Bashkimi Evropian me sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi sot se në ditët në vijim do të shpallen sanksione të reja ndaj Bjellorusisë. Deklarata pason paralajmërimin e Polonisë se është rritur numri i migrantëve të cilët nga Bjellorusia po lëvizin në drejtim të kufirit të saj. Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së e freskuan pakon e sanksioneve ndaj Bjellorusisë gjatë një takimi të tyre në Bruksel.

Sanksionet përfshijnë linjat ajrore, agjentët e udhëtimit dhe individët që dyshohet se janë përfshirë në krizën me migrantë në kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë. Këto vende formojnë krahun lindor të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell u tha gazetarëve pas takimit se ministrat arritën marrëveshje mbi atë që do të jetë rundi i pestë i sanksioneve, i cili do të finalizohet në ditët në vijim dhe i cili shënjestron në mënyrë specifike “një numër mjaft të rëndësishëm” individësh dhe subjektesh. Masat pritet të përfshijnë ngrirje të pasurive dhe ndalime të udhëtimit. “Vendimi i sotëm pasqyron vendosmërinë e Bashkimit Evropian për t’i bërë ballë përdorimit të migrantëve për qëllime politike”, tha Borrell.

Mijëra njerëz, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë ngecur në kampe të improvizuara në kushte të rënda në anën bjelloruse të kufirit, duke u përpjekur të hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian. BE-ja e akuzon udhëheqësin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka se po e shkakton krizën për t’u hakmarrë kundër Brukselit për sanksionet e vendosura pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, të cilat ai pretendon se i ka fituar, mirëpo opozita dhe vendet perëndimore nuk e njohin rezultatin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.