BE e gatshme për të hapur “thesin me para” për Bjellorusinë, por ka një kusht!

Bashkimi Evropian tha se është i gatshëm të ofrojë të paktën tre miliardë dollarë për Bjellorusinë, kur shteti t’i kthehet rrugës së demokracisë dhe të fokusohet në sundimin e ligjit, reformat në gjyqësor, të ristrukturojë ndërmarrjet shoqërore dhe shpenzimet në infrastrukturë, thuhet në një propozim që e ka parë Radio Evropa e Lirë.

Ky draft-dokument, i titulluar “Korniza e planit të propozuar gjithëpërfshirës për mbështetje ekonomike të Bjellorusisë demokratike”, me gjasë do t’u prezantohet shteteve të bllokut më 28 maj, ku thuhet se “kur Bjellorusia të hyjë në rrugën demokratike, BE-ja do të sigurohet që të ketë për prioritet ndihmën e menjëhershme dhe afatgjate, me qëllim që ta ndihmojë Bjellorusinë që ta stabilizojë ekonominë, të reformojë institucionet, duke i bërë më demokratike”.

Ky plan fillimisht ishte propozuar vjeshtën e vitit 2020, pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale, ku Alyaksandr Lukashenka shpalli fitoren. Rizgjedhja e tij në krye të shtetit nxiti protesta, të cilat u shtypën me dhunë nga autoritetet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka premtuar se do të përshpejtojë punën për këtë propozim, pasi autoritetet bjelloruse devijuan avionin Ryanair të ateronte në Minsk më 23 maj, ku më pas ndaluan gazetarin Raman Pratasevich dhe të dashurën e tij, Sofia Sapega.

Blloku evropian po ashtu është duke punuar që të sanksionojë më shumë njerëz dhe kompani që janë të lidhur me regjimin në Bjellorusi. Po ashtu, në listën e sanksioneve pritet të futen edhe sektorë të mëdha të ekonomisë. Këto sanksione pritet të prezantohen në qershor.

Plani i BE-së për Bjellorusinë ndahet në tri shtylla. E para fokusohet në rimëkëmbjen ekonomike të Bjellorusisë, ku sipas dokumentit që ka parë REL, ndihma makro-financiare e BE-së “do të ndihmojë në stabilitetin makro-ekonomik dhe do të forcojë situatën fiskale”. Në shtyllën e dytë fokusi është në ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore, të tilla si bankat, ku kërkohet përmirësimi i të drejtave pronësore, reforma në administratën publike, në sundimin e ligjit dhe reforma në gjyqësor. Ndërkaq, shtylla e tretë përfshin investime konkrete në sektorë specifikë, siç është mbështetja e 20.000 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i lidhjeve të transportit etj.

Në javët e ardhme Këshilli dhe vendet anëtare të BE-së pritet që të diskutojnë për këtë plan për Bjellorusinë në vlerë prej tre miliardë eurosh/ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *