Azerbajxhani dhe Armenia përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

09:14 19/10/2021

Azerbajxhani e ka akuzuar Armeninë për “spastrim etnik” dhe për vazhdimin e vendosjes së minave tokësore në territorin e këtij vendit edhe pas marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund luftës gjashtë javore në Nagorno Karabak në fund të vitit të kaluar.

Akuzat u bënë nga zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Elnur Mammadov, por ato u mohuan nga Armenia. Një rast i dytë në lidhje me konfliktin u hap më 18 Tetor në gjykatën e lartë të Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Më 14 Tetor, gjykata mbajti seancë për një ankesë të ngritur nga Armenia kundër Azerbajxhanit, e lidhur gjithashtu me luftën e vitit të kaluar që la më shumë se 6,600 njerëz të vdekur dhe përfundoi me rifitimin e kontrollit të Azerbajxhanit në zona të mëdha territori.

“Fushata e spastrimit etnik dhe nxitjes së dhunës kundër azerbajxhanasve, është duke vazhduar“, tha Mammadov në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë më 18 Tetor. Mammadov shtoi se fushata e vendosjes së minave tokësore “është thjesht një vazhdimësi e operacionit që zgjatë me dekada për spastrimin etnik dhe një përpjekje për t’i mbajtur këto territore pa azerbajxhanas”.

Përfaqësuesja e Armenisë, Yeghishe Kirakosian, hodhi poshtë pretendimet e Azerbajxhanit. Ajo tha se vetë Azerbajxhani vendosi qindra mijëra mina tokësore në zonën e konfliktit në fillim të viteve 1990. Armenia tashmë ka dorëzuar dy harta të fushës së minuar dhe “ne jemi gati të ofrojmë më shumë harta që posedojmë”, tha Kirakosian në gjykatë.

Gjatë seancës së javës së kaluar, Armenia akuzoi Azerbajxhanin për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, ndërsa Azerbajxhani i hodhi poshtë pretendime. Mund të duhen vite që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë vendim për këto raste.

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i gjithë territori dhe shtatë rrethet përreth u kontrolluan nga forcat etnike armene që nga përfundimi i një lufte separatiste më 1994 deri në luftën e vitit të kaluar.

Negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtare nën kujdesin e OSBE-së, duke përfshirë të ashtuquajturin Grupin Minsk të bashkëkryesuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, nuk prodhuan një zgjidhje të konfliktit. Në shtator të vitit 2020, Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake përmes së cilës mori kontrollin e shtatë rretheve përreth, dhe një pjesë të konsiderueshme të vetë Nagorno Karabakut.

Konflikti përfundoi kur Armenia nënshkroi një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia që i dha Azerbajxhanit kontrollin mbi pjesët e Nagorno Karabakut dhe territoret ngjitur të pushtuara nga armenët.

Armenia thotë se më shumë se 3,700 armenë dhe banorë të Nagorno Karabakut humbën jetën në luftime. Azerbajxhani tha se kishte 2,900 në rradhët e veta./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *