
11:13 26/05/2022
Shefi i Bankës Botërore: E vështirë të gjenden mënyra për të shmangur recesionin
Banka Botërore ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të çojë në një recesion global. Shefi i këtij institucioni financiar, David Malpass, në një takim me bizneset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se është e vështirë të gjenden mënyra për ta shmangur recesionin.
Sipas kreut të Bankës Botërore, nëse Rusia ndal furnizimet me gaz, kjo gjë mund të shkaktojë ngadalësim të ekonomisë në rajon. Ai ka deklaruar se çmimet e larta të energjisë janë duke rënduar gjithnjë e më shumë Gjermaninë, e cila përbën ekonominë më të madhe në Evropë dhe të katërtën në botë.
Sipas tij, edhe disa masat e rrepta anti-covid që ka ndërmarrë Kina janë duke shtuar shqetësimet për situatën ekonomike. Malpass nëvizoi po ashtu se shtetet në zhvillim po përballen edhe me mungesë të ushqimit dhe energjisë.
Deklaratat e tij përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.
“Ideja e dyfishimit të çmimeve të energjisë është e mjaftueshme për të shkaktuar një recesion në vetvete,” -shprehet ai.
Muajin e kaluar, Banka Botërore uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike për këtë vit në botë me pothuajse 3.2%.
Klan News