Basha përfshin në kryesi Nishanin dhe Ristanin/ Zbardhen propozimet e kreut të PD-së për statutin në komisionin e partisë








MARINGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përfshin në kryesinë e partisë Bujar Nishanin,  një nga kritikët e tij pas zgjedhjeve të 25 prillit, por dhe në garën për kryetar partie.

Gazeta “Panorama” zbardh letrën që Basha i ka dërguar Komisionit të Përhershëm të Statutit me propozimet e tij për statutin e ri.

BASHA

Kreu i PD-së propozon një kryesi më të zgjeruar ku kryetari i Këshillit Kombëtar, të jetë anëtar i saj për shkak të funksionit që mban. “Është zgjeruar kryesia e partisë, duke përfshirë si anëtarë të saj për shkak të funksionit edhe kryetarin e Këshillit  Kombëtar; kryetarin e Bordit Financiar, kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit  dhe Etikës. Gjithashtu, është shtuar rregulli që jo më pak se 30% e anëtarëve të zgjedhur të kryesisë t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar”, thuhet në propozimin e Bashës.

Sipas këtij propozimi, në kryesi do të jetë edhe Arben Ristani, një tjetër kritik i Bashës ndaj humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Ristani mban në PD funksionin e kryetarit të Komisionit  të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Por, Basha përfshin në kryesi për shkak të funksionit që mban, edhe Jemin Gjanën, i cili është kryetari i të gjitha komisioneve zgjedhore në PD që  kur Basha drejton këtë parti. Si parti në opozitë, kryetari i PD- së duket se do të përfshijë në organet drejtuese të partisë sa  më shumë personalitete të saj.

Në këtë funksion, Basha propozon që numri i sekretarëve të mos jetë i limituar, por të jetë  në dorën të kryetarit që të caktojë numrin që i duhet të tyre. “Është rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partisë, duke hequr numrin limit të sekretarëve funksionalë në përbërje të  tij. Ky rregull është shtrirë edhe për degët e partisë”, propozon Basha.

DEPARTAMENTET

Kryedemokrati propozon organizimin e Këshillit Kombëtar sipas departamenteve, të cilat do të përcaktohen sipas ndarjes që kanë dhe komisionet e përhershme të Kuvendit, të cilat do të trajtojnë çështjet sipas fushave të tyre, por që sipas Bashës ato do të jenë dhe në funksion këshillimor edhe për kryetarin dhe kryesinë e PD-së.

“Është rikonceptuar  mënyra e funksionimit të Këshillit Kombëtar, duke parashikuar që anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të organizohen në departamente të Këshillit Kombëtar që funksionojnë si strukturë këshillimore e kryesisë dhe kryetarit të PDSH-së, për çështje tematike. Departamentet e Këshillit Kombëtar  janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programi elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH-së”, thuhet në propozimin e Bashës për Komisionin e Statutit.

PROPOZIMET E LULZIM BASHËS

Janë përfshirë të mbrohen, promovohen dhe nxiten nga Partia Demokratike, meritokracia dhe shanset e barabarta në punësim dhe karrierë, duke nxitur një administratë publike të qëndrueshme  dhe profesionale; lufta ndaj korrupsionit dhe dhënia fund e fenomenit të pandëshkueshmërisë; shkëputja e lidhjeve midis politikës dhe krimit të organizuar, përmes dekriminalizimit të plotë të jetës politike dhe publike; si dhe nxitja e një sistemi drejtësie të pavarur  dhe të paanshëm, që i shërben vetëm qytetarëve dhe interesit publik.

Është zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal, duke ngushtuar kompetencën që kishte kryetari i partisë në këtë drejtim. Në këtë mënyrë, detyrimi për konsultimin e anëtarësisë është përfshirë edhe për kandidatët për pushtetin vendor, të cilët pas konsultimit me anëtarësinë do të propozohen nga kryetari i partisë, caktohen nga kryesia e PDSH-së dhe lista e plotë do të miratohet nga Këshilli Kombëtar. Në këtë mënyrë është përfshirë në vendimmarrje si organ ratifikues i listës, edhe Këshilli Kombëtar.

Është rikonceptuar kryesia e seksionit, e cila do të përbëhet nga kryetari, sekretari dhe nënkryetari i seksionit. Kryetari i seksionit zgjidhet nga anëtarët e seksionit sipas parimit “Një anëtar një  votë”. Sekretari i seksionit emërohet nga kryetari i degës. Nënkryetari i seksionit emërohet nga kryetari i grupseksionit. Është shtuar si strukturë vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut, që  emërohet nga kryetari i partisë. Kjo do të jetë një strukturë e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH-së në nivel qarku.

Është zgjeruar kryesia e degës së partisë, ku do të përfshihen  edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të PDSH-së që kanë vend- banim në degë apo janë caktuar të mbulojnë degën; si dhe vetëm  për degët në qendër qarku, 7 anëtarë të zgjedhur nga kuvendi i degës.  Është rikonceptuar mënyra e funksionimit të Këshillit Kombëtar, duke parashikuar që anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të organizohen në departamente të Këshillit Kombëtar që  funksionojnë si strukturë këshillimore e kryesisë dhe kryetarit të PDSH-së, për çështje tematike.

Departamentet e Këshillit Kombëtar janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve,  strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH-së. Është zgjeruar kryesia e partisë, duke përfshirë si anëtarë të saj  për shkak të funksionit edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar; kryetarin e Bordit Financiar, kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe  kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Gjithashtu, është shtuar rregulli që jo më pak se 30% e anëtarëve të  zgjedhur të kryesisë t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar.

Është rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partisë, duke hequr  numrin limit të sekretarëve funksionalë në përbërje të tij. Ky rregull është shtrirë edhe për degët e partisë.  Është bashkuar në një komision të vetëm Komisioni i Apelimit  dhe Komisioni i Integritetit dhe Etikës, duke i njohur kompetencën për vlerësimin e kandidatëve dhe zbatimit të rregullave për dekriminalizimin dhe integritetin vetëm Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Është riformatuar Komisioni i Përhershëm i Statutit, i cili  është përgjegjës për interpretimin e dispozitave të statutit. Komisioni i Përhershëm i Statutit do të përbëhet nga 7 anëtarë titullarë dhe dy anëtarë ndihmës, që caktohen nga kryesia e partisë. Është harmonizur dhe thjeshtuar përmbajtja e Statutit aktual duke rregulluar pasaktësitë apo duke hequr parashikimet që përsëriten në tekstin e tij, por pa prekur thelbin e parashikimeve statutore.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *