Basha hipën mbi makinë në Berat: Zgjedhja e Ramës kryeministër ishte aksident për Shqipërinë, Hani i Hotit-Përmet do të jetë…

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është pritur me entuziazëm nga një grup mbështetësish, në qytetin e Beratit.

Kryedemokrati u ngjit mbi një makinë, nga ku përshëndeti turmën dhe u shpreh i prekur dhe i emocionuar për pritjen. 

Basha e konsideroi zgjedhjen e Ramës kryeministër një aksident për Shqipërinë, duke shtuar se me PD në qeverisje do të vijë ndryshimi.

“Ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme, prekëse dhe emocionuese në Beratin e civilizimit, në Beratin e kulturës dhe të krenarisë tonë. Jam shumë i prekur dhe i emocionuar nga kjo pritje këtu në Beratin e lashtësisë, Ne Beratin e kulturës. 8 vjet më parë Shqipërisë i ndodhi një aksident kur u zgjodh Edi Rama kryeministër, por kjo nuk do të jetë e ardhmja jonë. Shqipëria kërkon ndryshim!”, u shpreh Basha.

Në rrugëtimin tim, nga jugu në veri po takoj shqiptarë të cilët duan ndryshim dhe ne së bashku jemi shpresa dhe jemi forca që do e bëjmë këtë ndryshim të mundur. Me 25 prill fiton Shqipëria. Ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme”, shtoi kryedemokrati.

BISEDA

Qytetari: Këtu jemi mbi segmentin rrugor Veri-Jug, Hani i Hotit-Tiranë-Berat-Përmet, i cili është nisur nga partia Demokratike dhe është lënë në harresë 8 vjet nga qeveria e Rilindjes.

Lulzim Basha: Si çdo punë tjetër madhore e infrastrukturës.

Qytetari: Vazhdimësia e boshtit të jugut është jetë e gjallëri, është ekonomi për beratasit dhe për të gjithë qarkun e Beratit.

Lulzim Basha: E padiskutueshme që boshti që fillon nga Hani i Hotit e deri në Përmet dhe kjo urë me përmasat siç është projektuar nga ne do të jenë prioritet i investimeve të infrastrukturës nga qeverisja e ardhshme. Do t’i japim fund shpërdorimit të parave me tendera korruptive dhe me fasada që i prish shiu i parë. Dhe kjo është një pjesë jetike e një aksi të fuqishëm ekonomik dhe tregtar dhe turistik. Hani i Hotit-Përmet do të jetë një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës padiskutim që do të përfundojmë edhe ato projekte që i kishim nisur që në 8 vite me radhë i lanë në vendnumëro.

Se çfarë kanë bërë s’ka nevojë të ma thuash mjafton të shikosh Unazën e Tiranës që 8 vite e lanë në vendnumëro dhe kosto ekonomike, shkatërrimi i ambientit, i mjedisit, i cilësisë së ajrit i kushton qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë ditë për ditë vetëm e vetëm sepse për 8 vite me radhë lekët e shqiptarëve i morën dhe i degdisën në xhepat e një grushti njerëzish.

Por po ju them edhe njëherë dje isha në Gjirokastër dhe u mahnita tani kjo surpriza e Beratit më emocionon. Më latë pa fjalë. Kudo që shkoj e prek shpresën dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim. Të gjithë bashkë do ta bëjmë  këtë ndryshim të mundur duke dalë masivisht në votime dhe në këtë mënyrë do të fitojë i gjithë Berati, e gjithë Shqipëria. Nuk do të diskriminohet askush.  Fitorja jonë do të jetë fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Basha, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë”/ Kreu i PD rrugës për në Berat, pritje entuziaste nga simpatizantët

Në këto pamje të publikuara në rrjetet sociale, kryedemokrati shfaqet i rrethuar nga një turmë, që brohoret: “Basha, Basha”, “Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë”, apo “Rama ik!”. Kreu i opozitës nuk ka nguruar të bëjë foto me simpatizantët.

Bashkëngjitur me videon, kreu i selisë blu shkruan: “Rrugës për Berat, pritje entuziaste nga qytetarët e Dimalit (Ura Vajgurore) Shqipëria fiton”. Një pritje e ngrohtë është rezervuar edhe në Kuçove ku banorët i urojnë Bashës mirëseardhjen, duke thirrur në kor: “Fitore! Fitore”.

Sjellim në vëmendje që tanimë janë bërë të zakonshme pritjet dhe grumbullimet e simpatizantëve në qytetet që viziton kryedemokrati. Ndërkohë që na ndajnë 35 ditë nga zgjedhjet parlamentare, Lulzim Basha po vijon takimet ballë për ballë me njerëzit nga Jugu në Veri.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *