Autogol i FSHF-së, tregon si u keqpërdorën fondet e COVID-it. Heshtje për 600 mijë dollarë








FSHF është përpjekur dje të përgënjeshtrojë investigimin e “Panorama Sport” mbi milionat e arkëtuar nga FIFA gjatë viteve të kaluara për të ndihmuar futbollin shqiptar në mes të krizës së COVID-it. Investigimi tregoi se, sipas dokumenteve të FIFA-s, 2.1 milionë dollarë kishin kaluar në llogaritë e FSHF-së për të ndihmuar futbollin në vendin tonë gjatë pandemisë, duke ngritur pikëpyetje rreth destinacionit të këtyre parave që kishin si objektiv vetëm “shërimin” e futbollit në këtë moment krize. Pikëpyetje të cilat nuk kanë gjetur përgjigje as në konferencën e djeshme.

Vercani FSHF konferenca

SHPJEGIMI I FSHF-së

Drejtori i Marrëdhënieve Institucionale dhe Projekteve, Erand Ibrahimi, deklaroi para mediave se gjatë vitit 2020 dhe 2021, FSHF kishte tërhequr 1.5 milionë dollarë nga fondet e destinuara nga FIFA vetëm për COVID.

Ai konfirmoi se 500 mijë dollarë nga kjo shumë ishin përdorur për “pagat e luftës” që u shpërndanë për dy muaj në futbollin shqiptar, të cilat ishin trumbetuar si investim i brendshëm i FSHF me një sakrificë të rëndësishme financiare.

500 mijë dollarë të tjera, me destinacion futbollin e femrave, ishin përdorur pjesërisht po për “pagat e luftës”, rreth 167 mijë dollarë, ndërsa pjesa tjetër përdorej për programin e incentivimit të futbollit të femrave, deri në  vitin 2022.

Ndërkaq, 500 mijë dollarë të tjerë ishin përdorur për shpenzimet e ekipeve kombëtare gjatë vitit 2021, kur edhe ishte tërhequr shuma nga institucioni i futbollit. Shpjegim që, siç e thamë më lart, ngre edhe më shumë pikëpyetje mbi mënyrën se si përdoren grantet që FSHF siguron nga FIFA.

KU JANË 600 MIJË DOLLARË?

Dokumentet e FIFA-s bëjnë të qartë se institucioni i futbollit kishte përdorur për COVID dy fonde të ndryshme.

Përtej fondit 1.5 milionë dollarë të alokuar për çdo federatë, këta të fundit mund të tërhiqnin para nga projekti “FIFA Forward 2.0”, duke i kaluar ato në shërbim të “lehtësimit” të situatës me COVID.

Në konferencën e djeshme nuk u dha asnjë shpjegim se ku kishte përfunduar kjo shumë, ndërsa në asamblenë e qershorit 2021, sekretari i FSHF, Ilir Shulku, deklaroi se fondet e këtij projekti ishin përdorur për investime për të përfunduar zyrat e reja të institucionit apo punime në stadiumin “Air Albania”.

PSE NUK U PËRDOR I GJITHË FONDI?

FSHF konfirmoi se shuma prej 500 mijë dollarësh për futbollin e femrave ishte përdorur pjesërisht për “pagat e luftës” e më pas pjesërisht për projekte të saj po në futbollin e femrave. Ndërkohë, një shumë prej gjysmë milioni dollarë kishte shkuar për shpenzimet e ekipeve kombëtare.

Një veprim që ndryshon qartësisht destinacionin e fondit, duke llogaritur se vetë FSHF në asamblenë e saj bëri të ditur se kishte tejkaluar të ardhurat në krahasim me shpenzimet, pikërisht sepse për shkak të COVID-it ishin ulur shpenzimet për ekipet kombëtare meqë ishin anuluar një sërë ndeshjesh në pjesën e parë të vitit.

Kështu, me një buxhet të shëndoshë dhe të ardhurat e zakonshme nga FIFA, UEFA dhe sponsorë të tjerë që nuk u ndërprenë asnjëherë, duket absurde që FSHF vendosi që këto fonde të mos përdoreshin për klubet që po vuanin realisht situatën e pandemisë. Apo, qoftë edhe pse këto fonde nuk u përdorën të paktën pjesërisht për të asistuar klubet për masat ndaj COVID-it.

Ndryshimi nga 72 milionë lekë që FSHF deklaron si ndihmë për pandeminë, me 2,1 milionë dollarët e arkëtuar nga FIFA është tmerrësisht i madh.

Pikërisht kjo është ajo që ka shpjeguar “Panorama Sport” në investigimin e saj, se si fonde që kishin destinacion ndihmën për të përballuar situatën e COVID-it, për një shumë prej 2,1 milionë dollarësh, kanë mbërritur në vendin tonë, por nuk janë përdorur nga FSHF në tërësi për të përballuar krizën.

Projekte të veçanta për futbollin e femrave, shpenzimet e ekipeve kombëtare, punimet në “Air Albania” apo mobilimi i zyrave të FSHF-së, sado i rëndësishëm të jetë, normalisht ishin parashikuar në projektet dhe buxhetet e institucionit të futbollit dhe nuk ka aspak kuptim që fondet që vinin për të përballuar një situatë krize që vazhdon edhe sot, të përdoren për të rregulluar bilancet financiare të tij.

Me anëtarët e FSHF-së, të cilët kanë qenë në errësirë të plotë që ekzistonte edhe kjo mundësi për të zgjidhur sadopak të telasheve të tyre.

LEXO EDHE:  EKSKLUZIVE / Fondet e FIFA-s për COVID, zhgënjim në Kategorinë e Parë: Nuk kemi marrë asnjë kacidhe

EKSKLUZIVE/ Fondi i FIFA-s për COVID, klubet e Superiores nuk dinë shpërndarjen

Censura në konferencën e FSHF-së dhe pyetjet që s’morën përgjigje

“Loja” me shifrat dhe paratë e FIFA-s, tërhiqen 1,6 milionë dollarë dhe FSHF deklaron vetëm… 72 mln lekë (DOKUMENTI)

EKSKLUZIVE/ Investigimi, si u zhdukën 2,1 milionë dollarë të FIFA-s për klubet shqiptare (DOKUMENTET)

Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit/ Investigimi i “Panorama Sport” nxori blof federatën

ERMAL KUKA-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.