Basha në Lezhë: Dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës mund të lindë përçarje. Mos t’ia lejojmë kundërshtarit këtë luks!






Gjatë takimit me demokratët e Lezhës, kryetari në detyrë i PD Lulzim Basha theksoi se beteja e vetme është ajo me Edi Ramën, duke e konsideruar këtë si misioni që i kanë ngarkuar shqiptarët.

“Pavarësisht masakrës së 25 prillit ne jemi në këmbë, të vendosur, të vetëdijshëm, për të luftuar me më shumë forcë”, theksoi ai.

Basha u shpreh se “dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çoj në lindjen e një përçarje në radhët tona”.

“Ndaj, në mënyrë të përsëritur kam bërë gjithçka dhe do të bëj gjithçka në dorën time për ta ndaluar këtë dhe ju kërkoj ju dhe të gjithë ayre që vendosin Partinë Demokatike mbi veten e tyre dhe Shqipërinë mbi gjithçka, që mos t’ia lejojmë kundërshtarit këtë luks”, vijoi Basha.

Fjala e Bashës

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, demokrate dhe demokratë të degës së Lezhës dhe faleminderit për mikpritjen sot në këtë takim, në qarkun, ku siç e tha kryetari, të gjithë ju së bashku drejtues të strukturave të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Gruas, të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, anëtar të ekipit të kandidatëve të gjithë bashkë bëtë një betejë epike kundër një prej kundërshtarëve më të egër të demokracisë keto 30 vite.

Jo thjeshtë kundërshtarit tonë historik, Partisë Socialiste, jo thjeshtë kundër atyre që kemi përballë në këto zgjedhje, socialistëve, e prej të cilëve kësaj radhe një pjesë arritet t’i merrni në krahët tuaj, nga Shkodra e Lezha, në Durrës e në Vlorë. Por kundër një armiku barbar të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe të Demokracisë.

Dhe prapë se prapë në kushte terrori, shantazhi të denja vetëm për përballje mes armiqve dhe jo kundërshtarëve politikë, gjëmat e të cilave nuk ka nevojë t’i rrëfej sepse janë të shënuara në historinë përsonale të gjithësecilit prej jush dhe të mijëra demokratëve te rrethit, bashkisë e të qarkut të Lezhës, prapë se prapë ata nuk ia dolën dot.

Fuqia e zemrave tuaja, pastërtia e qëllimeve tuaja, forca e bashkimit tuaj triumfoi mbi të gjitha instrumentat e masakres zgjedhore të 25 prillit. Dhe për këtë nuk ka mënyrë tjetër për ta nisur veçse për t’u përkulur me rrespektin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj gjithësecilit prej jush, ndaj demokrateve të Lezhës dhe të gjithë votuesve që iu ndoqën e na ndoqën në këtë betejë epike më 25 prill.

Por padiskutim kjo betejë nuk u bë për veten tonë, nuk u bë as për karrigen time, as për karriget tuaja. Ajo u bë në një moment kritik të një krize të thelluar të gjithanëshme të thelluar për vendin dhe u bë pikerisht për të sjellë ndryshimin që gjithë shqiptarët prisnin dhe meritonin dhënien fund të kësaj krize.

Por pavarësisht sakrificës së demokrateve anembanë Shqipërisë dhe fitoreve përballë mekanizmit të masakrës zgjedhore si këtu në Lezhë apo më mirë të themi përkundër mekanizmit të masakrës zgjedhore si këtu në Lezhë, fakti është se më 25 prill u ndal shpresa e shqiptarëve për ndryshim.

25 prilli nuk i dha përgjigje asnjë prej pyetjeve dhe shqetësimeve të lezhjanëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi i thelloi ato akoma më shumë.

Dhe mbi të gjitha vuri një pikëpyetje finale, ekzistenciale, jetike, jo pra, jo thjeshtë për të nesërmen europiane të vendit, por për atë çfarë Shqipëria është dhe do të jetë një demokraci apo një autokraci?

Prej vitesh jetojmë në një regjim i cili ka tjetërsuar hap pas hapi institucionet. Prej vitesh jetojmë në një vend ku dhunuesi numër një i ligjit është vetë shteti dhe i pari i ekzekutivit.

Megjithatë mobilizimi ynë, mobilizimi juaj ishte shembullor. Dhe rezultati i arritur pavarësisht prej mekanizmave të masakrës zgjedhore, tregon qartë dy burimet kryesore të forcës që kemi ne si Parti Demokratike dhe që na mban në këmbë e që na ka nxjerrë nga kjo betejë më të fortë sesa ç’hymë në këtë betejë numerikisht por edhe moralisht.

Burimi i parë është ai i vlerave që bashkëndajmë brenda kësaj familjeje dhe që projektojmë tek shoqëria, tek komuniteti, tek lezhjanët e ndershëm, tek shqiptarët e ndershëm. Vlerat me të cilat kemi lindur të një partie të demokracisë e lirisë. Si një parti që përmbysi komunizmin dhe e çoi vendin drejtë stacioneve të ëndërruara prej gjeneratash, si anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe avancimi në rrugën e integrimit Europian.

Të gjitha arritjet tuaja, të gjitha arritjet tona,  të gjitha arritje të demokratëve të Partisë Demokratike. Asnjë arritje e shënuar nën qeverisjen e kundërshtarit tonë. Dhe me këto vlera u futëm dhe në këtë betejë.

Kontrasti kurrë nuk ka qenë më i qartë, mes grupit të horrave dhe kriminelëve që u kandiduan apo që i mbështetën kandidatët e tyre dhe njerëzve të ndershëm më të cilët ne dolëm në këtë betejë, intelektualëve, njerëzve të ndershëm të Lezhës, të Kurbinit, Mirditës e të mbarë Shqipërisë.

Ne dolëm në këtë betejë si asnjëherë që nga 91 pa poseduar asnjë instrument pushteti institucional, por vetëm me pushtetin moral që diktonim për shkak të vendimeve dhe betejave të cilat na barazuan me qytetarët edhe në instrumentat e betejës zgjedhore siç na barazuan dhe në staturë, por edhe  në shqetësimet që bashkëndanim me ta.

Padiskutim mbi ne dhe jo mbi ata, binte barra e përgjegjësisë për t’u treguar rrugën drejt ndryshimit dhe këtë e bëmë së bashku në një nga mënyrat më efiçente, më europiane, më qytetare, më të vërteta, do të thoja pse jo edhe më të bukura që ka njohur pluralizmi në 30 vite. Me një program të detajuar, fryt dhe prodhim i viteve të punës të bazuar mbi studime reale të gjendjes që e kemi prekur bashkë këto katër vite shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, ndërmarrje në ndërmarrje, me të gjitha grupet e interest, nga intelektualët e studentët, tek blegtorët më të largët të Shqipërisë.

Ne u futëm pra, në këtë betejë me avantzhin më të madh moral dhe kjo është garancia, kjo është edhe e vërteta e parë për një rezultati i cili në asnjë mënyrë nuk mund të ishte i tillë dhe që sfidon në të gjithë dimensionet e veta masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Parti e vlerave doli në fushatë me vlera, me njerëzit e vlerave, me një program vlerash dhe më një fushatë vlerash.

Faktori i dytë, burimi i dytë, është padiskutim mençuria politike e demokratëve që ditën përkundër agresionit dhe makinerisë së propagandës disavjeçare të Edi Ramës, jo vetëm qëndrojmë të bashkuar krah më krah njëri-tjetrin në këtë betejë, por ta zgjerojmë e ta forcojmë këtë bashkim siç e bëmë duke përthithur brenda frontit tonë energjinë e të gjithë grupeve të interest që kërkonin ndryshim.

Duke nënshkruar për herë të parë në historinë e pluralizmit mbi 12 kontrata midis Partisë Demokratike si forcë e ardhshme qeverisjëse dhe organizatave përfaqësuese të mbi 1.3 milionë shqiptarëv që nga ato të biznesit, e të fermerëve, tek ato të persekutuarve e të pronarëve, që nga ato të mjekëve e të të studentëve, tek ato të turizmit.

Pra, një front, një bashkim vullnetesh vizionesh dhe mbi të gjitha pritshmërish për ndryshim.

Por miqtë e mi pavarësisht prej kësaj, nga kjo betejë ne kemi dalë së pari me ballin lart sepse ishte qëndresa jonë dhe vlerat tona ato që shënuan përkundër një makinerie dyfish apo trefish më të madhe të manipulimit se ajo e para katër viteve, jo rënien tonë, as përgjysmimin tonë, por rritjen tonë numerike dhe morale.

Dhe së dyti, sepse sot para çdo lezhjani e para çdo shqiptari, ju bashkëluftëtarët e mi, drejtuesit e kapitenët e kësaj beteje jeni me ballin lart. As nuk ia bletë votën askujt, as nuk kërcënuat askënd, as nuk bëtë premtime të rrejshme, por dolët njësoj si ata, me ata duke i  ftuar të na ndjekin në këtë rrugëtim.

Pra, ishim baraz më njëri-tjetrin, ne me përgjegjësinë drejtimit dhe ata me besimin për të na ndjekur. Besimi i tyre për të na ndjekur përkundër gjithçka që makineria e tjetërsimit të votës, makineria e masakrës zgjedhore kreu ditë për ditë e natë për natë, nga qendra e Lezhës në fshatrat më të largëta të Kthellës apo të Fanit, apo të Zadrimës e kudo tjetër.

Nuk ka nevojë të zgjatem sepse ju i dini fare mirë se çfarë ka ndodhur. Ju jo vetëm i keni parë me sytë e tuaj, por keni luftuar, jeni përballur sy më sy e dhëmb më dhëmb e fyt më fyt, duke bërë kështu të mundur që përkundër terrorit të makinerisë së shitblerjes së votës, përkundër shtrirjes kapilare të urrejtjes së Pjerin Ndreu dhe falangave të tij ndaj çdo kundërshtari politik duke e shndërruar pluralizmin dhe mendimin ndryshe dhe përballje me forcat e tjera politike me një hakmarrje alla 45, prapë se prapë ata nuk ia dolën dhe ju triumfuat.

Vlerat dhe bashkimi janë në bindjen time më të thellë, burimet e forcës tonë.

Sot ndodhemi në një moment tjetër, ndodhemi në momentin e një gare të brendshme e cila diktohet nga Statuti i Partisë Demokratike. Një garë e cila ka nisur si rezultat i vendimeve statutore të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.

Një garë e cila është vendosur në një moment kur po zhvillohet një betejë tjetër, që i paraprin një tjetër beteje që na pret. Beteja e faktimit tashmë insituticional përkundër vullnetit  të mbrapshtë të KQZ-së së kapur dhe diktuar politikisht dhe të urdhëruar  për të mos bërë transparencë, përkundër asaj që mund të ndodhë me Kolegjin Zgjedhor, por një betejë e pashmangshme për arsye që anëtarët e Këshillit Kombëtar këtu mes nesh sot mund t’i dëshmojnë fare mirë.

Pavarësisht se ishim për proces numërimi, debati i brendshëm nisi menjëherë dhe vendimi i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar ishte unanim. Le mos ta lëmë këtë debat për një vlerë të jashtëzakonshme të partisë tonë që është zgjedhja me një anëtar një votë e kryetarit të partisë. Le ta zhvillojmë aty ku e ka vendin para antarësisë dhe në shinat e statutit.

Duke bërë këtë isha i vetëdijshëm se roli im kryesor për të vazhduar betejën së bashku ishte t’i përdorja këto mikrofon për ta shumëfishuar mesazhin  drejtuar shqiptarëve dhe çdokujt që ka veshë të dëgjojë, përfshirë edhe kundërshtarët tanë politikë, se pavarësisht masakrës së 25 prillit ne jemi në këmbë, ne jemi të vendosur, ne jemi të vetëdijshëm, ne nuk jemi dorëzuar dhe po bëhemi gati të kthehmi më të fuqishëm dhe më të vendosur se kurrë për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse regjimit të 25 prillit.

Sepse detyrimi im kryesor sot para jush dhe para shqiptarëve, është që dëshpërimin e atyre që e prisnin ndryshimin më 25 prill, e donin ndryshimin më 25 prill, të asaj shumice që e votoi, të asaj shumice edhe më të madhe që e donte dhe që e do sot edhe më shumë se më 25 prill, t’i paraprin me mesazhin e shpresës dhe të vendosmërisë.

Ndërsa zemëratës tuaj për padrejtësinë e masakrës zgjedhore të 25 prillit, zemëratës së demokratëve kudo ku ndodhen për ndërprerjen e dhunshme, për pamundësimin e ndryshimit paqësor të pushtetit, t’i paraprimë duke e kthyer këtë zemëratë në fuqi goditëse të parezistueshme ndaj regjimit.

Miqt e mi, me këto fjalë përmblidhet pakashumë edhe oferta, edhe kërkesa që kam ndaj jush. Bashkë kemi bërë një udhëtim jo thjesht politik, por edhe transformues brenda partisë tonë. Në 2018 kemi miratuar një statut të ri, i kemi dhënë fuqi anëtarësisë, kemi bërë organizime dhe riorganizime dhe padiskutim që ne duhet të vazhdojmë të jemi të gatshëm të bëjmë përmirësime të tjera. Por 13 qershori nuk është, nuk bëhet për ndryshime eventuale të statutit apo përparime dhe ndreqje eventuale të organizimit, jo se ato nuk duhen, patjetër që duhen.

13 qershori ka të bëjë me diçka tjetër shumë më të madhe se kjo. Është hapi i parë në betejën që rinisim, ndaj dhe kërkesa ime e parë dhe kryesore është le të dalim nga 13 qershori edhe më të bashkuar, edhe më të vendosur.

Kërkesa ime kryesore është: të më besoni të vazhdoj t’ju drejtoj deri në përfundimin me sukses dhe me fitore të kësaj beteje. Sepse përgjegjësia që bashkëndajmë shkon përtej partisë tonë. Sepse misioni që kemi marrë mbi supe dhe që e kemi çuar afër realizimit, misioni ynë pavarësisht prej kësaj vazhdon.

Vazhdon në kushtet të një partie më të fortë, më të bashkuar, më të vendosur dhe padiskutim ku e ku më të moralshme. Ndaj, le ta çojmë këtë mision deri në fund krah më krah njëri-tjetrit, sepse nuk ka focë tjetër që ta bëjë këtë. Jo vetëm kaq, po nuk ka forcë tjetër që t’i kishte bërë ballë jo thjesht 25 prillit, por të gjithë këtyre sfidave që kemi përjetuar në 30 vite, siç nuk i kanë bërë ballë shumë parti simotra, emrat e të cilave sot i ke në arkiv e në muze apo i shikon me mikroskop në kuptimin elektoral të fjalës.

Braktisja e vlerave, përçarja, apo kompromisi me të keqen i ka çuar drejt shuarjes, ndërsa ne betejat na kanë bërë më të fortë, na kanë bërë më të mëdhenj dhe jam i bindur më të vendosur për ta çuar deri në fund luftën për demokraci dhe për fitoren e saj.

Ndaj, e konsideroj këtë moment një moment bekimi për mua, sepse ndryshe nga se dikton fushata e madhe ku jemi gjithë kohën duke u fokusuar tek votuesi, tani kemi pak kohë të fokusohemi tek njëri-tjetri e të flasim drejtpërdrejt. Në këtë moment dhe në momentet e tjera që do të vijnë më pas, po këtë moment në veçanti, këtë garë statutore për kryetar të partisë, për shqetësimet, për mendimet, për pikpyetjet, për përmirësimet dhe për rrugën përpara.

Jam i bindur se ky lloj komunikimi, nga ky lloj komunikimi do të dalim me një dimension të ri përfitues për familjen tonë dhe për vendimet që na presin dhe për zbatimin e këtyre vendimeve.

Megjithatë e kam thënë dhe dua ta përsëris që nxitimi dhe paqartësia që sundojnë në zemrat e ndokujt, nuk mund të kthehet as në arsye, as në justifikim për t’i rënë me shkelm asaj që ju keni ndërtuar, asaj që ne kemi ndërtuar së bashku në këto vite.

Sikundër dua ta bëjë të qartë që gara e ka po kështu edhe një disavantazh.

Dhe ky disavantazh është fakti që dorëzimi përball atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çoj në lidjen e një përçarje në radhët tona.

Ndaj, në mënyrë të përsëritur kam bërë gjithçka dhe do të bëj gjithçka në dorën time për ta ndaluar këtë dhe ju kërkoj ju dhe të gjithë ayre që vendosin Partinë Demokatike mbi veten e tyre dhe Shqipërinë mbi gjithçka, që mos t’ia lejojmë kundërshtarit këtë luks.

Le ta bëjmë garën, le ta bëjmë debatin. Le t’i themi ato që janë për t’u thënë sy më sy pa asnjë ndrojë, por në fund të çdo takimi të këtij dhe çdo takimi tjetër që mund të keni, le mos të harojmë se pas 13 qershorit duhet të dalim më të fortë e më të bashkuar e mos të harrojmë që çdo sekondë beteja jonë e vetme është beteja me Edi Ramën, kundër tij, kundër regjimit të tij, armik të Shqipërisë, armik të demokracisë, është misioni që na kanë ngarkuar shqiptarët dhe që ne do ta çojmë deri në fund me bekimin e Zotit dhe me forcën e shpirtit të demokratëve të Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë. Faleminderit për vëmendjen tuaj!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *