Balla në Ministerialin për 20-vjetorin e Konventës së Palermos: Droga po copëton shoqërinë dhe po shkatërron rininë dhe të ardhmen

balla ne ministerialin per 20 vjetorin e konventes se palermos droga po copeton shoqerine dhe po shkaterron rinine dhe te ardhmen
balla ne ministerialin per 20 vjetorin e konventes se palermos droga po copeton shoqerine dhe po shkaterron rinine dhe te ardhmen

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndodhet në Palermo për të marrë pjesë në Ministerialin mbi 20-vjetorin e Konventës së Palermos, i organizuar nga qeveria italiane për të diskutuar mbi bashkëpunimin midis shteteve në luftën kundër aktiviteteve kriminale transnacionale.

Ai citoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, për të theksuar domosdoshmërinë e nevojën për bashkëpunimin, të agjencive ligjzbatuese mes shteteve.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan ka thënë se “Nëse krimi i kalon kufijtë, edhe zbatimi i ligjit duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë. Nëse shteti i së drejtës cenohet jo vetëm në një vend, por në shumë vende, atëherë ata që e mbrojnë atë nuk mund të kufizohen vetëm në mjete kombëtare”, u shpreh Balla.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri Balla u ndal në rreziqet që paraqet fenomeni i përdorimit të substancave narkotike, drogave, për mbarë shoqërinë njerëzore, sidomos për brezat e rinj, për të ardhmen e tyre.

Në lidhje me këtë çështje, Balla u shpreh se “droga po copëton shoqërinë tonë, po krijon terren për krimin dhe po shkatërron rininë dhe të ardhmen tonë. Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimit të drogës, po ashtu edhe Shqipëria po përballet me të. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballemi në të ardhmen e afërt, e cila u ngrit nga Sekretari amerikan Blinken në fjalën e tij për Nisjen e Koalicionit Global për trajtimin e drogave sintetike”.

Një çështje tjetër që trajtoi ministri Balla, ishte ajo e reagimit që duhet të ketë shteti dhe shoqëria ndaj personave që guxojnë të ngrenë dorë ndaj një punonjësi policie në detyrë dhe me uniformë. Ai e ilustroi këtë me një ngjarje të rëndë, të ndodhur para pak ditësh në Kosovë, ku persona të armatosur, qëlluan me armë zjarri ndaj një patrulle policie të Kosovës, duke vrarë një polic, dhe plagosur një tjetër.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Balla u shpreh se “pak ditë më parë kriminelë të armatosur rëndë guxuan të ngrenë dorë dhe t’i marrin jetën një oficeri të forcave të rendit të Republikës së Kosovës. Por sinjali më i keq që mund t’i jepet luftës kundër kriminalitetit, natyrshëm edhe tek i gjithë komuniteti ndërkombëtar, ishte zija shtetërore e shpallur zyrtarisht në Serbi, një vend fqinj me Kosovën për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e Policisë së Republikës së Kosovës, në një reagim tepër profesional, pas vrasjes së kolegut të tyre. Në cilin vend në botë, Policia e Shtetit nuk duhet të reagojë dhe godasë cilindo që guxon të qarkullojë i armatosur, më rëndë akoma të qëllojë mbi policinë?! Është shumë e rëndësishme që autorët dhe organizatorët e atij sulmi të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë”.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Balla, mbajtur në konferencë:

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,
Shpreh mirënjohjen time për pjesëmarrjen në një Konventë kaq të nderuar, që shënon 20 vjetorin e nënshkrimit të saj këtu në qytetin e bukur të Palermos dhe në këtë sallë bunker të burgut “Ucciardone” të Palermos, salla e maksiprocesit.

Kjo Konventë nuk është thjesht një instrument ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar transnacional. Ajo tregon një angazhim të fortë dhe të qartë politik të komunitetit ndërkombëtar.
Krimi nuk ka asnjë lloj kombësie.

Ndodh kudo dhe i kalon kufijtë shumë më lehtë sesa institucionet që duhet ta luftojnë. Sikurse ka cituar dikur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan “Nëse krimi i kalon kufijtë, edhe zbatimi i ligjit duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë. Nëse shteti i së drejtës cenohet jo vetëm në një vend, por në shumë vende, atëherë ata që e mbrojnë atë nuk mund të kufizohen vetëm në mjete kombëtare”.

Për këtë arsye, më lejoni që me krenari të ndaj me ju faktin se Shqipëria ka qenë një nga vendet e para që e ka ratifikuar këtë Konventë në muajin gusht të vitit 2002, duke konfirmuar që në fillim angazhimin e saj të fortë në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.

Të nderuar pjesëmarrës,

Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor për Qeverinë Shqiptare.
Të gjithë e dimë se Krimi i Organizuar në gjenezën e tij është një aktivitet polikriminal.

Organizatat kriminale janë të përfshirë në trafikimin dhe kontrabandën e qenieve njerëzore, tregtinë e armëve të vogla, trafikimin e drogave, dhe krime të tjera.

Një personalitet i shquar i këtij qyteti, emri i të cilit mbahet nga kjo sallë Giovanni Falcone, na ka dëshmuar padyshim se nuk ka asgjë të pamundur në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.

Ai na ka treguar se mafia mund të mposhtet përmes hetimit të kujdesshëm, bashkëpunimit përtej kufijve dhe integritetit të pakompromis.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se droga po copëton shoqërinë tonë, po krijon terren për krimin dhe po shkatërron rininë dhe të ardhmen tonë.

Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimit të drogës, po ashtu edhe Shqipëria po përballet me të.

Në këtë kontekst, dëshiroj të sjell në vëmendjen e këtij forumi, një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballemi në të ardhmen e afërt, e cila u përmend me të drejtë nga Sekretari amerikan Blinken në fjalën e tij për Nisjen e Koalicionit Global për trajtimin e drogave sintetike.
Pavarësisht se në vendin tim trafikimi dhe përdorimi i drogave sintetike nuk mund të konsiderohet ende një ‘epidemi’, ne duhet ta trajtojmë këtë çështje që në fazën fillestare sepse “parandalimi është më i mirë se kurimi”.

Të nderuar kolegë,
Dje vizitova Kuesturën (Komandën) e Policisë së Palermos ku vendosa një kurorë me lule në përkujtim të magjistratëve dhe oficerëve të policisë të rënë në luftën kundër mafias.

Policia e Shtetit kudo i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Punonjësit e policisë vendosin jetën e tyre në rrezik dhe janë gati të bien dëshmorë në emër të misionit dhe betimit të bërë. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër Policit, ka ngritur dorë kundër shtetit.

Pak ditë më parë kriminelë të armatosur rëndë guxuan të ngrenë dorë dhe t’i marrin jetën një oficeri të forcave të rendit të Republikës së Kosovës.

Por sinjali më i keq që mund t’i jepet luftës kundër kriminalitetit, natyrshëm edhe tek i gjithë komuniteti ndërkombëtar, ishte zija shtetërore e shpallur zyrtarisht në Serbi, një vend fqinj me Kosovën për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e Policisë së Republikës së Kosovës, në një reagim tepër profesional, pas vrasjes së kolegut të tyre.

Në cilin vend në botë Policia e Shtetit nuk duhet të reagojë dhe godasë cilindo që guxon të qarkullojë i armatosur, më rëndë akoma të qëllojë mbi policinë?!

Është shumë e rëndësishme që autorët dhe organizatorët e atij sulmi të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë, përmes një hetimi serioz të të gjithë anëtarëve të këtij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, kudo qofshin.

Më lejoni të përfundoj ndërhyrjen time duke konfirmuar angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar plotësisht me të gjitha palët, për të vijuar me nxitjen e zbatimit të plotë dhe të efektshëm të Konventës. Faleminderit!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts