimi dhe irritimi nga mungesa e përparimit, të mos bëhen pengesë për unitetin kombëtar që nevojitet për të vazhduar përparim për problemin e dhunës dhe abuzimeve me bazë gjinore.

“Në lidhje me ngjarjet që ishin shkak, besoj unë, i protestave që pamë sot dhe në javët pararendëse, qeveria po bashkëpunon me parlamentin dhe ka njoftuar krijimin e një komisioni të pavarur për akuzat që ngrihen për akte brenda parlamentit, kryesuar nga Komisionerja për Diskriminimin Gjinor, Kate Jenkins. I falenderoj të gjithë anëtarët e parlamentit për bashkëpunimin që ofruan për hapjen e këtij hetimi,” tha kryeministri.

Pritet që akuzat të dominojnë seancat e parlamentit australian në javët e ardhshme/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *